Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse nuk zgjodhëm abortin?

Pse nuk zgjodhëm abortin?

Pse nuk zgjodhëm abortin?

VIKTORIA, e përmendur në artikullin e parë, i tha të dashurit të saj, Billit, se nuk do të abortonte. Ajo tregon: «Mendoja se brenda meje kisha një jetë. Ngaqë e kuptova se, po të rrija me Billin, ai nuk do të më mbështeste gjatë shtatzënisë, e lashë.»

Megjithatë, më vonë Billi ndërroi mendje dhe i kërkoi Viktorias të martoheshin. Por dukej se për ta ishte një stërmundim të kujdeseshin për djalin e sapolindur. «Nuk kishim para. Kishim pak rroba dhe fare pak gjëra,—shpjegon Viktoria.—Billi paguhej pak dhe kishim përfunduar në një apartament sa për të thënë, por nuk u dorëzuam.»

Edhe të tjerë kanë përballuar rrethana të vështira për shkak të ndonjë shtatzënie të paplanifikuar. Gjithsesi, nuk kanë pranuar të bëjnë abort. Si kanë arritur të mos heqin dorë dhe t’ia dalin mbanë pavarësisht nga stresi i rritjes së një fëmije të paplanifikuar a madje të padëshiruar? Sekreti ishte se u kushtuan vëmendje margaritarëve të mençurisë që gjenden në Bibël.

Mos u nxitoni: Bëni plane praktike

Me mençuri Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.»Proverbat 21:5.

Konit, nënë me tre djem, njëri prej të cilëve me kufizime, ideja e një fëmije tjetër i dukej mbytëse. Ajo tha: «Edhe një gojë tjetër për të ushqyer kishim mangut! Prandaj menduam për abortin.» Por, para se të merrte një vendim të nxituar, foli me Kein, një shoqe pune. Kei e ndihmoi të kuptonte se brenda saj kishte një njeri. Atëherë Koni i pa gjërat ndryshe.

Sidoqoftë, Koni kishte nevojë për ndihmë që të bënte një plan. Meqë kishte një teze afër, Kei i tha të fliste me të. Tezja u tregua e gatshme ta ndihmonte. Gjithashtu, i shoqi i Konit filloi të punonte më shumë dhe u transferuan në një apartament më të lirë. Kështu ia dolën të kujdeseshin për të sapoardhurën.

Kei e ndihmoi Konin edhe të gjente disa agjenci që u japin ndihmë atyre që përballen me një shtatzëni të paplanifikuar. Në shumë vende ka agjenci të tilla që u japin ndihmë nënave në nevojë. Për t’u lidhur me to, mund të përdoren Interneti ose numëratorët telefonikë. Mund të duhen mjaft përpjekje për të gjetur ndihmë, por «planet e atij që ngulmon» dalin me sukses.

Pranojeni se është një jetë

Bibla thotë: «Njeriu i mençur i ka sytë në ballë, ndërsa budallai ecën në errësirë të plotë.»—Eklisiastiu 2:14.

Një grua vërtet e mençur nuk i mbyll sytë para realitetit dhe, si të thuash, nuk «ecën në errësirë». Ajo i përdor ‘sytë që ka në ballë’, dhe kjo e ndihmon të gjykojë drejt. Kështu i peshon mirë pasojat e veprimeve të veta. Pra, ndryshe nga ajo që i mbyll sytë para realitetit dhe nuk pranon çfarë po ndodh brenda trupit të saj, gruaja e mençur vepron me dhembshuri të thellë për ta mbrojtur embrionin e gjallë.

Stefania, një vajzë shtatzënë që mendonte të abortonte, pa ekografinë e foshnjës dymuajshe që kishte në bark. «Shpërtheva në lot,—tha Stefania.—Mendova: ‘Pse ta vras diçka që po jeton?’»

Edhe Denisa, një vajzë e re e pamartuar, e pranoi realitetin se po mbante brenda saj një njeri të gjallë. Kur i dashuri i dha para dhe i tha që «ta hiqte qafe», Denisa iu përgjigj: «Ta abortoj? Kurrë!» Ajo nuk pranoi ta vriste foshnjën.

