Si je me tiroidet?
Si je me tiroidet?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
SARA e vuajti shumë humbjen e fëmijës në tremujorin e parë të shtatzënisë. Rreth një vit më vonë dështoi përsëri. Analizat që bëri, nuk e zbuluan dot shkakun. Me kalimin e viteve, Sara filloi të shtonte në peshë, megjithëse ishte e kujdesshme në të ngrënë dhe bënte rregullisht ushtrime fizike. E kapte edhe ngërçi në të dyja këmbët dhe u bë më e ndjeshme ndaj të ftohtit. Më në fund, analizat e gjakut dhe ekografia e gjëndrës tiroide treguan se ajo vuante nga sëmundja e Hashimotos, ndoshta arsyeja përse dështonte. *
Si shumë të tjerëve, edhe Sarës nuk i kishte vajtur mendja te tiroidi. Por përkeqësimi i shëndetit nxori në pah sa e rëndësishme është kjo gjëndër.
Gjëndra tiroide
Gjëndra tiroide është e vogël, ka formën e një fluture dhe gjendet në pjesën e parme të qafës sapo zbret nga molla e Adamit. Tiroidi formohet nga dy lobe që mbështjellin trakenë dhe e tërë gjëndra peshon më pak se 30 gramë. Ajo është pjesë e sistemit endokrin, i cili përbëhet nga disa organe dhe inde që prodhojnë, mbajnë dhe sekretojnë drejt e në gjak hormone, lajmëtarë kimikë.
Tiroidi përbëhet nga shumë folikula ose qeska të mbushura me lëng veshtullor, ku gjenden hormonet e tiroidit. Këto hormone kanë një përmbajtje të madhe jodi. Në fakt, afro 80 për qind e jodit në trupin e njeriut gjendet në tiroid. Mungesa e ushqimit me jod mund të shkaktojë gushën, pra zmadhimin e tiroidit. Te fëmijët e vegjël, mungesa e jodit mund të pengojë prodhimin e hormoneve dhe për pasojë të vonojë zhvillimin fizik, mendor e seksual. Ky çrregullim njihet si kretinizëm.
Aktiviteti hormonal
Hormonet e tiroidit quhen T3, rT3 (e kundërta e T3), dhe T4. * Si T3 ashtu edhe rT3 vijnë nga T4; ky shndërrim ndodh kryesisht në inde trupore, jashtë tiroidit. Pra, kur trupi ka nevojë për hormone nga tiroidi, gjëndra sekreton T4 në gjak, nëpërmjet të cilit T4 dhe nënproduktet e saj mund të ndikojnë te çdo qelizë e trupit.
Ashtu si pedali i gazit kontrollon shpejtësinë e motorit te makina, ashtu edhe hormonet e tiroidit rregullojnë shkallën e metabolizmit në trupin e njeriut (metabolizëm quhet aktiviteti kimik i qelizave që prodhon energji dhe inde të reja). Pra, hormonet e tiroidit nxitin rritjen dhe ripërtëritjen normale të indeve, ndikojnë në ritmin e zemrës dhe kujdesen që të prodhohet energji për muskujt dhe për nxehtësinë trupore.
Hormonet e tiroidit kanë edhe funksione të tjera të rëndësishme. Për shembull, ato ndihmojnë mëlçinë që të heqë nga gjaku trigliceridet e tepërta dhe lipoproteinat me dendësi të ulët, që quhen kolesterol i dëmshëm. Kolesteroli çohet në lëngun e tëmthit dhe prej atje në jashtëqitje. Nga ana tjetër, mangësia e madhe e hormoneve të tiroidit mund të shkaktojë rritjen e kolesterolit të dëmshëm dhe pakësimin e lipoproteinave me dendësi të lartë, pra kolesterolit të dobishëm.
Në aparatin tretës, hormonet e tiroidit përshpejtojnë sekretimin e lëngjeve tretëse, si dhe rritin kontraktimet ritmike në formë vale të muskujve (peristaltika) të këtij aparati. Kështu, tepria në hormone të tiroidit mund të shkaktojë lëvizje të shpeshta të zorrëve, ndërsa mungesa, kapsllëk.
Nga kontrollohet tiroidi?
Gjëndra tiroide kontrollohet nga një pjesë e trurit që quhet hipotalamus. Kur hipotalamusi «kupton» nevojën për hormone të tiroidit, sinjalizon gjëndrën e hipofizës aty pranë, në bazën e trurit, sipër qiellzës. Atëherë, hipofiza çliron një hormon nxitës (TSH) në gjak për t’i «thënë» tiroidit që «t’i futet punës».
