Ia mbatha nga vendet e masakrës dhe gjeta jetën
Ia mbatha nga vendet e masakrës dhe gjeta jetën
Treguar nga Sam Tani
Bashkë me 2.000 kamboxhianë të tjerë po arratiseshim nga vendlindja. Më në fund unë dhe familja ime arritëm te lumi në kufi me Tajlandën. Me të ngjeshura u futëm në një nga varkat e vogla që i çonin njerëzit drejt shpëtimit. Sapo u nis varka e fundit, ia behën ushtarët e Kmerëve të Kuq dhe filluan të na qëllonin.
Ç’LEHTËSIM ndiem kur të gjithë mbërritëm shëndoshë e mirë në Tajlandë! Ndryshe nga gjithë të tjerët ne nuk gëzonim, pasi babanë dhe xhaxhanë i kishin marrë dy muaj më parë. Mamaja u ul dhe qante. Por para se të vazhdoj më tej, dua t’ju tregoj disa gjëra nga e kaluara.
I vogël isha budist
Linda në Kamboxhia më 1960-n. Kisha një vëlla e një motër më të vogël. Në moshën nëntëvjeçare bashkë me prindërit vendosëm të hyja në shërbim të tempullit budist, si shumë djem të tjerë. Dita e murgut fillon në orën gjashtë të mëngjesit kur del nga tempulli dhe shkon shtëpi më shtëpi për të mbledhur ushqim. Kur shkoja te disa shtëpi, e kisha të vështirë t’u kërkoja ushqim pasi dukej qartë se ishin të këputur. Pastaj, ne që ishim murgj të rinj në moshë përgatitnim vaktet, ua shërbenim murgjve më të mëdhenj dhe më pas hanim edhe vetë.
Kur vinte ora gjashtë e pasdites, murgjit më të mëdhenj mblidheshin për t’u lutur me fjalë që pak i kuptonin, për të mos thënë asnjëri. Pas dy vjetësh u bëra murg i vogël, siç quheshim ne, dhe mora disa nga privilegjet që gëzonin murgjit e mëdhenj. Më lanë edhe të lutesha me ta. Atëherë mendoja se në botë s’kishte fe tjetër, veç budizmit.
Arratisja nga Kamboxhia
Nuk gjeja kënaqësi në jetën e tempullit prandaj, në moshën 14-vjeçare, u ktheva në shtëpi. S’kaloi shumë dhe në pushtet erdhi një politikan me emrin Pol Poti. Lëvizja e Kmerëve të Kuq që drejtonte ai, sundoi nga viti 1975 deri më 1979-n dhe i detyronte njerëzit të linin qytetin e të shkonin në fshat, duke u përpjekur kështu ta kthente Kamboxhian në një vend komunist. Edhe familjen tonë e shpërngulën. Më pas, njerëzit e Pol Potit erdhën dhe morën babanë dhe xhaxhanë tim. Nuk i pamë më që atëherë. Në fakt, gjatë sundimit të Kmerëve të Kuq janë vrarë nëpër vende masakrash ose kanë vdekur nga sfilitja, sëmundjet a uria afro 1,7 milionë kamboxhianë.
Këto rrethana na shtynë ne 2.000 vetave që përmendëm në fillim, të merrnim malet për tri ditë drejt kufirit tajlandez me kokë në torbë. Të gjithë arritëm shëndoshë e mirë, madje edhe një foshnjë që lindi gjatë rrugës. Shumica prej nesh kishin marrë para me vete, por në atë kohë valuta kamboxhiane ishte pothuajse e pavlerë, prandaj i flakën.
Jeta në Tajlandë
Në Tajlandë, familja jonë u strehua te disa të afërm dhe unë fillova punë si peshkatar. Ne rrezikonim shpesh, pasi e futnim varkën në
ujërat kamboxhiane ku vërtet kishte më shumë peshq, por ku patrullonin edhe varkat e Kmerëve të Kuq. Po të na kapnin, do të humbisnim si varkën, ashtu edhe jetën. Dhe vërtet, dy herë gati sa nuk na zunë. Të tjerë ama nuk shpëtuan, si një komshiu im të cilin e kapën dhe i prenë kokën. Megjithëse vdekja e tij më tronditi, prapë vazhdova të peshkoja në ujërat kamboxhiane. Isha i detyruar ta bëja, ndryshe familja do të vdiste urie.Ngaqë duhej të kujdesesha për familjen dhe veten time, vendosa të futesha në një kamp refugjatësh në Tajlandë, ku mund të aplikoja për emigracion në ndonjë shtet tjetër dhe prej andej t’i dërgoja para familjes. Kur ua thashë të afërmve, ata m’u hodhën kundër. Por unë e kisha ndarë mendjen.