Ç’mund të bëjë frika nga njeriu?

Gratë që nga presioni i të tjerëve mendojnë t’i japin fund shtatzënisë, tregohen të mençura po të reflektojnë për proverbin biblik: «Nëse ke frikë nga njerëzit, mund të futesh në telashe, por, nëse ke besim te ZOTI, do të jesh i mbrojtur.»—Proverbat 29:25, New Century Version.

Monikën shtatëmbëdhjetëvjeçare e la shtatzënë i dashuri kur sapo do të fillonte shkollën për biznes. Ky lajm e dërrmoi të ëmën, vejushë me pesë fëmijë. Ajo donte që e bija të merrte një zanat që të mos vuante ekonomikisht. Nga halli, nëna këmbëngulte që Monika të abortonte. «Kur mjeku më pyeti nëse doja të bëja abort,—tregon Monika,—i thashë: ‘Jo!’»

E tronditur tek shihte se e ardhmja premtuese e Monikës po shkatërrohej dhe tek mendonte për stresin e një fëmije tjetër, nëna e përzuri nga shtëpia. Monika ndenji me tezen. Pas disa javësh, nëna u zbut dhe e lejoi Monikën shtatzënë të kthehej në shtëpi. Ajo e ndihmoi Monikën të kujdesej për foshnjën, Lionin, dhe linte kokën për vogëlushin.

Robinës, një gruaje të martuar, presioni i erdhi nga një drejtim tjetër. «Kur mbeta shtatzënë, mjeku më kuroi për një infeksion në veshka para se të më bënte kontroll për shtatzëni,—tregon ajo.—Më thanë se kishte shumë mundësi që foshnja të lindte me prapambetje të rënda mendore.» Kështu mjeku e nxiti të abortonte. «I shpjegova pikëpamjen e Biblës për jetën,—vazhdon Robina.—I thashë se kurrë nuk do të abortoja.»

Ndonëse meraku i mjekut ishte i kuptueshëm, jeta e Robinës për momentin nuk ishte në rrezik. * «Kur lindi ime bijë dhe i bënë analiza,—shtoi Robina,—u pa se kishte veç një prapambetje të vogël dhe një paralizë të lehtë cerebrale. Ajo bën jetë normale. Tani në moshën 15-vjeçare, po lexon gjithnjë e më mirë. E dua jashtë mase dhe e falënderoj Jehovain shumë herë në ditë që e kam.»

Miqësia me Perëndinë ndikon fuqishëm

Bibla thotë: «Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të.»Psalmi 25:14.

Ajo që i shtyn shumë veta të mos zgjedhin abortin është se marrin parasysh çfarë mendon Krijuesi për këtë çështje. Shqetësimi i tyre kryesor është të gëzojnë miqësinë me Perëndinë dhe të bëjnë atë që i pëlqen atij. Pikërisht ky merak ndikoi mjaft te Viktoria që u përmend më sipër. Ajo tha: «Kisha besim të patundur se jetën e jep Perëndia dhe unë s’kisha të drejtë të merrja një jetë që ai e kishte dhënë.»

Kur Viktoria nisi të studionte Biblën me zell, iu forcua miqësia me Perëndinë. Ajo tha: «Vendimi që ta mbaja fëmijën më bëri të ndihesha shumë më e lidhur me Perëndinë dhe tani doja t’i pëlqeja atij në gjithçka. Kur iu luta Perëndisë për drejtim, çdo gjë vajti mbarë.»

Miqësia me Perëndinë, Burimin e jetës, e thellon respektin për jetën në barkun e nënës. (Psalmi 36:9) Gjithashtu Perëndia mund të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të ndihmojë një grua dhe familjen e saj të përballojnë një shtatzëni të paplanifikuar. (2 Korintasve 4:7) Kur kthejnë kokën prapa, si ndihen për vendimin e tyre ata që e respektuan pikëpamjen e Perëndisë për jetën?

