Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta shfrytëzoj kohën me mençuri?

Si ta shfrytëzoj kohën me mençuri?

Të rinjtë pyesin

Si ta shfrytëzoj kohën me mençuri?

«Rastësisht dëgjova dikë që po thoshte me shaka se, po të lije takim me mua në orën katër, duhej të më thoshe të vija në tre që të isha në orar. Aty kuptova se duhej ta shfrytëzoja më mirë kohën.»—Riki. *

SA ORË më shumë do të doje të kishte dita? Për çfarë do ta përdorje këtë kohë shtesë?

□ Për të dalë me shokët

□ Për të fjetur

□ Për të studiuar

□ Për të bërë fizkulturë

□ Për gjëra të tjera ․․․․․

Ndonëse do të ishte fantastike sikur dita të kishte ca orë më shumë, kjo s’ka për të ndodhur. Pra, ç’të bësh? Shumë të rinj kanë parë se, duke e shfrytëzuar kohën me mençuri, kanë gjetur ato orë shtesë që u duheshin aq shumë. Gjithashtu kanë vënë re se, kur nuk e çojnë kohën kot, kanë më pak stres, marrin nota më të mira dhe prindërit kanë më shumë besim tek ata. Le të shohim se si mund të të ndihmojë edhe ty shfrytëzimi i kohës me mençuri.

Vështirësia nr. 1 Të bësh një program

Ç’mund të të pengojë? Vetëm mendimi se duhet të bësh program, të bën të ndihesh si në kafaz. Ti dëshiron të jesh spontan dhe nuk do që të programosh çdo minutë të jetës.

Prapëseprapë, përse duhet? Mbreti Solomon shkroi: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Proverbat 21:5) Pa dyshim, Solomoni ishte shumë i zënë. Ishte bashkëshort, baba dhe mbret—e të gjitha këto ka të ngjarë para moshës 20-vjeçare. Jeta e tij u bë edhe më e ngarkuar më vonë. Po kështu, edhe ti ke plot gjëra për të bërë tani. Por, ndërsa rritesh, rritet edhe ngarkesa. Prandaj, më mirë mëso t’i organizosh punët tani, sesa më vonë.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Para nja gjashtë muajsh fillova të bëja rregullisht një program. Doja t’i bëja gjërat më kollaj dhe me sa dukej, sekreti ishte programi.»—Xhoi.

«Listat më ndihmojnë të ndjek programin. Kur jam më e ngarkuar se zakonisht, bashkë me mamin i shkruajmë të gjitha dhe shohim si ta ndihmojmë njëra-tjetrën që t’i bëjmë punët që kemi.»—Mariola.

Çfarë do të të ndihmojë? Shihe me këtë sy: ta zëmë se do të nisesh për udhëtim. Secili nga familjarët i hedh çantat e veta rrëmujë në bagazhin e makinës. Duket se nuk ka vend për t’i marrë të gjitha. Ç’të bësh? Mund të nxjerrësh gjithçka jashtë dhe t’ia nisësh nga e para, duke vënë në fillim çantat më të mëdha. Pastaj me radhë u gjendet vendi edhe çantave më të vogla.

E njëjta gjë ndodh edhe në jetën tënde. Po ta zësh në fillim kohën me gjërat e vogla, ka rrezik të mos i bësh dot gjërat më të rëndësishme. Së pari, programo për gjërat më të rëndësishme dhe ke për të parë se sa kohë do të të mbetet edhe për të tjerat.—Filipianëve 1:10.

Cilat janë gjërat më të rëndësishme që duhet të bësh?

․․․․․

Tani ktheju prapë dhe vëru një numër sipas rëndësisë. Po të mbarosh në fillim gjërat e mëdha, do të habitesh sa kohë do të kesh edhe për gjërat e vogla. Veç mos harro: e anasjellta nuk ndodh.

Ç’mund të bësh? Mbaj në xhep një axhendë dhe renditi punët sipas rëndësisë. Ndoshta të ndihmon edhe një nga metodat e mëposhtme.

□ Kalendari i celularit

□ Një bllok i vogël shënimesh

□ Kalendari i kompjuterit

□ Kalendar tavoline

Vështirësia nr. 2 Të ndjekësh programin

Ç’mund të të pengojë? Kur vjen nga shkolla, dëshiron vetëm të çlodhesh e të shohësh televizor ca minuta. Ose ke planifikuar të studiosh, por merr një mesazh ku të ftojnë në kinema. Filmi s’pret, kurse mësimet në dorë i ke, i shtyn për në darkë. «Pastaj, unë i bëj gjërat më mirë kur jam i stresuar»,—thua me vete.