Kur isha në kampin e refugjatëve, erdhën disa anglishtfolës që më thanë se ishin të krishterë. Kjo ma hodhi poshtë bindjen se budizmi ishte e vetmja fe që ekzistonte. Bashkë me shokun tim të ri, Teng Hanin, filluam të rrinim me «të krishterët» që na tregonin Biblën e na jepnin për të ngrënë. Qëndrova në kamp një vit dhe kërkova të emigroja në Zelandën e Re.
Jetë e re në Zelandën e Re
Kërkesa ime u aprovua më 1979-n dhe shumë shpejt më çuan në një kamp refugjatësh në Oklend. Një njeri zemërmirë bëri të mundur që të shkoja në qytetin e Uellingtonit e të filloja punë në një fabrikë. Aty punova pa u lodhur dhe i dërgova para familjes, siç kisha premtuar.
Po përpiqesha të mësoja më shumë për krishterimin, prandaj fillova të shkoja në dy kisha protestante. Megjithatë në to flitej pak për Biblën. Ngaqë doja të lutesha siç duhet, një shok më mësoi lutjen që njihet si lutja «Ati ynë». (Mateu 6:9-13) Por askush nuk ma shpjegoi domethënien e saj. Pra, ashtu si me lutjet budiste, i përsëritja vazhdimisht fjalët pa ditur kuptimin e tyre.
Vështirësi në martesë
U martova më 1981-n. Rreth një vit më vonë u pagëzuam nga një pastor që na spërkati ujë në kokë. Asokohe, punoja në dy vende, kisha një shtëpi shumë të mirë dhe jetoja rehat. Këto nuk i kisha pasur kurrë në Kamboxhia. Megjithatë, nuk isha i lumtur. Në martesë lindën probleme e, megjithëse shkonim në kishë, gjërat nuk ndryshuan. Edhe sjellja ime nuk ndryshoi: luaja bixhoz, pija duhan, e teproja me alkoolin e kisha lidhje me gra të tjera. Megjithatë, ndërgjegjja më brente dhe kisha vërtet pak shpresa se do të shkoja në qiell, ku më kishin thënë se ngjiten njerëzit e mirë pasi vdesin.
Më 1987-n, tërhoqa nënën dhe motrën në Zelandën e Re. Ato jetuan bashkë me ne për ca kohë. Kur ato u larguan, me to ika edhe unë. Të tre shkuam të jetonim në Oklend.
Më në fund mësoj nga Bibla
Kur po largohesha nga shtëpia e një shoku, takova dy burra që po trokitnin shtëpi më shtëpi. Njëri prej tyre, Billi, më pyeti: «Ku dëshiron të shkosh kur të vdesësh?» «Në qiell»,—iu përgjigja. Atëherë ai më tregoi nga Bibla se në qiell do të shkonin vetëm 144.000 njerëz, të cilët do të sundonin si mbretër mbi tokën. Ai më tha edhe se toka do të shndërrohej në parajsë e se në të do të banonin miliona njerëz që bëjnë vullnetin e Perëndisë. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 4; 21:3, 4) Në fillim u inatosa nga gjërat që mësova pasi ishin në kundërshtim me ato që më kishin mësuar. Thellë brenda meje ama, më bëri përshtypje sa mirë e njihnin Biblën, dhe sa mirë e ruajtën qetësinë. Më erdhi keq që nuk i pyeta çfarë feje ishin.
Pas disa javësh shkova te shtëpia e një shoku. Fëmijët e tij po studionin Biblën me një çift, Dikun dhe Stefaninë. Ata përdornin broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Fillova ta lexoja dhe pashë se gjërat që thuheshin ishin mjaft logjike. Mësova gjithashtu se Diku dhe Stefania ishin Dëshmitarë të Jehovait. Pastaj më shkoi mendja se edhe dy burrat që kisha takuar më parë do të kishin qenë Dëshmitarë, sepse gjërat që thoshin ishin në harmoni me broshurën.
