Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Nga muzetë nëpër Rusi janë zhdukur rreth 160.000 vepra.»—RIA NOVOSTI, RUSI.
▪ «‘Feniksi’, sonda kozmike e NASA-s që u ul në Mars, ka zbuluar se nga retë e Marsit bie dëborë.»—«NASA MISSION NEWS», SHBA.
▪ «Nga shoferët, motoçiklistët dhe pasagjerët që vdesin në aksidente rrugore në Greqi, 65 për qind nuk janë të lidhur me rrip sigurimi ose nuk kanë vënë kaskë për t’u mbrojtur.»—EIKONES, GREQI.
Ku janë bagazhet?
Humbja e bagazheve gjatë udhëtimeve me avion është diçka e zakonshme. Gazeta International Herald Tribune raporton se më 2007-n «kanë humbur 42 milionë bagazhe, pra 25 për qind më shumë se në 2006-n». Shumica e tyre iu kthyen të zotëve brenda 48 orësh, por 3 për qind, domethënë «një bagazh në 2.000 udhëtarë, nuk u gjet kurrë». Më 2007-n linjat ajrore kanë shpenzuar 3,8 miliardë dollarë për bagazhet e humbura. Disa nga arsyet përse ndodhin këto gjëra janë «volumi i madh për shkak të rritjes së numrit të pasagjerëve, oraret e kufizuara për rinisjen e avionëve», pakujdesia dhe gabimet në etiketim.
Bashkëjetesë mes katolikëve
Revista Population & Sociétés thotë se një studim në Francë nxjerr në pah «rënien e fesë», si një arsye përse kanë ndryshuar jeta dhe normat morale të njerëzve, pavarësisht se cilit besim i përkasin. Për shembull, 88 për qind e të rinjve francezë nga mosha 18 deri në 24 vjeç, thonë se janë katolikë, por 80 për qind e tyre shkojnë në kishë vetëm në raste dasmash, pagëzimesh a funeralesh. Humbja e normave që respektoheshin dikur, pasqyrohet edhe në jetën familjare. Dyzet vjet më parë 1 në10 çifte bashkëjetonte para martesës, ndërsa sot raporti është 9 në 10 çifte. Studimi zbulon edhe se «nga katolikët që shkojnë më rregullisht se të tjerët në kishë, 75 për qind kanë bashkëjetuar para martesës».
Lumë vetëvrasjesh te fermerët indianë
Gazeta The Hindu raporton se që nga viti 2002 në Indi vrasin veten mbi 17.000 fermerë në vit, shpesh duke gëlltitur pesticide. Fermerët përballen me probleme të tilla si: thatësira, rënia drastike e çmimeve të produkteve, rritja e kostos së prodhimit dhe vështirësi për të marrë kredi nga bankat. Prandaj ata u drejtohen huadhënësve që kërkojnë përqindje tepër të larta interesi, e kështu mbyten në borxhe. Për të shlyer huatë ata arrijnë deri aty sa shesin organet. Por, kur kjo dështon dhe duket se s’ka asnjë zgjidhje tjetër, atëherë mijëra provojnë rrugëdaljen e fundit që dinë—vetëvrasjen.
Krokodilë që «flasin» nga brenda vezës
Gazeta The Times e Londrës thotë se «krokodilët e vegjël komunikojnë me njëri-tjetrin nga brenda vezës», dhe sinkronizojnë kështu kohën e çeljes. Studiuesit incizuan zhurmat e krokodilëve të Nilit para se të çelnin. Këto incizime i vunë jashtë një grupi me vezë. Nga brenda, këlyshët reaguan ndaj zhurmave duke lëvizur vezën më shpesh se këlyshët e tjerë që nuk e kishin dëgjuar incizimin. Artikulli thotë: «Ata që dëgjuan zhurmat e krokodilëve të tjerë në vezë çelën shumë afër në kohë me njëri-tjetrin, brenda 10 minutash.» Këlyshët që gjendeshin në ambient të qetë ose që dëgjonin zhurma të zakonshme nuk e koordinuan daljen nga veza.