Ilaçet: Përdorimi dhe abuzimi
Ilaçet: Përdorimi dhe abuzimi
ENXHI i dëgjoi prindërit tek thoshin se ilaçet ia kishin prerë oreksin të vëllait. Ngaqë kishte merak për peshën, ajo filloi të merrte fshehurazi një kokërr në disa ditë. Që të mos e merrnin vesh prindërit, Enxhi i kërkoi disa kokrra një shoku që po përdorte të njëjtin ilaç. *
Përse kaq shumë njerëz abuzojnë me ilaçet? Një arsye është se gjenden kollaj dhe fare mirë mund t’i gjesh në shtëpi. Së dyti, shumë të rinj gabimisht mendojnë se nuk po bëjnë asgjë të jashtëligjshme kur marrin ilaçe pa recetë. Dhe së treti, ilaçet nuk u duken aq të rrezikshme sa droga. «Në fund të fundit,—arsyetojnë disa të rinj,—përderisa një fëmijë mund të marrë ilaçe me recetë, kjo do të thotë se këto ilaçe janë të sigurta.»
Vërtet, kur përdoren siç duhet, ilaçet mund të përmirësojnë shëndetin dhe jetën e madje ta shpëtojnë jetën. Por, kur nuk përdoren siç duhet, mund të jenë po aq të rrezikshme sa droga. Për shembull, kur dikush abuzon me disa stimulantë, mund t’i pushojë zemra ose të ketë kriza si ato epileptike. Barna të tjera mund të ngadalësojnë frymëmarrjen dhe të shkaktojnë vdekjen. Një ilaç mund të ketë ndikim të dëmshëm, nëse merret me ilaçe të tjera ose me pije alkoolike. Sipas gazetës Arizona Republic, në fillim të vitit 2008 një aktor i famshëm vdiq «nga një përzierje vdekjeprurëse me gjashtë qetësues nervorë, hape për gjumë dhe qetësues dhembjesh».
Një rrezik tjetër është varësia. Disa substanca veprojnë njësoj si droga kur teprohet ose
merren për arsye të gabuara. Ato ngacmojnë qendrat e kënaqësisë në tru, dhe kjo bën që personi të ketë një dëshirë të fortë për këtë ilaç. Por në vend që t’u sjellë kënaqësi të vazhdueshme ose t’i ndihmojë njerëzit të përballojnë jetën, abuzimi me ilaçet vetëm sa i keqëson gjërat. Ai mund të shtojë stresin, të thellojë depresionin, të shkatërrojë shëndetin, aftësinë për të bërë një jetë normale, mund të çojë në varësi ose të gjitha këto pasoja të marra së bashku. Natyrisht, këta njerëz kanë probleme në familje, në shkollë dhe në punë. Atëherë, ku është kufiri midis përdorimit të përshtatshëm të ilaçeve dhe keqpërdorimit?Përdorim apo abuzim?
Me fjalë të thjeshta, një ilaç me recetë përdoret siç duhet kur merret sipas udhëzimeve të mjekut që e njeh mirë kartelën tënde shëndetësore. Kjo kërkon edhe të marrësh dozën e duhur në kohën e duhur, në mënyrën e duhur dhe për arsyen e duhur mjekësore. Prapëseprapë mund të shfaqen shenja të padëshirueshme ose të papritura. Nëse ndodh kjo, fol menjëherë me mjekun. Ai mund të ta ndryshojë recetën ose të ta heqë fare atë ilaç. I njëjti parim vlen edhe për ilaçet pa recetë: përdori vetëm kur ke vërtet nevojë dhe ndiq me kujdes udhëzimet e shkruara.
Njerëzit luajnë me zjarrin kur marrin ilaçe për arsyen e gabuar, i shpërfillin udhëzimet për dozën, përdorin ilaçe që i janë dhënë dikujt tjetër ose nuk i marrin në mënyrën e duhur. Për shembull, disa hape duhet të gëlltiten komplet që përbërësi aktiv të çlirohet ngadalë në trup. Shpesh abuzuesit e prishin këtë proces duke i thërrmuar a përtypur hapet, duke i shtypur dhe thithur ose duke i tretur në ujë e pastaj i marrin
me injeksion. Për momentin pasoja është një gjendje euforie a përhumbjeje, por ky mund të jetë hapi i parë drejt varësisë. Por edhe më keq akoma, kjo mund të jetë vdekjeprurëse.Nga ana tjetër, nëse dikush po merr një ilaç me recetë në mënyrën e duhur, por dyshon se po bëhet i varur, duhet të flasë sa më shpejt me mjekun. Mjeku duhet ta dijë cila është rruga më e mirë për ta zgjidhur këtë situatë, pa lënë pas dore problemin shëndetësor.
