Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plovdivi​—Qytet modern me rrënjë të lashta

Plovdivi​—Qytet modern me rrënjë të lashta

Plovdivi​—Qytet modern me rrënjë të lashta

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BULLGARI

PLOVDIVI është më i vjetër se Roma, Kartagjena ose Kostandinopoja. Rreth 350.000 banorë jetojnë në këtë qytet që shtrihet mbi shtatë kodra në jug të Bullgarisë Qendrore.

Po të ecni në rrugët e lashta të qytetit, do të shihni plot dëshmi që flasin për të kaluarën e tij të lavdishme e të trazuar. Syri të zë ndërtime të ngritura nga trakët, popull që kallte tmerr e që jetoi qindra vjet para erës sonë, si edhe kolona greke, teatro romakë dhe minare turke.

«Qyteti më i bukur»

Zbulimet arkeologjike brenda dhe përreth qytetit tregojnë se ai banohej kohë para mijëvjeçarit të parë p.e.s. Historiani romak Amian Marcelini shkroi se, para shekullit të katërt p.e.s., në truallin e Plovdivit të sotëm gjendej një vendbanim trak i fortifikuar, i quajtur Eumolpias. Në vitin 342 p.e.s., Eumolpiasin e pushtoi Filipi II i Maqedonisë, babai i Aleksandrit të Madh. Filipi ia ndryshoi emrin qytetit dhe ia bëri Filipopol.

Kur romakët morën nën kontroll qytetin në vitin 46 të e.s., e quajtën Trimont dhe e bënë kryeqytet të Trakisë. Romakët e mbanin me xhelozi qytetin, ngaqë përmes tij kalonte Via Diagonalis, një rrugë e rëndësishme që kalonte përmes rajonit të Ballkanit. Romakët ngritën një stadium, një amfiteatër (sipër), shumë banja e mjaft ndërtesa të tjera tipike romake.

Luciani, një shkrimtar i lashtë grek, foli për bukurinë e këtij qyteti të ngritur mes tri kodrave rrëzë maleve Rodope. (Shih kutinë  «Qyteti i shtatë kodrave», në faqen 18.) Ai gjendej pranë lumit të Maricës dhe para tij shtriheshin ultësirat pjellore të Trakisë. Luciani shkroi se Trimonti ishte «qyteti më i bukur dhe më madhështor».

Pas rënies së Romës, në të ashtuquajturën Epokë të Errët, popujt sllavë u vendosën në këtë qytet. Në shekujt që pasuan, kryqtarët e plaçkitën qytetin katër herë. Në shekullin e 14-të, ndodhi një ndryshim politik kur qyteti ra në duart e turqve. Ata i dhanë qytetit emrin Filibe dhe mbetën zotër të tij deri në vitin 1878. Xhamia e Xhumasë me minaret dhe orën diellore qëndron si dëshmitare e asaj kohe.

Kur Rusia e mundi Turqinë më 1878-n, emri i qytetit ndryshoi nga Filibe në Plovdiv. Qyteti mori hov ekonomik në vitin 1892 kur u bë një panair. Që prej asaj kohe, Plovdivi u bë qendra kryesore tregtare në Bullgari. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët e zaptuan për pak qytetin, por u dëbuan nga sovjetikët në vitin 1944. Në vitin 1989, kur ra Bashkimi Sovjetik, Plovdivi u çlirua nga dara e një perandorie tjetër të fuqishme. Disa nga sundimtarët e hershëm të Plovdivit mund të kenë qenë të ndershëm, por i pengonte papërsosmëria që karakterizon sundimin nga njeriu.

Plovdivi merr lajmin e mirë

Që në vitin 1938 u krijua dhe u regjistrua një korporatë vendëse me emrin Nabludatelna Kula (Kulla e Rojës). Ajo shtypte dhe shpërndante Bibla dhe botime biblike në Bullgari. Pavarësisht nga orvatjet e qeverisë komuniste për t’i shtypur, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan t’u flitnin banorëve të Plovdivit për lajmin e mirë për një qeveri të përsosur qiellore që do të vijë. (Mateu 24:14) Disa u përgjigjën mirë. Sot, më shumë se 200 veta në Plovdiv besojnë te Jehovai dhe u flasin të tjerëve për të. Ata janë organizuar në dy kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.

Shumica e këtyre Dëshmitarëve janë bullgarë. Por falë historisë shumëkombëshe të qytetit, ndër ta ka edhe njerëz nga shumë kombësi të tjera. Ka amerikanë, anglezë, kanadezë, italianë, moldavë dhe polakë. Të gjithë këta u flasin njerëzve rreth shpresës për të jetuar nën një qeveri të përsosur. Kur të vijë ajo kohë, jo vetëm banorët e Plovdivit, por mbarë bota do të gëzojë siguri «secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë».—Mikea 4:4.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

«QYTETI I SHTATË KODRAVE»

  Sot, vizitorët e Plovdivit me zor i gjejnë shtatë kodrat e famshme të qytetit ose tepet, siç quhen. Para njëqind vjetësh, një nga kodrat, kodra e Markovit, u shemb me zgjerimin e qytetit. Gjashtë kodra qëndrojnë si dëshmitare të heshtura të së kaluarës së lashtë të Plovdivit.

Vizitorët i dallojnë kollaj tri prej tyre: kodrën e Bunarjikut, të Jendemit dhe të Sahatit, e quajtur kështu nga turqit për shkak të kullës me sahat të ngritur aty. Trimonti, siç e quanin romakët Plovdivin, përfshin tri kodrat e tjera: kodrën e Xhambazit, më e madhja dhe më e larta, kodrën e Taksimit dhe të Nebetit, që në turqisht do të thotë «kodra e rojës».

Një shëtitje në zonën e Trimontit të çon në zemër të së kaluarës së Plovdivit, që nga rrënojat dhe muret antike të Filipopolit e deri te teatri romak që shfrytëzohet ende. Me interes janë edhe shtëpitë e mirëmbajtura të periudhës së Rilindjes anash rrugëve të ngushta me kalldrëm.

[Burimi]

© Caro/​Andreas Bastian

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

BULLGARI

SOFJE

Plovdiv

[Burimet e figurave në faqen 17]

Sipër: © Wojtek Buss/​age fotostock; poshtë: David Ewing/​Insadco Photography/​age fotostock