Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjve katolikë u bëhet thirrja të japin dëshmi

Të rinjve katolikë u bëhet thirrja të japin dëshmi

Të rinjve katolikë u bëhet thirrja të japin dëshmi

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

KORRIKUN e vitit të kaluar, katolikë nga çdo skaj i botës u mblodhën në Sidnei të Australisë për të festuar Ditën Botërore të Rinisë 2008, një ngjarje fetare e organizuar nga Kisha Katolike.

Vizitorët ose pelegrinët nga 170 vende ishin mbledhur mizëri nëpër rrugë dhe valëvitnin flamuj, gëzonin, këndonin, duke krijuar një atmosferë festive anembanë qytetit. Mijëra njerëz pritnin në portin e Sidneit për të parë papa Benediktin XVI, që mbërriti me anije, i shoqëruar nga 12 mjete të tjera lundrimi shumëngjyrëshe. Rreth 500 milionë njerëz nga e gjithë bota e ndoqën spektaklin drejtpërdrejt në televizor.

Mesha e fundit, e mbajtur në një hipodrom të qytetit, mblodhi nja 400.000 veta, përfshirë 4.000 autoritete të Kishës dhe 2.000 përfaqësues të medias. Ishte grumbullimi më i madh që kishte parë ndonjëherë Australia, duke ia kaluar edhe numrit rekord të spektatorëve në Lojërat Olimpike të Sidneit në vitin 2000.

Çfarë është Dita Botërore e Rinisë? Pse organizohet? Çfarë aktivitetesh përfshin? Çfarë zbulon për besimin e të rinjve në Sidnei?

‘Rënie e besimit’

Dita Botërore e Rinisë është një ngjarje e përvitshme për të lartësuar besimin e të rinjve katolikë. Anëtarët e kishave zakonisht e festojnë këtë ditë në dioqezat vendëse. Megjithatë, çdo dy ose tre vjet, një qytet i madh hap dyert për këtë ngjarje dhe mikpret të rinj katolikë nga të gjitha viset e tokës. Deri tani dhjetë qytete në pesë kontinente kanë shërbyer si skenë për këtë rast dhe miliona kanë qenë të pranishëm.

Por, siç pranojnë edhe autoritete të Kishës, Dita Botërore e Rinisë shërben edhe për të frenuar pakësimin e besimtarëve në Kishën Katolike dhe dobësimin e besimit të tyre. «Gjendemi përballë një rënieje serioze lidhur me praktikimin [e katolicizmit] dhe, deri diku, edhe përballë një rënieje të besimit,—tha kardinali Xhorxh Pelli, kleriku më i lartë katolik në Australi.—Dita Botërore e Rinisë është një përpjekje për të bërë diçka lidhur me këtë.»

Sipas shifrave të Vatikanit, numri i priftërinjve në mbarë botën po bie. Dekadat e fundit dhjetëra mijë priftërinj janë larguar që të martohen. Numri i atyre që përgatiten për t’u bërë priftërinj në Australi, ka rënë më shumë se 70 për qind 30 vitet e fundit. Mesatarja e moshës së priftërinjve në dioqezën më të madhe të Australisë tani është te të 60-at, rreth 20 vjet më e madhe se mesatarja e vitit 1977.

Në shumë vende ka rënë edhe pjesëmarrja në kishë. Rreth 25 për qind e australianëve e quajnë veten katolikë, por vetëm 14 për qind e këtyre shkojnë rregullisht në kishë. Mendohet se në shërbesat fetare shkon më pak se 10 për qind e të rinjve. Ndërkohë, shumë katolikë nuk u binden mësimeve të Kishës lidhur me moralin seksual, përdorimin e kontraceptivëve dhe divorcin. Të tjerë janë zhgënjyer nga skandalet e Kishës, siç janë aktet e pedofilisë së priftërinjve.

Gazeta The Sydney Morning Herald thotë se Dita Botërore e Rinisë «është vërtet guri i fundit për të ndalur të tatëpjetën». «Kryesia e Kishës në Australi dhe në Romë po kërkon të rikthejë dhe të ripërtërijë besimin nëpërmjet të rinjve.» Çfarë po bëjnë autoritetet e Kishës për t’i fituar ata?