Asnjë pishman

Këta prindër nuk i bren ndjenja e fajit dhe as ndjenja e vazhdueshme e trishtimit dhe e humbjes. Me kalimin e kohës, ata e panë ‘frytin e barkut’ vërtet si një shpërblim, jo si mallkim. (Psalmi 127:3) Koni, e përmendur më sipër, e provoi këtë vetëm dy orë pas lindjes. Gjithë eufori, ajo telefonoi shoqen e punës, Kein, dhe i tha sa e lumtur ishte kur mendonte se do të rriste vajzën e saj të vogël. Shend e verë, Koni shtoi: «Është shumë e vërtetë se Perëndia i bekon ata që bëjnë çka i pëlqen atij.»

Pse vijnë kaq shumë dobi kur respektohet pikëpamja e Perëndisë për jetën? Sepse, si Burimi i jetës, Perëndia vë ligje dhe norma në Bibël «për të mirën [tonë]».—Ligji i përtërirë 10:13.

Sipas Viktorias dhe Billit, përvoja e të cilëve u përmend në hyrje të këtij artikulli dhe të artikullit të parë, vendimi për të mos bërë abort ishte pikë kthese në jetën e tyre. Ata treguan: «E përdornim rëndshëm drogën dhe me siguri do të kishim vdekur po të kishim vazhduar. Por respekti për jetën e foshnjës sonë të palindur na bëri të ndaleshim e të mendonim për jetën tonë. Me ndihmën e Dëshmitarëve të Jehovait ndryshuam.»

Lensi, i biri, tani është rreth 34 vjeç dhe ka 12 vjet i martuar. Lensi shpjegon: «Që nga fëmijëria, prindërit më mësuan të merrja vendime të bazuara në Bibël. Kjo më ka sjellë kaq shumë dobi mua, gruas sime dhe djalit tim, saqë mendojmë se s’mund të ishim më të lumtur.» I ati, i cili në fillim donte që Viktoria të abortonte, tha: «Na ngjethet mishi kur mendojmë se për pak desh e humbëm djalin tonë të shtrenjtë.»

Të kthehemi te Monika që nuk pranoi të bënte abort pavarësisht nga presioni i nënës. «Dy javë pasi linda djalin,—thotë ajo,—takova Dëshmitarët e Jehovait dhe mësova si ta vija jetën në përputhje me ligjet e Perëndisë. Shpejt nisa t’i mësoj tim biri vlerën e bindjes ndaj Perëndisë dhe me kalimin e kohës ai krijoi një dashuri të fortë për Perëndinë. Lioni tani është shërbëtor udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait.»

Duke menduar për atë që bëri e ëma, Lioni tha: «Ngaqë e dija se ajo më deshi aq shumë saqë më la të jetoja pavarësisht nga presioni që pati, doja ta përdorja jetën sa më mirë për t’i treguar Perëndisë sa e çmoja për këtë dhuratë të mrekullueshme.»

Shumë veta që kanë kuptuar pikëpamjen e Perëndisë për jetën, nuk janë bërë pishman që e lanë të jetojë fëmijën që sot e kanë kaq të vyer. Ata mund të thonë nga zemrat që gufojnë plot mirënjohje: «Ne nuk zgjodhëm abortin!»

[Shënimi]

^ par. 20 Nëse në momentin e lindjes duhet bërë një zgjedhje mes jetës së nënës dhe të fëmijës, u takon atyre që preken direkt nga ky vendim të bëjnë zgjedhjen. Sidoqoftë, përparimet në mjekësi kanë bërë që në shumë vende kjo situatë të ndodhë tepër rrallë.

[Figura në faqen 7]

Kur Stefania pa ekografinë e foshnjës dymuajshe brenda saj, mori një vendim

(Vijëzimi është shtuar)

[Figura në faqen 8]

Viktoria dhe Lensi

[Figura në faqet 8, 9]

Viktoria dhe Billi sot me Lensin dhe familjen e tij

[Figura në faqen 9]

Monika dhe i biri, Lioni, janë shumë të lumtur që ajo nuk u dorëzua para presionit për të abortuar 36 vjet më parë