Prapëseprapë, përse duhet? Mund të marrësh nota më të mira, po të studiosh kur e ke mendjen më të freskët. Veç kësaj, a nuk ke boll strese? Pse të stresohesh akoma më shumë duke studiuar me vrap e ndoshta përciptas lëndën e provimit natën vonë? Po nesër në mëngjes ç’do të ndodhë? Mbase do të të dalë gjumi vonë, do të kesh më shumë stres, do të dalësh me vrap nga shtëpia e ka mundësi të bëhesh vonë për në shkollë.—Proverbat 6:10, 11.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Vdes të shoh televizor, t’i bie kitarës dhe të rri me shokët. S’ka asgjë të keqe, por nganjëherë këto më nxitin t’i shtyj për më vonë gjërat më të rëndësishme, kështu më duhet të vrapoj.»—Juliani.

Ç’do të të ndihmojë? Mos vër në program vetëm gjërat që duhet të bësh, por edhe ato që ke qejf t’i bësh. «E kam më kollaj t’i bëj gjërat që duhet kur e di se më vonë kam programuar gjëra që i kam qejf»,—thotë Juliani.

Ide tjetër: vër një synim të rëndësishëm dhe pastaj, që të ecësh sipas planit, vër synime të vogla që do të të çojnë drejt atij synimi. Xhoi gjashtëmbëdhjetëvjeçar, që përmendëm më sipër, thotë: «Dua të bëhem mësues i Biblës në kohë të plotë. Ky synim më ndihmon që ta respektoj programin, duke u përgatitur kështu për një jetë më të ngarkuar në të ardhmen.»

Ç’mund të bësh? Cilat janë një ose dy synime realiste që mund të arrish gjashtë muajt e ardhshëm?

․․․․․

Cilin synim realist mund të arrish dy vitet e ardhshme dhe ç’duhet të bësh që tani për ta arritur atë synim?

․․․․․

Vështirësia nr. 3 Ji i pastër dhe i rregullt

Ç’mund të të pengojë? Ndoshta nuk e kupton ç’lidhje ka të qenët i pastër dhe i rregullt me shfrytëzimin e kohës siç duhet. Veç kësaj, t’i lësh gjërat rrëmujë të duket shumë më kollaj. Dhomën e pastron edhe nesër ose nuk e pastron fare. Rrëmujën s’e ke problem, kështu që s’prish punë. Apo, përkundrazi, prish?

Prapëseprapë, pse duhet? Nëse çdo gjë e mban pastër dhe në rregull, kursen kohë kur kërkon gjërat që të duhen. Kjo do të të japë edhe atë qetësi për të cilën ke nevojë aq shumë.—1 Korintasve 14:40.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Nganjëherë, kur nuk kam kohë t’i vë në vend rrobat, gjërat që më duhen humbin mes rrëmujës.»—Manda.

«Kisha një javë që s’e gjeja dot portofolin. U stresova goxha. Më në fund e gjeta kur pastrova dhomën.»—Franku.

Çfarë do të të ndihmojë? Mundohu t’i vësh gjërat nëpër vende sa më shpejt të jetë e mundur. Kur e bën këtë rregullisht dhe nuk pret që rrëmuja të të zërë sytë, do të pastrosh më shpejt dhe gjërat do t’i gjesh më kollaj.

Ç’mund të bësh? Përpiqu ta bësh zakon pastërtinë. Mbaj çdo gjë të pastër në vendin e vet dhe do të shohësh që jetën do ta kesh më të lehtë.

Fillo me gjërat e vogla—fillo që sot! Cilat sugjerime të këtij artikulli t’u dukën më të dobishme për ty?

․․․․․

Do t’i provoj këto këshilla për ․․․․․ javë dhe do të shoh nëse ia vlejnë.

[Shënimi]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Për sa orë gjumë ke nevojë që të japësh më të mirën?

▪ Kujt mund t’i kërkosh ndihmë për të realizuar programin?

▪ Nëse tashmë ke një program, çfarë ndryshimesh mund të të duken të nevojshme?

[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]

Ja si i harxhojnë orët gjatë javës të rinjtë e moshës 8 deri në 18 vjeç:

17

me prindërit

30

në shkollë

44

duke parë televizor, me video­lojëra, duke komuni­kuar në Internet dhe duke dëgjuar muzikë

SI E HARXHOJ KOHËN?

Mblidh orët që harxhon çdo javë

duke parë televizor: ․․․․․

duke luajtur me videolojëra: ․․․․․

para kompjuterit: ․․․․․

duke dëgjuar muzikë: ․․․․․

Gjithsej: ․․․․․

Orë që fare mirë mund t’i përdor për gjëra më të rëndësishme: ․․․․․

[Figura në faqen 20]

Po të vësh në fillim gjërat e vogla, s’do të kesh vend për ato më të rëndësishme