Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të ndërrosh fe?

A është e gabuar të ndërrosh fe?

Pikëpamja e Biblës

A është e gabuar të ndërrosh fe?

Kur Avtara nisi të studionte Biblën, familja e saj e fesë sikiste u mërzit. Ajo thotë: «Në vendin tim, po ndryshove fe, nuk të pranojnë më në shoqëri. Edhe emrat i kemi me kuptim fetar. Po ndërrove fe, është njësoj si të kesh mohuar identitetin dhe të mos kesh respekt për familjen.»

ME KALIMIN e kohës Avtara u bë Dëshmitare e Jehovait. A bëri gabim që ndërroi fe? Mbase edhe ti mendon si familjarët e saj. Ndoshta mendon se feja jote është pjesë e pandashme e historisë dhe e kulturës së familjes sate dhe nuk duhet ndërruar.

Është e rëndësishme t’i nderosh familjarët. Bibla thotë: «Dëgjoje atin tënd që të solli në jetë.» (Proverbat 23:22) Por, edhe më e rëndësishme se kjo është të kërkojmë të vërtetën për Krijuesin tonë dhe qëllimet e tij. (Isaia 55:6) A mund të gjendet e vërteta? Nëse po, sa rëndësi ka për ty të gjesh të vërtetën?

Në kërkim të së vërtetës fetare

Fetë e botës mësojnë doktrina që bien ndesh me njëra-tjetrën. Është logjike që këto mësime s’mund të jenë të gjitha të vërteta. Si rrjedhojë, duhet të ketë shumë njerëz që, siç thotë Bibla, «kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Po, siç tregon 1 Timoteut 2:4, apostulli Pavël thotë se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji . . . të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». Si mund të gjendet njohuria e saktë?

Mendo arsyet për të cilat ia vlen të shqyrtosh Biblën. Pavli, një ndër ata që Perëndia frymëzoi për të shkruar Biblën, tha: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar.» (2 Timoteut 3:16) Teksa kërkon të vërtetën, shqyrto provat që dëshmojnë se ky pohim i Biblës është i vërtetë. Shqyrtoje vetë mençurinë e saj të pakrahasueshme, saktësinë historike dhe profecitë e përmbushura.

Në vend që të mësojë se të gjitha fetë janë njësoj për Perëndinë, Bibla u thotë lexuesve të saj të mos besojnë çdo gjë që dëgjojnë, por ‘t’i vënë në provë [shprehjet e frymëzuara] për të parë nëse vijnë nga Perëndia’. (1 Gjonit 4:1) Për shembull, çdo mësim që vjen nga Perëndia duhet të jetë në përputhje me personalitetin e tij, duke përfshirë edhe cilësinë e tij mbizotëruese, dashurinë.—1 Gjonit 4:8.

Bibla na siguron se Perëndia dëshiron që ne ‘ta gjejmë vërtet’. (Veprat 17:26, 27) Meqë Krijuesi ynë dëshiron që ne të kërkojmë të vërtetën, s’mund të jetë e gabuar të veprojmë sipas provave që gjejmë, edhe nëse kjo do të thotë të ndryshojmë fe. Por ç’të themi për problemet që mund të sjellë kjo?

Besnikëri e ekuilibruar ndaj familjes

Kur njerëzit ndryshojnë bindjet e tyre, mund të vendosin të mos i ndjekin më disa zakone a festa fetare. Kuptohet, kjo mund të sjellë acarime në familje. Jezui e pranoi këtë. Ai u tha dishepujve: «Erdha të shkaktoj ndarje: birin kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër së vjehrrës.» (Mateu 10:35) A donte të thoshte Jezui se mësimet e Biblës ishin bërë që të shkaktonin medoemos armiqësi? Jo. Ai thjesht paratha ç’mund të ndodhte kur familjarët i hidhen kundër dikujt që merr një qëndrim të vendosur për të ndjekur bindje të ndryshme nga të tyret.

A duhet sakrifikuar gjithçka që të shmanget konflikti në familje? Bibla mëson se fëmijët duhet t’u binden prindërve dhe gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre. (Efesianëve 5:22; 6:1) Megjithatë, Bibla i mëson ata që e duan Perëndinë ‘t’i binden Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’. (Veprat 5:29) Prandaj, nganjëherë, besnikëria ndaj Perëndisë mund të bëjë që të marrësh një vendim që nuk do t’u pëlqejë disa pjesëtarëve të familjes.

Ndonëse Bibla e bën të qartë ndryshimin mes mësimeve të vërteta dhe atyre të rreme, Perëndia lë të lirë çdo njeri që të zgjedhë si do të reagojë. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Askush nuk duhet të detyrohet të adhurojë në një mënyrë të cilën ai nuk e pranon ose të detyrohet të zgjedhë o bindjet e veta, o familjarët. A çon studimi i Biblës në prishjen e familjes? Jo. Në të vërtetë, Bibla e nxit burrin dhe gruan që ndjekin fe të ndryshme, që të qëndrojnë së bashku si familje.—1 Korintasve 7:12, 13.

Si ta mposhtësh frikën?

Mbase ke frikë si do të reagojnë njerëzit po të studiosh Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Mariama thotë: «Familja kishte merak se mos nuk do të gjeja burrë të përshtatshëm që të kujdesej për mua. Prandaj m’u kundërvunë për studimin e Biblës.» Mariama tregoi besim te Perëndia Jehova dhe vazhdoi studimin. (Psalmi 37:3, 4) Edhe ti mund të veprosh njësoj. Në vend që të kesh frikë nga pasojat, mendo për dobitë. Mësimet e Biblës e ndryshojnë për mirë jetën dhe personalitetin e njerëzve. Ata mësojnë të tregojnë në familje dashuri pa egoizëm. Zakonet e këqija, si dhuna fizike, gojore dhe abuzimi me alkoolin e drogën mund të hiqen. (2 Korintasve 7:1) Bibla nxit virtyte të tilla, si: besnikërinë, ndershmërinë dhe dëshirën për punën. (Proverbat 31:10-31; Efesianëve 4:24, 28) Pse të mos e studiosh Biblën dhe të shohësh dobitë që vijnë kur i zbaton mësimet e saj në jetën tënde?

A DONI TË DINI?

▪ Pse duhet t’i verifikosh bindjet e tua fetare?—Proverbat 23:23; 1 Timoteut 2:3, 4.

▪ Si mund t’i dallosh mësimet e vërteta?—2 Timoteut 3:16; 1 Gjonit 4:1.

▪ A duhet të të pengojë kundërshtimi i familjes që të studiosh Biblën?—Veprat 5:29.

[Diçitura në faqen 29]

Mësimet e Biblës e ndryshojnë për mirë jetën dhe personalitetin e njerëzve

[Figura në faqen 29]

Mariama me të shoqin