Spektakle plot ngjyra dhe argëtim

Në Ditën Botërore të Rinisë 2008 u bënë parada kishtare pompoze, biseda në grup, pelegrinazhe fetare dhe grumbullime të mëdha në meshë. Ndonëse këto aktivitete prekën thellë shumë prej këtyre pelegrinëve, disa vërejtën se diçka tjetër po i jepte gjallëri këtij rasti. Një e re katolike, Aleksandra nga Shtetet e Bashkuara, tha se Dita Botërore e Rinisë «është veç një festë e madhe argëtuese».

Gjatë grumbullimit gjashtëditor në Sidnei pati 450 programe festive, përfshirë koncerte, filma, shfaqje teatrale, ekspozita dhe shfaqje nëpër rrugë. Muzika e larmishme fillonte që nga operat dhe këngët liturgjike pa muzikë e deri te hevi metëll dhe rep. Koncertet rok tërhoqën mijëra të rinj dëfryes e të zhurmshëm.

Këto organizime shqetësuan disa katolikë. Prifti Piter Skot tha për stacionin australian ABC News se ky rast «është kthyer thjesht në një argëtim, një javë qejfi, koncertesh dhe aktivitetesh jofetare me shumë pak gjëra që janë vërtet hyjnore dhe të shenjta». Në fakt, në vitin 2000, papa Benedikti XVI, që në atë kohë ishte kardinali Racinger, shkruan: «[Muzika] ‘rok’ është shprehje e pasioneve të forta fizike dhe në koncertet rok merr karakter kulti, një formë adhurimi që në realitet bie ndesh me adhurimin e krishterë.»—Libri Fryma e liturgjisë, gjermanisht.

Mund të ngrihet pyetja: «A do të jetë Dita Botërore e Rinisë një rast për të bërë ndryshime në jetë?» «Mbase për një pakicë të vogël,—tha ish-prifti Pol Kollins.—Por shumë do t’i kthehen mënyrës së mëparshme të jetesës. Ndryshimet rrënjësore nuk vijnë nëpërmjet shfaqjeve spektakolare, por nëpërmjet meditimit, planifikimit të kujdesshëm dhe gatishmërisë për të trajtuar probleme të rrënjosura thellë.»

‘Jini Dëshmitarët e mi’

Autoritetet drejtuese të Kishës janë plotësisht të ndërgjegjshme për këto fakte. Prandaj, Dita Botërore e Rinisë 2008 mbante temën: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi.» *

Peshkopët i nxitën pelegrinët «të zbulojnë një zell të ri apostolik për ta predikuar më plotësisht ungjillin në botën moderne». Papa Benedikti XVI u bëri thirrje pelegrinëve të bëheshin «një brez i ri apostujsh» dhe në një rast tjetër i inkurajoi të përhapnin «lajmin e mirë te miqtë, familjet dhe te të gjithë ata që takonin».

Disa pelegrinë të sinqertë u vunë veshin këtyre thirrjeve. Ramidoja, një 20-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara, i tha një reporteri: «E marr seriozisht [thirrjen] për të qenë dëshmitar.» Kurse Beatriçja, një 18-vjeçare nga Italia, tha: «Sot të rinjtë nuk flasin për Perëndinë. Në ditët tona është tepër e vështirë të jesh dëshmitar.» Shumë pelegrinë u bashkuan me fjalët e dy adoleshenteve nga Teksasi, SHBA: «Të vetmit që dëshmojnë andej nga vijmë ne janë Dëshmitarët e Jehovait.»

Të rinj që japin dëshmi

Po, Dëshmitarët e Jehovait, të rinj a të moshuar qofshin, njihen për predikimin e tyre të zellshëm. Pse e bëjnë këtë? «Nga dashuria për Perëndinë, nga dashuria për njerëzit dhe nga dashuria për Biblën»,—thotë Sotiri, një Dëshmitar 22-vjeçar nga Sidnei.

