Ndihmojini fëmijët ta nisin mbarë jetën
Ndihmojini fëmijët ta nisin mbarë jetën
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA
▪ «Televizori mund të jetë një mjet i mrekullueshëm mësimi»,—thotë një artikull në gazetën The New York Times. Megjithatë, «ndenjja pasive para ekranit për orë të tëra po i kushton trupit dhe mendjes së fëmijëve», duke u grabitur mundësitë që zhvillojnë krijimtarinë, dijen, si dhe aftësitë që nevojiten për marrëdhëniet shoqërore.
Sipas gazetës, pasi studiuan zakonet e 2.500 fëmijëve lidhur me shikimin e televizorit, studiuesit në Spitalin e Fëmijëve në Sietl, Uashington, SHBA, «zbuluan se, sa më shumë shihnin televizor fëmijët e moshës një deri trevjeçare, aq më shumë rrezikonin të kishin probleme me përqendrimin në moshën shtatëvjeçare». Këta bëheshin gjithnjë e më agresivë e të paduruar. Veç kësaj koha e përqendrimit sa vinte e zvogëlohej. Sipas dr. Xhejn M. Hilit, psikologe në fushën e arsimit, «shumë prindër me fëmijë të diagnostikuar me çrregullimin e mungesës së përqendrimit, zbuluan se ky problem u përmirësua ndjeshëm kur nuk i lanë më të shihnin televizor».
Ç’mund të bëjnë prindërit për të zvogëluar kohën që fëmijët kalojnë para televizorit? Gazeta jepte sugjerimet e mëposhtme: vini kufij se kur dhe sa mund të shohin fëmijët televizor çdo ditë. Mos e përdorni televizorin si dado, por përfshijeni fëmijën në punët e shtëpisë sa më shumë të jetë e mundur. Përzgjidhni programet që mund të shohë fëmija dhe fikeni televizorin me të mbaruar programi i zgjedhur. Sa herë të jetë e mundur, ndiqeni programin e zgjedhur me fëmijën dhe diskutoni për atë që shihni. Së fundi, kufizoni kohën që ju vetë shihni televizor.
Zhvillimi i krijimtarisë dhe i aftësive që ndihmojnë në marrëdhëniet shoqërore kërkon kohë, vendosmëri dhe vetëdisiplinë. Por për rezultatet e mira që arrihen, ia vlen barra qiranë. Këtë e tregon edhe një proverb i lashtë që thotë: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» (Proverbat 22:6) Pjesë e pandashme e kësaj stërvitjeje është edhe t’u mësosh fëmijëve vlerat e duhura morale.
Për t’u ngulitur fëmijëve të tyre mësime për sjelljen e mirë, Dëshmitarët e Jehovait përdorin librin e botuar prej tyre, Të mësojmë nga Mësuesi i Madh dhe kanë parë se është i efektshëm. Vërtet, komunikimi i mirë dhe vëmendja e dashur që tregojnë prindërit vitet e para të fëmijës, sjellin shpërblime që i qëndrojnë kohës. A ka gëzim më të madh për prindërit sesa të shohin që bijtë e tyre bëhen të rritur të respektuar e të përgjegjshëm?!