Tridhjetë vjet përkthim në fshehtësi
Tridhjetë vjet përkthim në fshehtësi
Treguar nga Ona Mockutja
Në prill të 1962-shit gjendesha si e pandehur në një sallë gjyqi plot e përplot me njerëz në Klajpedë të Lituanisë. Isha akuzuar për krime kundër shoqërisë. Tetorin që kishte kaluar më kishin arrestuar e akuzuar për aktivitet fetar, që konsiderohej krim kundër shtetit sovjetik. Po ju tregoj çfarë më çoi deri në arrestim dhe në burgim për përkthim në fshehtësi të botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait.
LINDA në vitin 1930 në Lituaninë Perëndimore, jo larg nga deti Baltik. Para se të lindja, nëna ishte lutur që fëmija e saj të bëhej murgeshë. Megjithatë, një herë më tha: «Kurrë nuk do të lutesha para shën Pjetrit ose idhujve të tjerë pa jetë.» Duke mbajtur parasysh këtë, s’para gjunjëzohesha në kishë, ndonëse e bëja këtë para një kryqi kur kthehesha nga shkolla.
Më vonë, gjatë Luftës II Botërore, nga viti 1939 deri në vitin 1945, pashë mizori të papërshkrueshme, dhe kjo ma bëri zemrën copë. Një ditë, gjatë pushtimit gjerman, po mblidhja luleshtrydhe në pyll me tezen. Kur ja, na zunë sytë dy gropa të mëdha të mbuluara me dhé, ku dalluam gjak të freskët. Ngaqë e dinim se ato ditë kishin vrarë një grup hebrenjsh e bashkë me ta edhe shoqet e mia të shkollës, Tesen dhe Sarën, kuptuam se kishim gjetur vendin ku i kishin varrosur të gjithë. E tronditur, thirra: «O Zot, ti je shumë i mirë! Po pse i lejon këto krime të tmerrshme?»
Më 1949-n mbarova shkollën e mesme në Klajpedë, afër shtëpisë, por studimet për muzikë i vazhdova. Në vitin 1950, hyra në radhët e një lëvizjeje politike studentore të fshehtë, por shpejt na tradhtuan, dhe kështu mua dhe 12 të tjerë na arrestuan. Më burgosën në Klajpedë dhe aty takova për herë të parë një Dëshmitare të Jehovait.
Mësoj të vërtetën nga Bibla
Në qelinë tonë shtynë brenda me forcë një mesogrua. Ajo na buzëqeshi me dashamirësi ne shtatë vajzave të reja. E pyeta: «Zonjë, të burgosurit zakonisht janë të trishtuar kur i futin në burg, kurse ju buzëqeshni. A mund t’ju pyes pse ju futën këtu?»
«Për shkak të së vërtetës»,—u përgjigj ajo.
«Çfarë është e vërteta?—e pyeta.
Ajo quhej Lidia Peldzhusi. Ishte gjermane dhe e kishin arrestuar për shkak të besimit si Dëshmitare e Jehovait. Biseduam shpesh për Biblën. Të vërtetat biblike që na mësoi Lidia na prekën zemrën. Ato jo vetëm që ndryshuan udhën e jetës sime, por edhe jetën e tri prej vajzave të tjera të qelisë.
Më shtohet njohuria për Biblën
Më dënuan me 25 vjet burg dhe 5 vjet internim për veprimtari të fshehtë politike kundër pushtimit sovjetik. Me ndihmën e Dëshmitarëve që takova gjatë viteve të burgut dhe në kampet e punës në Siberi, m’u shtua njohuria për Perëndinë dhe qëllimet e tij. Këta Dëshmitarë, ashtu si Lidia, ishin dënuar për bindjet e tyre.
Gjatë atyre viteve, përveçse mora më shumë njohuri për Biblën, edhe flitja për besimin tim me të tjerët. Ndonëse nuk kisha mundësi të pagëzohesha në simbol të kushtimit që i kisha bërë Perëndisë, për të burgosurit e tjerë dhe për autoritetet e burgut unë isha Dëshmitare e Jehovait. Më 1958-n, pasi bëra tetë vjet të dënimit, më liruan. Kur u ktheva në Lituani, shëndetin e kisha të dobët, por besimin te Jehovai e kisha të fortë.
Filloj përkthimin në fshehtësi
Asokohe në Lituani kishin mbetur vetëm pak Dëshmitarë. Të tjerët ishin në burg ose në internim në Siberi. Në vitin 1959, dy Dëshmitarë u kthyen nga Siberia dhe sugjeruan që unë të përktheja botimet tona biblike në gjuhën lituane. E pranova me kënaqësi këtë caktim jo të lehtë, duke e parë si privilegj.
Në mars të vitit 1960, nisa përkthimin dhe në korrik u pagëzova në fshehtësi si Dëshmitare e Jehovait në lumin e Dubisës. Për shkak të kundërshtimit nga KGB-ja (Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik), nuk gjeja dot punë për të mbajtur veten, prandaj jetoja me prindërit që i përkrahnin bindjet e mia. Kujdesesha për lopët e babait dhe të disa fqinjëve. Ndërkohë që merresha me bagëtinë, edhe përktheja. Kisha zyrë të bukur: për t’u ulur kisha një cung peme dhe një qilim blerosh më rrethonte. Për tavan kisha qiellin e kaltër, kurse për tryezë pune kisha prehrin.