Gjatë Ditës Botërore të Rinisë 2008, afro 400 të rinj Dëshmitarë në Sidnei, megjithëse nuk morën pjesë në këtë organizim, bënë një fushatë speciale për të folur rreth të vërtetave biblike me pelegrinët katolikë që kishin ardhur. «U kënaqa që takova këta të rinj katolikë të devotshëm për gjërat shpirtërore,—tha Travasi 25-vjeçar.—Shumë prej tyre bënin pyetje me vend nga Bibla dhe gjithë qejf u dhashë përgjigje bindëse.»

«U afrohesha miqësisht dhe nisja një bisedë të lirshme,—tha Tarsha 23-vjeçare.—Doja t’u uroja mirëseardhjen në Sidnei dhe të dëgjoja çfarë besonin.» Frejzeri 20-vjeçar tha: «Kur ishte e përshtatshme, u jepja vizitorëve një dhuratë, librin Çfarë mëson vërtet Bibla? * Të gjithë ata që takova e pranuan me kënaqësi.»

Dukej qartë se shumë vizitorë i pëlqyen bisedat me të rinjtë Dëshmitarë. Suzana, nga Fixhi, pyeti Belindën, një Dëshmitare 19-vjeçare, përse i lejon Perëndia vuajtjet. Belinda i sugjeroi të shqyrtonin përgjigjen e dhënë në librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Në fund, Suzana tha: «Zakonisht njerëzit më thonë vetëm se punët e Zotit janë të mistershme. Kësaj here mora vërtet një përgjigje!» Kur Belinda i dha librin, Suzana tha e gëzuar: «Po mundohesha t’i mbaja mend përmendsh gjithçka që më the. S’ma mori mendja se do të ma jepje librin.»

Një vizitore nga Filipinet i tha Marinës, një Dëshmitareje 27-vjeçare, t’i bënte një fotografi përpara një ndërtese me interes të veçantë në Sidnei. Pasoi një bisedë miqësore dhe Marina i dha gruas librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Gruaja tha: «Mbrëmë u luta ta kuptoja më mirë Biblën. Ky libër mund të jetë përgjigjja e lutjes sime.»

Levi, një Dëshmitar 27-vjeçar, hyri në bisedë me dy vizitore nga Panamaja që ishin nënë e bijë. Shpejt biseda kaloi në gjërat shpirtërore dhe pasoi një diskutim i bukur rreth mësimeve biblike. Të dyja e pranuan librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Pastaj Levi i pyeti: «Cila ishte gjëja më e bukur e këtij udhëtimi?» Duke shtrënguar librin, vajza iu përgjigj: «Që të takuam ty.»

Po, shumë të rinj katolikë ishin të etur të dinin më shumë rreth Biblës. Po ti? Edhe pse mund të kesh fe tjetër, a dëshiron ta kuptosh më mirë Biblën? Atëherë, përse të mos u kërkosh Dëshmitarëve të Jehovait një studim biblik falas në shtëpi? Ata do të të ndihmojnë edhe ty me kënaqësi.

[Shënimet]

^ par. 19 Kjo temë është një citim i pjesshëm i Veprave 1:8.

^ par. 25 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 27]

«Gjendemi përballë një rënieje serioze lidhur me praktikimin [e katolicizmit] dhe, deri diku, edhe përballë një rënieje të besimit.»—Kardinali katolik Xhorxh Pell

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

PANAIRI I KARRIERËS KISHTARE

Në Ditën Botërore të Rinisë 2008, u organizua panairi më i madh i karrierës kishtare që është mbajtur ndonjëherë në Australi. Mbi 100 urdhra dhe agjenci katolike u bënë thirrje më shumë se 50.000 pelegrinëve ta mendonin si mundësi karrierën në Kishën Katolike, duke shërbyer si priftërinj, murgesha ose punonjës fetarë.

[Figura në faqet 24, 25]

Procesion i pelegrinëve me rroba shumëngjyrëshe

[Figurat në faqen 26]

Dëshmitarët e Jehovait takuan pelegrinë që vizituan Sidnein

[Burimi i figurës në faqen 24]

Getty Images