Epidemia e abuzimit me substanca të çdo lloji është pasqyrë e kohës sonë. Familja, që duhet të jetë liman dashurie dhe strehë nga streset e përditshme, është vetë në vështirësi. Parimet morale dhe vlerat shpirtërore po zhduken, siç po ndodh edhe me respektin për jetën. (2 Timoteut 3:1-5) Faktor tjetër është se nuk kanë shpresë për një të ardhme më të mirë. Shumë njerëz shohin veç zymtësi në horizont. Prandaj jetojnë momentin dhe kërkojnë çfarëdo kënaqësie të mundshme, nganjëherë duke rrezikuar. Bibla thotë se kur nuk ka drejtim hyjnor ose shpresë, «populli është pa fre».—Proverbat 29:18.
Nëse je prind, pa dyshim që dëshiron ta mbrosh familjen nga problemet morale dhe shpirtërore që kanë pllakosur botën. Por, si ta mbrosh? Ku mund të gjesh drejtim të mençur dhe një shpresë të sigurt për një të ardhme më të mirë? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.
[Shënimi]
^ par. 2 Nga siti në Internet TeensHealth (Shëndeti i adoleshentëve).
[Kutia në faqen 4]
GJITHÇKA PËR PAK EUFORI
Disa njerëz janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të arritur atë gjendje euforie a përhumbjeje. Ndër praktikat më të dëmshme janë thithja e avujve të lëngjeve pastruese, të manikyrit, llakut të mobilieve, benzinës, zamkës, gazit të çakmakëve, bojërave me sprai dhe lëndëve të tjera që avullojnë shpejt. Avujt thithen shpejt nga gjaku dhe japin efekt gati të menjëhershëm.
Praktikë tjetër e dëmshme është abuzimi me ilaçet pa recetë që përmbajnë alkool ose që ndjellin gjumë. Kur merren me doza të larta, këto lëndë ndikojnë te shqisat, sidomos te dëgjimi a shikimi dhe mund të shkaktojnë pështjellim, halucinacione, mpirje e dhembje stomaku.
[Kutia në faqen 5]
TAKTIKA PËR TË GJETUR ILAÇE
«Marifetet për të gjetur ilaçe janë shumë të përhapura tek ata që janë nën varësinë e substancave dhe tek ata që abuzojnë me to,—thotë Physicians’ Desk Reference.—Për të gjetur ilaçe, ata përdorin taktika të tilla, si: thërrasin urgjencën ose bëjnë vizita mjekësore në fund të orarit zyrtar, nuk pranojnë t’i nënshtrohen vizitës së duhur mjekësore, analizave ose të shkojnë te specialisti, ‘humbasin’ vazhdimisht recetat, bëjnë ndryshime në to dhe ngurrojnë të japin dëshmi mjekësore për gjendjen e kaluar shëndetësore ose informacione për t’u lidhur me mjekë të tjerë që e kanë trajtuar. ‘Gjuetia për mjekë’ që të marrin receta të tjera është e zakonshme tek abuzuesit e substancave dhe tek ata që nuk janë kuruar për varësinë e tyre.»
Substancat më të përdorura janë këto të tria:
▪ Substancat me bazë opiumi ose që kanë veti të ngjashme—që rekomandohen për qetësim dhembjesh.
▪ Deprimuesit e sistemit nervor qendror—barbituratet dhe benzodyazepinat që jepen me recetë për ankthin ose për problemet e gjumit (shpesh quhen qetësues).
▪ Stimulantët—jepen për çrregullimin që karakterizohet nga hiperaktiviteti dhe paaftësia për t’u përqendruar, për narkolepsinë (një çrregullim i gjumit) ose për dhjamosjen. *
[Shënimi]
^ par. 24 Këto të dhëna janë nga Instituti Kombëtar për Abuzimin me Substancat, SHBA.
[Kutia në faqen 6]
UDHËZIME PËR PËRDORIMIN E SIGURT TË ILAÇEVE
1. Ndiqni me kujdes udhëzimet e mjekut ose ato të shkuara.
2. Mos e ndryshoni dozën pa folur me mjekun.
3. Mos i lini përgjysmë ilaçet me recetë pa u konsultuar me mjekun.
4. Mos i shtypni e mos i copëtoni hapet nëse nuk ju kanë udhëzuar.
5. Mbani parasysh efektin që mund të kenë ilaçet kur i jepni makinës ose në veprimtaritë e tjera.
6. Informohuni si bashkëvepron ilaçi me alkoolin dhe ilaçet e tjera, me recetë a pa recetë qofshin.
7. Nëse keni abuzuar më parë me ilaçe a me substanca të tjera, thuajani mjekut.
8. Mos pini ilaçet që mjeku ia ka dhënë dikujt tjetër dhe mos ia jepni askujt ilaçet tuaja. *
[Shënimi]
^ par. 36 Bazuar në sugjerimet e Entit të SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet.