Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të kesh kujdes sa rri në diell?

A duhet të kesh kujdes sa rri në diell?

A duhet të kesh kujdes sa rri në diell?

«Ndërkohë që shtresa e ozonit sa vjen e hollohet dhe njerëzit anembanë botës kërkojnë çdo rast të zbaviten në diell, rreziku i problemeve shëndetësore nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV [ultravjollcë] po bëhet një shqetësim i madh për shëndetin publik.»—DR. LI JONG-UKU, ISH-DREJTOR I PËRGJITHSHËM I ORGANIZATËS BOTËRORE TË SHËNDETËSISË.

MARTININ, një bardhosh nga Evropa Veriore, e zuri gjumi nën hijen e çadrës, në bregdetin italian. Kur u zgjua, pa se hija kishte lëvizur dhe këmbët nuk i kishte më të bardha, por të kuqe flakë nga përcëllimi. «M’u desh të shkoja në urgjencën e spitalit,—thotë Martini.—Këmbët më ishin bërë trung dhe më ishin fryrë si salsiçe. Dy-tri ditë pata dhembje të tmerrshme. As nuk ngrihesha dot dhe as nuk i përkulja dot këmbët. Lëkura ishte aq e tendosur sa kisha frikë mos çahej.»

Shumë veta mendojnë se vetëm njerëzit bardhoshë si Martini duhet të kenë frikë nga dielli. Megjithatë, ndonëse zeshkanët janë më të mbrojtur ndaj djegies nga dielli, edhe ata mund t’i zërë kanceri i lëkurës. Shpesh tek ata kanceri kapet vetëm kur ka përparuar në fazë të rrezikshme. Rreziqe të tjera që lidhen me ekspozimin e tepërt në diell janë dëmtimi i syve dhe i sistemit imunitar, probleme që diktohen vite pasi dëmi është bërë.

Sigurisht, sa më shumë t’i afrohesh ekuatorit, në përgjithësi, aq më i lartë është rrezatimi UV. Pra, ata që jetojnë në vendet tropikale dhe subtropikale, si dhe ata që udhëtojnë në këto vende, duhet të marrin edhe më shumë masa mbrojtëse. Një arsye është se, siç thuhet, shtresa mbrojtëse e ozonit në atmosferë është bërë më e hollë vitet e fundit. Le të trajtojmë disa nga rreziqet që vijnë po të rrimë shumë në diell.

Dëmton sytë

Rreth 15 milionë njerëz në mbarë botën janë verbuar për shkak të kataraktit ose perdes së syrit, shkaku kryesor i verbërisë në botë. Perdja e syrit krijohet kur proteinave të kristalinit të syrit u prishet struktura, mblidhen lëmsh dhe grumbullojnë pigmente që mjegullojnë kristalinin. Perdja e syrit është një nga pasojat afatgjata të ekspozimit ndaj rrezatimit ultravjollcë. Sipas llogaritjeve, 20 për qind e perdeve të syrit shkaktohen ose përkeqësohen nga ekspozimi i vazhdueshëm në diell.

Mjerisht, i ashtuquajturi brezi gjeografik i perdes së syrit pranë ekuatorit përfshin vendet në zhvillim ku shumica janë të varfër. Prandaj, miliona njerëz të varfër në Afrikë, Azi dhe Amerikën Qendrore e Jugore janë të verbër ngaqë nuk paguajnë dot operacionin për të hequr perden.

Dëmton lëkurën

Një e treta e rasteve të diagnostikuara me kancer në botë janë në lëkurë. Sipas të dhënave, çdo vit numërohen nja 130.000 raste të reja me melanomë, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës. Gjithashtu numërohen dy a tre milionë raste të reja të llojeve të tjera të kancerit të lëkurës, të tilla si karcinoma me qeliza bazale dhe karcinoma me qeliza skuamoze (spinoqelizore). Llogaritet se çdo vit vdesin nja 66.000 veta nga kanceri i lëkurës. *

Si ta dëmtojnë rrezet e diellit lëkurën? Pasoja më e shpejtë dhe më e zakonshme e ekspozimit në diell është djegia ose eritema. Pasojat e saj të menjëhershme mund të zgjatin për ditë e ndër to mund të jenë flluskat dhe rrjepja e lëkurës.