Sidoqoftë, kuptova se të përktheja në lëndina ishte e rrezikshme, pasi agjentët e KGB-së dhe informatorët e tyre mund të më pikasnin kollaj. Kështu, kur u krijua mundësia për vende të fshehta ku të përktheja, ika nga shtëpia e babait. Nganjëherë punoja në plevica, brenda vendit të rrethuar për kafshët. Në njërën anë rrinin ato, kurse në anën tjetër punoja unë pa pushim me makinën e shkrimit.
Dritë elektrike nuk kishte, prandaj punoja sa kishte ditë. Për të maskuar zhurmën e makinës së shkrimit, një mulli me erë, i ndërtuar enkas, vërtitej jashtë plevicës. Kur errësohej, hyja në shtëpi të haja darkë. Pastaj kthehesha në plevicë dhe flija mbi sanë.
Në tetor të vitit 1961, bashkë me dy Dëshmitarë të tjerë, më arrestuan pasi zbuluan se puna ime mbështeste një aktivitet fetar. Kjo çoi në gjyqin e vitit 1962 që përmenda në fillim. Gjyqi u bë me dyer të hapura dhe ishim të gëzuar se patëm mundësi t’u jepnim dëshmi shumë të pranishmëve. (Marku 13:9) Më dënuan tre vjet dhe më çuan në një burg në Talin të Estonisë. Me sa di unë, në atë kohë isha personi i vetëm i burgosur për arsye të besimit. Autoritete të qytetit erdhën tek unë dhe u fola për bindjet e mia.
Përkthej sërish
Kur më liruan nga burgu i Estonisë në vitin 1964, u ktheva në Lituani. Atje vazhdova përkthimin e botimeve tona, zakonisht
nga rusishtja në gjuhën lituane. Kisha goxha punë. Megjithëse ndihmonin edhe të tjerë, isha e vetmja përkthyese në kohë të plotë për gjuhën lituane. Shpesh punoja shtatë ditë në javë që kur zbardhte e deri kur errësohej. Pa ndihmën e Jehovait, kurrë nuk do të kisha pasur forcën për t’ia dalë mbanë.Duke kuptuar sa jetësore ishte ajo punë, gjithnjë përpiqesha të isha e kujdesshme. Vëllezërit dhe motrat e krishtere shpesh vinin në rrezik veten dhe familjen për të më fshehur, për të më ushqyer dhe për të më mbrojtur. Ky bashkëpunim na lidhi mjaft ngushtë. Teksa unë punoja, familja ku rrija, ruante mos dukej ndonjë që mund të më spiunonte. Sinjali ishte që dikush t’u binte dy herë tubave të ngrohjes me diçka metalike. Me ta dëgjuar, fshihja çdo gjë që mund të zbulonte punën që po bëja.
Kur merrnim vesh se shtëpia ku punoja ishte nën vëzhgim, shkoja shpejt diku tjetër. Asokohe ishte krim i rëndë të mbaje makinë shkrimi pa leje, kështu që makinën e shkrimit e çonte dikush në vendin e ri të punës. Pastaj, shkoja në bazën e re, zakonisht natën.
Jehovai më mbrojti vërtet. Autoritetet edhe pse nuk kishin në dorë ndonjë provë konkrete, e dinin ç’bëja. Për shembull, më 1973-shin, kur tetë Dëshmitarë të Jehovait dolën në gjyq, prokurori më thirri për të më marrë në pyetje. Më pyeti troç: «Mockute, sa botime keni shtypur gjatë viteve?»
I thashë se nuk i përgjigjesha dot asaj pyetjeje. Pastaj më pyeti: «Po mirë, cilës pyetjeje mund t’i përgjigjesh?»
«Ndonjë pyetjeje që s’ka të bëjë me këtë punë»,—iu përgjigja.
Flladi i ndryshimit
Nga fundi i viteve 80, situata në Lituani nisi të ndryshonte. S’kishte më nevojë të fshiheshe nga agjentët e qeverisë. Kështu, në vitin 1990, edhe të tjerë nisën të përkthenin. Më 1 shtator 1992, një zyrë e vogël përkthimi u hap në Klajpedë, qyteti ku u vendosa përfundimisht.
Gjithsej punova si përkthyese 30 vjet në 16 vende. Vetë nuk kisha shtëpi. Por, sa kënaqem kur shoh frytin e punës sonë! Sot ka rreth 3.000 Dëshmitarë të Jehovait në Lituani. Veç kësaj, puna e përkthimit që unë dikur e bëja fshehurazi nëpër plevica e papafingo, sot zhvillohet në kushte të mira në zyrën e degës lituane pranë qytetit të Kaunasit.
S’më shlyhet nga kujtesa ai takim i mrekullueshëm 60 vjet më parë në qelinë e ftohtë të burgut në Klajpedë. Ai ma ndryshoi jetën. Gjithnjë do t’i jem mirënjohëse Krijuesit tonë të madh, Jehovait, që gjeta të vërtetën për të dhe qëllimet e tij dhe që ia kushtova jetën për të bërë vullnetin e tij.
[Diçitura në faqen 13]
Të vërtetat biblike që na mësoi Lidia në burg na prekën zemrën dhe ndryshuan jetën e katër prej nesh
[Figura në faqen 12]
Për gjyqin tim u fol në një gazetë sovjetike në vitin 1962
[Figura në faqet 14, 15]
Disa nga botimet që përktheva duke rrezikuar lirinë
[Figura në faqen 15]
Për herë të parë i mësova të vërtetat e Biblës nga Lidia në burg
[Figura në faqen 15]
Dy Dëshmitare (majtas) më mësuan më shumë për Perëndinë kur isha në burg në Habarovsk, Rusi, 1956
[Figura në faqen 15]
Makinë shkrimi që përdorja kur përktheja fshehurazi