Aborti s’është rrugëdalje pa telashe
Aborti s’është rrugëdalje pa telashe
BILLIN e kishin edukuar me mendimin se aborti ishte mëkat i rëndë, njësoj si vrasja. Por qëndrimi i tij i vendosur prej disa dekadash u zbut në vitin 1975 kur u gjend vetë përballë këtij vendimi. E dashura e tij, Viktoria, mbeti shtatzënë dhe Billi nuk donte të merrte mbi shpatulla angazhimin e martesës dhe përgjegjësinë e prindit. «Menjëherë vendosa për zgjidhjen më të leverdisshme,—pranoi Billi,—dhe i thashë Viktorias se duhej të abortonte.»
Ajo që Billi e quajti zgjidhje të leverdisshme për një shtatzëni të paplanifikuar dhe të padëshiruar nuk është diçka e pazakontë. Nga një studim botëror në vitin 2007 u raportua se më 2003-shin, në mbarë botën, u kryen rreth 42 milionë aborte të vullnetshme. Gratë që abortojnë vijnë nga çdo racë e komb, nga lloj-lloj fesh, nga çdo nivel ekonomik e arsimor dhe nga çdo moshë, që nga puberteti e deri te menopauza. Çfarë do të bënit nëse do të gjendeshit përballë një shtatzënie të padëshiruar? Pse kaq shumë veta zgjedhin abortin?
«Më dukej e vetmja rrugëzgjidhje»
«Sapo kisha kaluar një shtatzëni të tmerrshme dhe një lindje të vështirë. Kishim edhe një mal me probleme ekonomike e gjithë atë stres në familje,—tregon një grua 35-vjeçare.—Kur ja, gjashtë javë pasi kisha lindur, mbeta prapë shtatzënë. Vendosëm të abortoja. Me zemër e dija se ishte e gabuar, por më dukej e vetmja rrugëzgjidhje.»
Gratë abortojnë për gjithfarë arsyesh, duke filluar që nga problemet ekonomike e deri te ndonjë marrëdhënie e dështuar a mbase e dhunshme, për të prerë çdo lidhje me atin e fëmijës. Në disa raste shtatzënia thjesht bie ndesh me planet e gruas ose të çiftit.
Nganjëherë aborti zgjidhet për të ruajtur reputacionin. Një rast të tillë përmend dr. Suzana Uiklundi në librin e saj Ky sekret kaq i përhapur: Përvoja ime si mjeke abortesh (anglisht). Një paciente e saj që donte të abortonte i tha: «Prindërit e mi janë shumë fetarë. . . . Po të lindja një fëmijë jashtë martese, do t’u vija një njollë. Kjo do t’u tregonte gjithë miqve të tyre se e bija ka mëkatuar.»
Dr. Uiklundi e pyeti: «Mirë, në sytë e tyre ti ke mëkatuar, por çfarë mendojnë ata për abortin?» Vajza pohoi: «Eh, aborti. Është krejt i pafalshëm, por është e keqja më e vogël, se do të mbetej sekret. Po të abortoj, miqtë [e prindërve të mi] në kishë nuk do ta marrin vesh kurrë.»
Pavarësisht nga rrethanat, zakonisht vendimi për t’i dhënë fund me dashje një shtatzënie nuk është i lehtë. Shpesh është tejet i dhembshëm. Por, a është aborti rrugëdalje pa telashe?
Shqyrtoni pasojat
Nga një studim i vitit 2004 me 331 gra ruse dhe 217 amerikane që kishin bërë abort, u pa se gati gjysma e tyre ndiheshin keq emocionalisht pas abortit. Gati 50 për qind e ruseve dhe thuajse 80 për qind e amerikaneve ndiheshin fajtore. Mbi 60 për qind e grave amerikane ‘nuk ia falnin dot vetes’. Meqë ndjenja e fajit mundon kaq shumë gra, madje edhe ato që nuk e quajnë veten fetare, përse kaq shumë vajza ende abortojnë?
Shpesh atyre u bëhet presion i fortë. Prindërit, partneri ose miq që nisen nga e mira i nxitin të abortojnë, duke e parë abortin si të keqen më të vogël. Kjo mund të çojë në vendime të nxituara e jo të mirinformuara. «Megjithatë, pasi ka kaluar stresi i vendimit dhe është kryer aborti,—shpjegon dr. Prishila Kolmani, specialiste e rreziqeve të abortit në shëndetin mendor,—grave u kthehet në normalitet gjykimi, dhe shpesh kjo shoqërohet me ndjenja të theksuara faji, trishtimi dhe pendimi.»
Ky pendim zakonisht përqendrohet te pyetja: a i dha fund aborti një jete që tashmë ekzistonte? Në një raport të Ekipit të Dakotës së Jugut për Studimin rreth Abortit nxirrej përfundimi se shumë gra shtatzëna që mendonin për abortin «ishin mashtruar nga mendimi se po u hiqnin veç ‘një ind’ dhe thanë se nuk do të abortonin, po t’u kishin thënë të vërtetën».
Pas një vlerësimi të «dëshmisë befasuese e të dhembshme» të 1.940 grave që kishin abortuar, studimi nxori këtë përfundim: «Shumë prej këtyre grave janë të zemëruara nga pikëllimi që ndiejnë për humbjen e një fëmije që u kishin thënë se nuk kishte ekzistuar kurrë.» Gjithashtu thuhej se «dëmi psikologjik që i sjell dijenia se ka vrarë fëmijën e vet shpesh është shkatërrimtar».
Cila është e vërteta? A është aborti vetëm heqja e një indi nga trupi i gruas shtatzënë? A mund të quhet fëmija i palindur njeri i gjallë kur është në barkun e nënës?
[Kutia dhe figurat në faqen 4]
LINDJA PËRBALLË ABORTIT
Gjatë një studimi të vitit 2006, u shqyrtua historia e jetës së shumë grave që kishin mbetur shtatzënë në adoleshencë. Gjysma e tyre lindën, kurse gjysma tjetër abortuan. Nga studimi u arrit në përfundimin se «në krahasim me abortin, lindja e fëmijës shoqërohej me më pak gjasa për vizita te psikologu, me më pak probleme me gjumin dhe probabilitet më të ulët për të pirë marihuanë».—Buletini për të rinjtë dhe adoleshentët, anglisht.
Një raport tjetër dha «rezultatet e katër studimeve më të mëdha në botë të bazuara në informacione të dokumentuara». Çfarë zbuluan këto studime? «Gratë që kanë abortuar kalojnë më shumë probleme të formave të ndryshme të shëndetit mendor, në krahasim me gratë që nuk kanë abortuar.»—Raport i Ekipit të Dakotës së Jugut për Studimin rreth Abortit—2005.