Kur digjet lëkura, rrezet UV vrasin shumicën e qelizave të shtresës së jashtme të lëkurës dhe dëmtojnë shtresat më të thella. Çdo ndryshim në ngjyrën e lëkurës, si pasojë e ekspozimit në diell, është shenjë dëmtimi. Kanceri mund të vijë kur dëmtohet ADN-ja e gjeneve që drejtojnë rritjen dhe ndarjen e qelizave të lëkurës. Gjithashtu rrezet e diellit e thajnë lëkurën dhe bëjnë të humbasë elasticitetin. Si pasojë, lëkura rrudhoset e varet para kohe, si dhe mavijoset kollaj.

Dëmton sistemin imunitar

Studimet kanë treguar se kur lëkura thith tepër rreze ultravjollcë, veprimtaria e disa pjesëve të sistemit imunitar dëmtohet. Kjo mund të dobësojë aftësinë e trupit për t’u mbrojtur nga disa sëmundje. Është parë se edhe po të rrish me masë në diell, rritet rreziku i infeksioneve nga bakteret, viruset, kërpudhat ose nga parazitët. Shumë njerëz vërejnë se, kur rrinë në diell, herë pas here u bëhen buzët me flluska të vogla ose, siç quhen, me herpes. Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) shpjegohet se një kategori e rrezeve ultravjollcë, e njohur si UVB, «me sa duket, ul efektshmërinë e sistemit imunitar. Në rastin e herpesit të buzëve, virusi Herpes simpleks nuk mbahet më nën kontroll, dhe kjo çon në riaktivizimin e infeksionit».

Prandaj, kur bëhet fjalë për kancerin, rrezet e diellit japin një grusht shkatërrimtar të dyfishtë. Së pari, dëmtojnë ADN-në dhe së dyti, ulin aftësinë e sistemit imunitar për ta luftuar këtë dëmtim.

Duhet të tregohemi të mençur dhe të marrim masa mbrojtëse që të mos rrimë tepër në diell. Shëndeti ynë, madje vetë jeta jonë, mund të jetë në rrezik.

[Shënimi]

^ par. 10 Për një shqyrtim të kancerit të lëkurës, shih Zgjohuni! të 8 qershorit 2005, faqet 3-10.

[Kutia në faqen 11]

SI TË MBROHENI?

▪ Kufizojeni qëndrimin në diell paradite nga ora 10.00 deri në orën 16.00 kur rrezet UV janë më të forta.

▪ Përpiquni të rrini në hije.

▪ Mbulojini krahët dhe këmbët me rroba të lirshme, por të thurura shtrënguar.

▪ Vini kapele me strehë të gjerë për të mbrojtur sytë, veshët, fytyrën dhe zverkun.

▪ Syzet cilësore të mbyllura edhe anash, që sigurojnë nga 99 deri në 100 për qind mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB (lloje të rrezeve ultravjollcë) do të ulin mjaft rrezikun e dëmtimit të syve.

▪ Përdorni dhe vini sërish bollshëm çdo dy orë, produkte kozmetike që ju mbrojnë nga lloje të ndryshme rrezesh, me faktor mbrojtës të paktën 15.

▪ Meqë dhe llambat ose shtretërit për nxirje artificiale shfrytëzojnë rrezatimin UV, që mund të dëmtojë lëkurën, OBSH-ja këshillon të mos përdoren.

▪ Tregoni kujdes sidomos për foshnjat dhe fëmijët e vegjël që kanë lëkurë tepër delikate.

▪ Kurrë të mos ju zërë gjumi në diell.

▪ Nëse ju del ndonjë nishan, qukë ose njollë që ju bën merak, shkoni te mjeku.