Fëmijë të mbytur në stres
Fëmijë të mbytur në stres
▪ «Nuk më doli koha. Jam i lodhur»,—tha Pabloja tetëvjeçar kur mësuesja i kërkoi detyrat e shtëpisë. Ashtu si ky djalë spanjoll me sy të përgjumur, mjaft fëmijë kalojnë ditë të gjata e të lodhshme. Ata mund të rrinë 12 orë a më shumë mbi libra, ndërsa janë në mësim ose merren me detyrat e shtëpisë. Pse janë kaq të ngarkuar?
Disa prindër i regjistrojnë fëmijët në aktivitete jashtëshkollore që të merren me diçka derisa mami a babi të vijnë në shtëpi. Të tjerë u imponojnë fëmijëve një program të ngarkuar, pasi duan që ata të jenë «asë» në shkollë dhe të kenë një karrierë të suksesshme. Për të arritur këtë, shumë prindër në Korenë e Jugut i dërgojnë fëmijët e tyre adoleshentë në shkolla me program intensiv, ku orari rraskapitës nganjëherë nis në orën 7.30 dhe përfundon në mesnatë ose më vonë. Kjo mund të ndodhë në të shtata ditët e javës. «Fiksimi i tyre për t’i çuar fëmijët në universitetet me emër s’njeh kufij»,—thotë një artikull në gazetën New York Times.
Në gazetën e përjavshme spanjolle Mujer hoy thuhet: «Prindërit kërkues duan më të mirën për fëmijët e tyre, por pretendojnë që ata të shkëlqejnë.» Për të qenë në lartësinë që presin prindërit, fëmijët kërkojnë tepër nga vetja, dhe kjo mund të jetë mjaft stresuese. «Sipas vëzhgimeve tona, fëmijët janë të mbingarkuar»,—thotë Antonio Kanoja, president i Shoqërisë Spanjolle për Studimin e Ankthit dhe të Stresit. Sipas një profesoreshe, 40 për qind e fëmijëve spanjollë nën moshën 15-vjeçare janë të rënduar nga stresi. Ky presion mund t’u kushtojë shtrenjtë e ndoshta t’i çojë deri në vetëvrasje. Për shembull, siç thotë The New York Times, në Korenë e Jugut «mes të rinjve nga 10 deri në 19 vjeç, vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjeve pas aksidenteve rrugore».
Sigurisht, të rinjtë duhet të studiojnë pa u lodhur në shkollë dhe prindërit duhet t’i ndihmojnë me ç’të munden, pasi këto vite nuk kthehen më. Por, siç thotë mësuesja Irena Arrimadasi, «fëmijët nuk janë të rritur. Ata s’i përballojnë dot ditë kaq të gjata e të lodhshme». Të vetëdijshëm për këtë, prindërit e kujdesshëm sigurohen që fëmijët të kenë kohë të mjaftueshme për të pushuar dhe për aktivitete të shëndetshme familjare. Duke nxjerrë në pah nevojën për ekuilibër, mbreti i mençur Solomon shkroi: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»—Eklisiastiu 4:6. *
[Shënimi]
^ par. 5 Për një trajtim më të hollësishëm rreth presioneve që hasin shumë fëmijë, shih serinë e artikujve «Të stresuar brenda dhe jashtë shkollës», në revistën Zgjohuni! të prillit 2009.