Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Një midhje e nxjerrë nga fundi i Oqeanit të Atlantikut Verior është quajtur «kafsha më jetëgjatë që njihet gjer më sot». Shkencëtarët numëruan shtresat e guaskës së saj, që përcaktojnë vjetërsinë, dhe përcaktuan se ajo ishte 405 vjeçe.—SUNDAY TIMES, BRITANI.
▪ «Kur ka kriza ekonomike, edhe ata që kanë miliarda e ndiejnë ngushticën. Mjafton të pyesni psikologët e tyre.»—THE NEW YORK TIMES, SHBA.
Televizori ndikon në sjelljen seksuale
«Provat po tregojnë gjithnjë e më shumë se programet televizive që lidhen me seksin ndikojnë në pikëpamjen e të rinjve për seksin dhe në sjelljen e tyre seksuale»,—thotë një artikull në buletinin Pediatrics. Sipas një studimi, adoleshentet që shohin shumë programe të tilla rrezikojnë «dy herë më shumë të mbeten shtatzënë», sesa ato që shohin pak. Një shpjegim i mundshëm është se televizori krijon përshtypjen që seksi sjell pak pasoja ose nuk sjell fare. Kjo vjen ngaqë shtatzënitë e padëshiruara dhe sëmundjet e transmetuara seksualisht nuk tregohen me mjaft realizëm. Sigurisht, televizori është vetëm një nga mjetet që modelon sjelljen seksuale të adoleshentëve. Studiuesit janë të mendimit se me sy kritik duhen parë edhe revistat, Interneti dhe muzika.
Raste të reja me lebër
Tre mijë veta në Shtetet e Bashkuara po kurohen për lebrën, të quajtur edhe sëmundja e Hansenit. Çdo vit diagnostikohen rreth 150 raste të reja. Shumë të sëmurë kanë ardhur nga vendet e tjera. Megjithatë, Shoqata Amerikane për Mjekësinë dhe Higjienën e Sëmundjeve Tropikale raporton se Programi Kombëtar për Sëmundjen e Hansenit, me bazë në qytetin e Baton-Ruzhit, Luizianë, «ndesh rreth 30 raste çdo vit mes banorëve të Luizianës Jugore dhe të bregdetit të Teksasit, pranë gjirit të Meksikës. Këta kanë lindur në SHBA dhe nuk kanë shkuar kurrë në ndonjë vend ku lebra është e përhapur». Kërkuesit ende nuk e kuptojnë mirë si përhapet kjo sëmundje. Po të kapet herët, ajo kurohet plotësisht. Megjithatë, kur ka përparuar, dëmtimi i nervave është i pariparueshëm.
Vidhen materiale radioaktive
«Mundësia që terroristët të marrin materiale bërthamore a lëndë të tjera radioaktive mbetet kërcënim serioz,—thotë Muhamed Elbaradei, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.—Numri i rasteve të raportuara në agjenci për vjedhje ose humbje të lëndëve radioaktive është shqetësues: gati 250 raste vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Po aq shqetësues është edhe fakti që një pjesë e madhe e këtyre materialeve nuk janë gjetur më.» Nuk është e qartë nëse kjo dukuri është pasojë e kërkesës në rritje për lëndë radioaktive apo nëse shtetet anëtare të agjencisë po i raportojnë më saktë humbjet e materialeve.
Zbulohen shkrime të lashta në Izrael
Arkeologët izraelitë kanë zbuluar një tekst të lashtë që me sa duket është shkruar 1.000 vjet para Rrotullave të Detit të Vdekur. Ky dokument, që ka pesë rreshta të shkruar me bojë në një copë argjile, u zbulua gjatë gërmimeve në Kirbet-Kajafa, Izrael, në një kështjellë judeje të shekullit të 10-të p.e.s. Në një deklaratë për shtyp të Universitetit Hebraik të Jerusalemit thuhet se dokumenti nuk është deshifruar ende plotësisht, por me sa duket është një tekst ligjor që u shkrua nga një skrib i zoti dhe përmban «rrënjët e fjalëve ‘gjyqtar’, ‘skllav’ dhe ‘mbret’».
[Burimi i figurës në faqen 30]
Gabi Laron/Instituti i Arkeologjisë/Universiteti Hebraik © Yosef Garfinkel