Kështu, duke analizuar nivelet e TSH-së dhe të hormoneve të tiroidit në gjak, mjekët mund të përcaktojnë gjendjen dhe funksionimin e tiroidit. Kjo është e rëndësishme pasi mund të lindin probleme.
Kur tiroidi ka probleme
Keqfunksionimi i tiroidit mund të vijë si pasojë e mungesës së jodit në ushqim, lodhjes fizike, stresit mendor, defekteve gjenetike, infeksioneve, sëmundjeve (sidomos atyre autoimunitare) ose efekteve anësore të ilaçeve që përdoren për të kuruar sëmundje të ndryshme. * Zmadhimi i tiroidit (gusha ose ndryshe struma) mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundjeje. Zmadhimi mund të jetë i përgjithshëm ose në formë nyjash. Ndonëse në përgjithësi strumat janë beninje, ato gjithnjë duhen kontrolluar nga mjeku pasi mund të jenë simptoma të ndonjë sëmundjeje më serioze, si për shembull të kancerit. *
Zakonisht tiroidi i sëmurë prodhon hormone me tepri ose me pakicë. Prodhimi me tepri quhet hipertireozë, ndërsa prodhimi me pakicë, hipotireozë. Sëmundja e tiroidit përparon ngadalë dhe pa rënë në sy, pra dikush mund të vuajë prej vitesh e të mos e kuptojë. Si me shumicën e sëmundjeve, edhe në këtë rast, kur ajo kapet herët, rezultatet janë më të mira.
Çrregullimet më të zakonshme të tiroidit janë
sëmundja e Hashimotos dhe sëmundja e Gravesit. Që të dyja janë sëmundje autoimunitare—quhen kështu pasi sistemi imunitar sulmon qeliza të shëndetshme duke kujtuar se janë inde të huaja. Sëmundja e Hashimotos është gjashtë herë më e përhapur te gratë se te burrat, dhe zakonisht shkakton hipotireozë. Sëmundja e Gravesit është tetë herë më e përhapur te gratë se te burrat dhe zakonisht shkakton hipertireozë.Për pyetjen se sa shpesh duhet bërë kontrolli i tiroidit, ka opinione të ndryshme. Megjithatë, bërja e analizave te të porsalindurit në përgjithësi mendohet se është e rëndësishme. (Shih kutinë «Analizë e rëndësishme për të porsalindurit».) Nëse analizat tregojnë se tiroidi ka aktivitet të ulët, zakonisht rekomandohen analiza për të gjetur antitrupat që sulmojnë gjëndrën. Nga ana tjetër, nëse analiza tregon se ka aktivitet të lartë, zakonisht bëhet një shintigrafi (ekzaminim ku përdoret jodi radioaktiv), me kusht që pacienti të mos jetë grua shtatzënë apo që ushqen me gji. Kur zbulohen nyjëza në tiroid mund të nevojitet biopsia për t’u siguruar që nuk bëhet fjalë për masa malinje.
Kur nevojitet kurimi
Kurimi mund t’i lehtësojë simptomat e hipertireozës, të tilla si: rrahjet e shpeshta të zemrës, dridhjet e muskujve dhe ankthin. Një mënyrë tjetër trajtimi është asgjësimi i qelizave të tiroidit për të pakësuar kështu prodhimin e hormoneve. Ndonjëherë nevojitet që gjëndra tiroide të hiqet e tëra me ndërhyrje kirurgjike.
Për pacientët që vuajnë nga hipotireoza ose që kanë hequr tiroidin, zakonisht mjekët rekomandojnë doza ditore me hormonin T4. Për të përcaktuar sasinë e duhur, ata ndjekin mbarëvajtjen e pacientit gjatë kurimit. Kanceri i tiroidit mund të trajtohet në disa mënyra, si për shembull me ilaçe, operacion, kimioterapi, dhe jod radioaktiv.
Sara është përmirësuar duke marrë hormonin T4, dhe duke planifikuar një dietë të ekuilibruar me ndihmën e një dietologeje. Edhe të tjerë si Sara kanë mësuar se gjëndra tiroide mund të duket e vogël, por ka rëndësi të madhe. Pra, kujdesu edhe ti për tënden—ha ushqim të shëndetshëm që ka mjaft jod, përpiqu të mos stresohesh dhe bëj gjithë sa mundesh që, në përgjithësi, të mbash një gjendje të mirë shëndetësore.
