Pse nuk u pëlqej vajzave?
Të rinjtë pyesin
Pse nuk u pëlqej vajzave?
Po ia fitoj zemrën. I kam treguar gjithçka për veten: sa në gjendje jam, vendet ku kam qenë, njerëzit që njoh. Me siguri ajo vdes që të lidhemi bashkë.
Do të doja t’ia mbathja një orë e më parë! Nuk e kupton që po përpiqem t’ia mbyll me lezet. Si t’i jap fund muhabetit pa u treguar e paedukatë?
JE NË moshë për t’u lidhur me dikë. Do të doje të gjeje një vajzë që të pëlqen dhe që ka të njëjtat bindje fetare me ty. (1 Korintasve 7:39) Por, sa herë je munduar të nisësh një lidhje, të është dukur dështim total.
Çfarë duhet të mbash parasysh nëse dëshiron të njohësh më mirë një vajzë? Cilat parime biblike është mirë t’i kujtosh vetes?
Hapi i parë
Para se t’ia vësh syrin një vajze, duhet të kesh disa gjëra bazë që do të të ndihmojnë edhe për të zënë shoqëri me këdo. Mendo për aspektet e mëposhtme.
▪ Ji i sjellshëm. Bibla thotë se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». (1 Korintasve 13:5) Sjellja e mirë tregon se i respekton të tjerët dhe po piqesh duke zhvilluar një personalitet si i Krishtit. Por ama, sjellja e mirë nuk është një kostum që e vesh për t’u bërë përshtypje të tjerëve dhe e zhvesh sa fut këmbët në shtëpi. Pyete veten: «A sillem mirë me familjarët?» Nëse jo, mirësjellja jote do të duket artificiale kur ke të bësh me njerëz të tjerë. Mos harro: për të zbuluar ç’njeri je në të vërtetë, një vajzë e zgjuar sheh me kujdes si i trajton ata të shtëpisë.—Efesianëve 6:1, 2.
Ja çfarë thonë vajzat: «Më tërheq shumë kur një djalë tregon mirësjellje edhe në gjëra të vogla, si *
për shembull, të hapë derën që unë të kaloj përpara, edhe në gjëra më të mëdha, duke qenë i sjellshëm dhe i vëmendshëm jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj familjarëve të mi.»—Tina, 20 vjeçe.«Kur dikush që sapo e kam njohur, ia nis me pyetje tepër personale, si: ‘A ke ndonjë lidhje?’ ose ‘Çfarë synimesh ke?’, atëherë më del nga qejfi. Duket pa pikë takti dhe më vë në siklet.»—Keti, 19 vjeçe.
▪ Kujdesu për higjienën personale. Higjiena e mirë nuk tregon respekt vetëm për të tjerët, por edhe për veten. (Mateu 7:12) Kur ti e respekton veten, ka më shumë mundësi që të tjerët të të respektojnë ty. Nga ana tjetër, po ta lësh pas dore higjienën, po i ul pikë vetes teksa përpiqesh të fitosh simpatinë e një vajze.
Ja çfarë thonë vajzat: «Një djali që interesohej për mua i vinte shumë erë goja. Kjo më bezdiste tepër aq sa s’e kapërceja dot.»—Keli, 24 vjeçe.
▪ Mëso të bashkëbisedosh. Baza e një lidhjeje të qëndrueshme është komunikimi i mirë. Kjo kërkon të mos diskutosh vetëm për gjërat që të interesojnë ty, por edhe për ato që i interesojnë tjetrit.—Filipianëve 2:3, 4.
Ja çfarë thonë vajzat: «Një djalë më bën për vete nëse di të bisedojë lirshëm me mua, kur i mban mend gjërat që i kam thënë dhe bën pyetje që e mbajnë gjallë bisedën.»—Kristina, 20 vjeçe.
«Mendoj se djemtë tërhiqen nga ajo që shohin, kurse vajzat tërhiqen më shumë nga ajo që dëgjojnë.»—Laura, 22 vjeçe.
«Dhuratat janë fantastike. Por, kur një djalë ke qejf ta dëgjosh tek bisedon, kur të qetëson e të jep zemër me fjalët e tij . . . do të ishte yll fare! Kjo po që ia vlen.»—Emi, 21 vjeçe.
«Do të kisha dëshirë ta njihja më mirë dikë po të kishte humor, por të dinte të bisedonte edhe për gjëra më serioze, pa u dukur njeri fallso.»—Keli, 24 vjeçe.
Këto sugjerime do të të ndihmojnë të kënaqesh me shoqëri të mira. Por, ç’të bësh nëse e ndien se je gati të nisësh një lidhje serioze me një vajzë?
Hapi i dytë
▪ Merr iniciativën. Në rast se ke një shoqe të cilën e admiron dhe mendon se mund të jetë një bashkëshorte e mirë, shprehja interesin. Thuaja hapur dhe qartë çfarë ndien për të. Po, mund të të zënë ethet se mos marrësh «jo» si përgjigje, por fakti që je gati të marrësh iniciativën, tregon se je rritur.
Ja çfarë thonë vajzat: «S’ia lexoj dot mendjen tjetrit. Në qoftë se ndonjëri dëshiron të njihet me mua, duhet të tregohet i sinqertë dhe të ma thotë hapur.»—Nina, 23 vjeçe.
«Është e sikletshme nëse kemi qenë shokë. Por do ta vlerësoja dikë po të më thoshte thjesht që dëshiron të më njohë më mirë, jo vetëm si shoqe.»—Helena, 25 vjeçe.
