Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të ketë ndarje në klerikë e besimtarë?

A duhet të ketë ndarje në klerikë e besimtarë?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të ketë ndarje në klerikë e besimtarë?

Hirësi, Shkëlqesi, Ati i Shenjtë, papë, peshkop, prift, hoxhë, imam—këta janë disa tituj që dallojnë klerikët e feve të ndryshme nga besimtarët e thjeshtë. Ndarja e klerit nga besimtarët e thjeshtë është e zakonshme në shumë fe, por a e ka vendosur Perëndia apo është një traditë njerëzore? Ç’është më e rëndësishmja, a ka miratimin e Perëndisë?

«NË Besëlidhjen e Re dhe gjatë epokës së hershme apostolike, nuk përmendet asgjëkundi kleri apo besimtarët e thjeshtë»,—shkroi profesori i teologjisë Klitës Uesëls. Enciklopedia e krishterimit (anglisht) thotë: «Gradualisht u bë një ndarje në klerikë që ishin ata që mbanin postet dhe besimtarë të thjeshtë që përbënin pjesën tjetër . . . Pjesëtarët ‘e thjeshtë’ të kishës nisën të konsideroheshin si një masë njerëzish e pakualifikuar.» Ky dallim u bë më i dukshëm gjatë shekullit të tretë të e.s., pra mbi dyqind vjet pas Jezu Krishtit.

Po atëherë, a është e gabuar ndarja në klerikë e besimtarë, meqë nuk bazohet në modelin që lanë apostujt e Jezuit dhe të krishterët e tjerë të hershëm? Sipas Biblës, po. Shqyrtoni pse.

«Ju të gjithë jeni vëllezër»

Fjala e Perëndisë na thotë se të gjithë të krishterët shërbejnë si shërbëtorë të Perëndisë dhe se askush nuk është më lart a më poshtë se të tjerët. (2 Korintasve 3:5, 6) Shkrimtari i fesë Aleksondrë Fevrë thotë se të krishterët e hershëm «këmbëngulnin fort që mes tyre të mos kishte klasa». Kjo vendosmëri që «të mos kishte klasa» përputhet me fjalët që u tha Jezui dishepujve të tij: «Ju të gjithë jeni vëllezër.»—Mateu 23:8.

Natyrisht, kishte burra të pjekur e me shumë njohuri për Jehovain që shërbenin si mbikëqyrës, domethënë si barinj e mësues. (Veprat 20:28) Por ata nuk ishin klerikë që paguheshin. Kryesisht ishin njerëz të thjeshtë që punonin, bashkëshortë dhe etër. Për më tepër, kualifikimin për të shërbyer si mbikëqyrës nuk e merrnin duke ndjekur shkolla fetare, por duke qenë studiues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë e duke zhvilluar cilësitë që kërkonte Perëndia. Ndër të tjera, duhej të ishin ‘të përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, të rregullt, mikpritës, të kualifikuar për të mësuar, të arsyeshëm, jo me qëndrim luftarak, jo të dashuruar pas parave, njerëz që e drejtojnë shkëlqyeshëm shtëpinë e tyre’.—1 Timoteut 3:1-7.

Pse është e mençur të veprojmë sipas Biblës?

«Mos shko përtej gjërave të shkruara»,—thotë Bibla. (1 Korintasve 4:6) Mjerisht, kur njerëzit e shpërfillin këtë urdhër të frymëzuar nga Perëndia, zakonisht dëmtojnë marrëdhënien e tyre me të, dhe kjo ka ndodhur me ndarjen në klerikë e besimtarë. Pse? Ju lutemi, shqyrtoni gjashtë pikat vijuese.

1. Ndarja e klasës së klerit nënkupton se një njeri duhet të ketë një thirrje të veçantë për të qenë shërbëtor i Perëndisë. Kurse Bibla thotë se të gjithë të krishterët duhet t’i shërbejnë Perëndisë e të lëvdojnë emrin e tij. (Romakëve 10:9, 10) Sa për shërbimin brenda kongregacionit, të gjithë burrat e krishterë nxiten të synojnë këtë privilegj, siç është zakon mes Dëshmitarëve të Jehovait.—1 Timoteut 3:1.

2. Dallimi mes klerit dhe besimtarëve të thjeshtë lartëson klasën e klerit. Provë për këtë janë titujt fetarë lajkatues. Kurse Jezui tha: «Ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.» (Luka 9:48) Në përputhje me këtë frymë përulësie, ai u tha dishepujve të mos mbanin tituj fetarë.—Mateu 23:8-12.

3. Klasa e klerit që paguhet mund t’u vërë një barrë të rëndë financiare besimtarëve të thjeshtë, sidomos kur klerikët bëjnë një jetë luksoze. Kurse mbikëqyrësit e krishterë i plotësojnë nevojat e tyre financiare duke punuar si gjithë të tjerët, duke lënë kështu një shembull të mirë për t’u ndjekur. *Veprat 18:1-3; 20:33, 34; 2 Selanikasve 3:7-10.

4. Meqë mund të varet nga të tjerët për mbështetje financiare, një klerik mund të tundohet që ta zbutë mesazhin e Biblës për t’u bërë qejfin besimtarëve. Madje, Shkrimet parathoshin se do të ndodhte pikërisht kështu. «Do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët.»—2 Timoteut 4:3.

5. Për shkak të ndarjes në klerikë e besimtarë, besimtarët e thjeshtë kanë prirjen t’ua lënë çështjet fetare klerikëve, kurse vetë shkojnë në kishë vetëm për shërbesat javore. Por të gjithë të krishterët duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë e të jenë studiues të mirë të Biblës.—Mateu 4:4; 5:3.

6. Kur besimtarët e thjeshtë nuk e dinë ç’thotë Bibla, klerikët mund t’i mashtrojnë fare lehtë, e madje t’i shfrytëzojnë. Historia është plot me shembuj të këtij shfrytëzimi. *Veprat 20:29, 30.

Që t’i përmbahen ngushtësisht modelit të Biblës, Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë një klasë kleri, por barinj e mësues të devotshëm që nuk paguhen e që i shërbejnë me gatishmëri kopesë së Perëndisë. Pse të mos vizitoni një Sallë Mbretërie në zonën tuaj, që ta shihni vetë këtë?

[Shënimet]

^ par. 13 Në shekullin e parë, disa mbikëqyrës që udhëtonin, disa herë ‘jetonin me anë të lajmit të mirë’ duke pranuar mikpritjen dhe kontributet që u jepeshin vullnetarisht.—1 Korintasve 9:14.

^ par. 16 Ndër shembujt përfshihen shitja e indulgjencave, Inkuizicioni katolik e madje edhe djegia e Biblave nga klerikët, të cilët donin që kopetë të mos e kishin në dorë Fjalën e Perëndisë.—Shih revistën tonë shoqëruese, Kullën e Rojës, 15 nëntor 2002, në faqen 27.

A DONI TË DINI?

▪ Si duhet ta konsiderojnë njëri-tjetrin të gjithë shërbëtorët e Perëndisë?—Mateu 23:8.

▪ Si kualifikohen burrat e krishterë që të shërbejnë si mbikëqyrës në kongregacion?—1 Timoteut 3:1-7.

▪ Pse ndarja në klerikë e besimtarë nuk ka bekimin e Perëndisë?—1 Korintasve 4:6.

[Diçitura në faqen 23]

Ndryshe nga klerikët, Jezui sillej si «më i vogli»