[Shënimet]
^ par. 3 Megjithëse tiroidi me aktivitet të ulët mund të shkaktojë komplikacione gjatë shtatzënisë, shumica e grave që vuajnë nga tiroidi lindin fëmijë të shëndetshëm. Sidoqoftë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që nëna të trajtohet me hormone, pasi në fillim fëmija i palindur i merr hormonet e tiroidit vetëm nëpërmjet saj.
^ par. 9 T3 është trijodotironina dhe T4, është tiroksina. Numrat 3 dhe 4 janë numrat e atomeve të jodit në hormon. Tiroidi prodhon gjithashtu kalcitoninë, hormon që ndihmon rregullimin e sasisë së kalciumit në gjak.
^ par. 17 Zgjohuni! nuk mbështet asnjë terapi specifike. Nëse dyshon se ke ndonjë problem me tiroidin, konsultohu me ndonjë mjek me përvojë në parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
^ par. 17 Rreziku i kancerit është më i madh tek ata që janë trajtuar me rreze në kokë dhe në qafë, që kanë pasur probleme me kancerin në të kaluarën ose kanë të afërm me kancer në tiroid.
[Diçitura në faqen 27]
Ashtu si pedali i gazit kontrollon shpejtësinë e motorit te makina, ashtu edhe hormonet e tiroidit rregullojnë shkallën e metabolizmit në trupin e njeriut
[Diçitura në faqen 29]
Sëmundja e tiroidit përparon ngadalë dhe pa rënë në sy, pra dikush mund të vuajë prej vitesh e të mos e kuptojë
[Kutia dhe figura në faqen 28]
SIMPTOMAT E ZAKONSHME
Hipertireoza: Nervozizëm i tepruar, rënie e pashpjegueshme në peshë, rrahje të shpeshta të zemrës, shtim i lëvizjeve të zorrëve, çrregullime të menstruacioneve, acarim, ankth, luhatje të humorit, sy të dalë, debulesë muskujsh, pagjumësi dhe flokë të hollë e delikatë. *
Hipotireoza: Plogështi mendore e fizike, shtim peshe i pashpjegueshëm, rënie flokësh, kapsllëk, ndjeshmëri e jashtëzakonshme ndaj të ftohtit, çrregullime të menstruacioneve, depresion, ndryshim të zërit (trashje ose ngjirje), humbje të kujtesës dhe lodhje.
[Shënimi]
^ par. 36 Prapa disa simptomave mund të fshihet ndonjë problem tjetër shëndetësor, prandaj, nëse nuk ndiheni mirë, këshillohuni patjetër me mjekun!
[Kutia në faqen 28]
ANALIZË E RËNDËSISHME PËR TË PORSALINDURIT
Vetëm pak pika gjak nga i porsalinduri mund të tregojnë nëse fëmija vuan nga ndonjë anomali e tiroidit. Nëse nga analizat mësohet se ka ndonjë problem, atëherë mjekët mund të marrin hapa për ta kuruar. Kur mungon sasia e duhur e hormoneve të tiroidit, fëmija mund të mbetet i vonuar mendërisht dhe fizikisht, kjo anomali quhet kretinizëm. Prandaj këto analiza bëhen zakonisht vetëm pak ditë pas lindjes.
[Kutia dhe figura në faqen 29]
A USHQEHESH SIÇ DUHET?
Të ushqyerit siç duhet mund të parandalojë problemet me tiroidin. Për shembull, a përmban dieta jote ushqim me jod të mjaftueshëm: jodi është i domosdoshëm për prodhimin e hormoneve të tiroidit. Një mënyrë e shkëlqyer për të marrë këtë element jetik është ngrënia e peshqve të ujërave të kripura, si dhe e frutave të detit. Sasia e jodit në zarzavate dhe mishra ndryshon në varësi të përbërjes kimike të tokës. Për të kompensuar mungesën e këtij elementi në ushqim, disa qeveri kërkojnë që jodi t’i shtohet artificialisht kripës së gjellës.
I rëndësishëm për tiroidin është edhe seleni. Ky element shumë i paktë në organizëm është pjesë e enzimës që shndërron hormonin T4 në T3. Sasia e selenit në zarzavate, mish dhe qumësht varet prapë nga përbërja kimike e tokës. Frutat e detit dhe arrat e Brazilit kanë me bollëk këtë element. Nëse dyshon se ke ndonjë problem me tiroidin konsultohu me mjekun: mos u mundo të kurohesh vetë.
[Diagrami në faqen 28]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Trakea
Laringu (molla e Adamit)
Tiroidi
Trakea