▪ Respekto vendimin e vajzës. Po sikur shoqja jote të thotë se nuk dëshiron të nisë një lidhje më serioze me ty? Tregoji se e respekton duke besuar se ajo e njeh zemrën e saj dhe se jo-ja e saj do të thotë jo. Do të tregoje papjekuri po t’i qepeshe si rrodhe. Vërtet, po ta shpërfillësh refuzimin e qartë të një vajze, madje të acarohesh që ajo të refuzoi, po mendon për interesat e saj apo për të tuat?—1 Korintasve 13:11.
Ja çfarë thonë vajzat: «Më ngrihen nervat kur i them një djali një jo të prerë dhe ai provon prapë.»—Klara 20 vjeçe.
«I shpjegova një djali se nuk më interesonte, por ai e donte se s’bën numrin tim të telefonit. Doja të tregohesha e sjellshme.
Në fund të fundit, për të s’duhej të ishte e lehtë të merrte guximin të më shprehte çfarë ndiente. Por përfundimisht m’u desh të isha shumë e prerë me të.»—Sara, 23 vjeçe.Çfarë të mos bësh?
Disa djem mendojnë se mund ta fitojnë kollaj simpatinë e vajzave. Madje bëjnë garë me shokët se kush do të bëjë për vete më shumë vajza. Sidoqoftë, kjo konkurrencë është mizore dhe do të të hapë nam të keq. (Proverbat 20:11) Mund ta shmangësh këtë pasojë nëse ndjek sugjerimet e mëposhtme.
▪ Mos flirto. Kush flirton, përdor lajka dhe lëvizje e pozicione provokuese. Ai nuk ka ndër mend të nisë një lidhje me qëllim fisnik. Këto veprime dhe qëndrime shpërfillin këshillën e Biblës që t’i trajtosh «më të rejat si motra, me plot dëlirësi». (1 Timoteut 5:2) Ata që flirtojnë nuk janë shokë të mirë dhe si bashkëshortë janë edhe më keq. Vajzat e mençura e dinë këtë.
Ja çfarë thonë vajzat: «Është shumë e papëlqyeshme kur dikush të lajkaton dhe ti e di që po të njëjtat gjëra i ka thënë edhe shoqes sate vetëm një muaj më parë.»—Helena, 25 vjeçe.
«Një djalë i lezetshëm filloi të flirtonte me mua, duke folur kryesisht për veten. Kur një vajzë tjetër u bashkua me grupin tonë, bëri njësoj me të. Edhe kur një e tretë erdhi te ne, përdori të njëjtën taktikë. Sa gjë e shëmtuar!»—Tina, 20 vjeçe.
▪ Mos luaj me ndjenjat e një vajze. Mos prit që shoqëria me një vajzë të jetë njësoj si shoqëria me një djalë. Pse? Mbaj parasysh: nëse i thua një shoku se i shkon kostumi i ri ose flet rregullisht dhe hapesh me të, ai nuk do të mendojë se ke ndonjë interes romantik për të. Por në qoftë se i bën komplimente një vajze për paraqitjen e saj ose flet rregullisht me të dhe i hapesh, ajo fare mirë mund të mendojë se ndien për të.
Ja çfarë thonë vajzat: «Sipas meje djemtë nuk e kuptojnë që me vajzat s’mund të sillen njësoj si me shokët e tyre.»—Shirli, 26 vjeçe.
«Një djalë më merr numrin e telefonit dhe më dërgon një mesazh. E pra . . . çfarë kuptimi ka? Nganjëherë mund të kesh shoqëri nëpërmjet mesazheve dhe të lidhesh emocionalisht, por sa gjëra mund të thuash në një mesazh?»—Mariola, 19 vjeçe.
«Them se një djalë nuk e kupton sa shpejt mund të ndiejë një vajzë, sidomos, nëse ai është tip që kujdeset për të tjerët dhe me të cilin flet rehat. Nuk është puna se ajo vdes të lidhet me dikë. Por mendoj se shumica e vajzave duan të bien në dashuri dhe gjithnjë i kanë sytë e hapura për të gjetur njeriun e duhur.»—Alisa, 25 vjeçe.
Ji realist
Nuk është realiste, madje është diçka egoiste të mendosh se do t’u pëlqesh të gjitha vajzave. Por disave do t’u pëlqesh nëse mban parasysh këtë: ka më shumë rëndësi si je nga brenda, sesa si dukesh nga jashtë. Pra nuk është habi që Bibla thekson nevojën për të zhvilluar «personalitetin e ri».—Efesianëve 4:24.
Keti 21 vjeçe e përmbledh me këto fjalë: «Djemtë mendojnë se do t’i bëjnë për vete vajzat po të vishen me njëfarë stili ose po të jenë disi të pashëm. Edhe pse kjo është deri diku e vërtetë, them se mjaft vajza më tepër tërhiqen prej cilësive të mira të personalitetit.» *
[Shënimet]
^ par. 10 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 38 Shih kapitullin 3 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
PËR TË MENDUAR
▪ Si mund ta tregosh se ke respekt për veten?
▪ Si mund ta tregosh se i respekton mendimet dhe ndjenjat e një vajze?
[Figura në faqen 19]
Sjellja e mirë nuk është një kostum që e vesh për t’u bërë përshtypje të tjerëve dhe e zhvesh sa fut këmbët në shtëpi