I etur për të ditur më shumë, e ftova në shtëpi Dikun dhe Stefaninë dhe i mbyta me pyetje Psalmin 83:18 ku thuhet: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Ky shkrim më preku në zemër dhe fillova ta studioja rregullisht Biblën me ta. Me ne në studim, u bashkua edhe Laja, vajza nga Laosi me të cilën bashkëjetoja. Në atë kohë tërhoqa edhe vëllanë dhe gruan e tij. Pasi erdhën në Zelandën e Re, edhe ata filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët.
për Biblën. Më vonë Stefania më pyeti nëse e dija emrin e Perëndisë. Ajo më tregoiPas pak kohe, unë dhe Laja e ndërpremë studimin ngaqë shkuam në Australi për të punuar. Ndonëse e kishim mendjen të bënim para, prapëseprapë filluam ta ndienim mungesën e studimit të Biblës. Prandaj një natë, iu lutëm me zjarr Jehovait që të na drejtonte për te shërbëtorët e tij.
Përgjigjja e lutjes sonë
Pas pak ditësh, kur u ktheva nga pazari, gjeta te dera e shtëpisë dy Dëshmitare. Falënderova në heshtje Jehovain dhe që të dy rifilluam studimin. Filluam të shkonim edhe në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë të asaj zone. Megjithatë, shumë shpejt kuptova se për t’i pëlqyer Perëndisë duhej të ndryshoja shumë gjëra në jetën time. Për pasojë hoqa dorë nga veset e këqija dhe preva flokët e gjatë. Shokët e mëparshëm më vinin në lojë, por ia dola ta ruaja gjakftohtësinë. Veç kësaj, unë dhe Laja nuk ishim të celebruar dhe me gruan figuronim akoma të martuar, prandaj duhej t’i jepja zgjidhje kësaj situate. Kështu, më 1990-n u kthyem në Zelandën e Re.
Menjëherë i telefonuam Dikut dhe Stefanisë. «Sam, i kishim humbur shpresat»,—tha me zë të lartë Stefania. Rifilluam të studionim Biblën me ta dhe, sapo përfunduan procedurat e divorcit, unë dhe Laja u martuam me ndërgjegje të pastër para Perëndisë. Qëndruam në Zelandën e Re dhe u pagëzuam në simbol të kushtimit tonë ndaj Tij. Isha shumë i zellshëm për t’u treguar të tjerëve gjërat që kisha mësuar dhe pata privilegjin t’u bëja studim shumë kamboxhianëve e tajlandezëve që banonin në Oklend ose aty pranë.
Përsëri në Australi
Në maj të 1996-s u kthyem në Australi dhe u vendosëm në Kerns, në Kuinslandin Verior. Këtu kam privilegjin të merrem me organizimin e veprës së predikimit te popullsia kamboxhiane, laosiane dhe tajlandeze që gjendet në këtë zonë.
Kurrë nuk mund t’ia shpërblej Jehovait bekimet që më ka dhënë. Më ka bekuar edhe me një grua të mrekullueshme dhe me tri djem, Danielin, Majkëllin dhe Beniaminin. I jam kaq shumë mirënjohës edhe për mamanë, motrën, vëllanë, vjehrrën dhe për Teng Hanin, shokun nga kampi i refugjatëve, që pranuan të vërtetën nga Bibla. Familja jonë akoma e vuan vdekjen e babait e të xhaxhait, por nuk mbytemi nga trishtimi. Ne e dimë se, kur të ringjallë njerëzit, Perëndia do t’i zhbëjë aq mirë padrejtësitë e së kaluarës, sa ato «nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër».—Isaia 65:17; Veprat 24:15.
Para pak vitesh në një asamble të Dëshmitarëve të Jehovait më zuri syri një fytyrë të njohur. Ishte Billi që më kishte predikuar shumë vite më parë. «A më mban mend?»—e pyeta.
«Po!»—u përgjigj. «Jemi takuar në Zelandën e Re dhe të thashë se vetëm 144.000 njerëz shkojnë në qiell.» Pas gjithë atyre viteve ai akoma më mbante mend. U përqafuam dhe kujtuam gjërat e shkuara, por tani si vëllezër.
[Burimi i figurës në faqen 21]
Sfondi: AFP/Getty Images