Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gafa që çuan në luftë botërore

Gafa që çuan në luftë botërore

Gafa që çuan në luftë botërore

A mund të fillojë një luftë e tretë botërore pa dashje? A mund të ndodhë që burra shteti dhe këshilltarët e tyre ushtarakë të mos i marrin parasysh mirë rreziqet e të shkaktojnë vdekjen e miliona njerëzve?

KËTË s’e dimë, por dimë se diçka e tillë ka ndodhur. Një shekull më parë, udhëheqësit evropianë i zhytën kombet e tyre në Luftën e Madhe, që më vonë u quajt Lufta I Botërore, pa vetëdije për tërë ato tmerre që do të ndodhnin. «As vetë s’e kuptuam si u ngatërruam në luftë»,—pranoi Dejvid Llojd Xhorxhi, kryeministër britanik në vitet 1916-1922. Shqyrtoni disa nga ngjarjet kryesore që çuan në atë masakër të përgjakshme.

Historiani Alan Xh.P. Tejlor shkroi: «Asnjë nga burrat e shtetit s’donte luftë me përmasa të mëdha, por donin të kërcënonin dhe donin të fitonin.» Cari i Rusisë mendonte se duhej bërë çdo gjë e mundshme që të ruhej paqja. Ai nuk donte të bëhej përgjegjës për një masakër të përbindshme. Gjithsesi, duke filluar me dy të shtëna të kobshme rreth orës 11.15 të 28 qershorit 1914, ngjarjet dolën jashtë kontrollit.

Dy të shtëna që ndryshuan botën

Kur hyri viti 1914, marrëdhëniet mes fuqive evropiane tashmë ishin tendosur nga rivalitetet e kahershme, që sollën si pasojë dy aleanca kundërshtare: Aleanca Trepalëshe (Boshti Qendror) mes Austro-Hungarisë, Italisë e Gjermanisë dhe Marrëveshja Trepalëshe (Antanta) mes Britanisë, Francës e Rusisë. Për më tepër, këto kombe kishin lidhje politike dhe ekonomike me disa vende të tjera, duke përfshirë edhe vendet ballkanike.

Në atë kohë, Ballkani ishte një rajon i paqëndrueshëm politikisht që s’po e duronte dot më sundimin e fuqive të mëdha, dhe ziente nga shoqëritë e fshehta që bënin plane për pavarësi. Një grup i vogël të rinjsh komplotuan të vritnin arkidukën Franc Ferdinand gjatë vizitës që do të bënte më 28 qershor në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës. * Punën ua lehtësoi numri i vogël i forcave policore në vend. Mirëpo, atentatorët nuk ishin ekspertë. Njëri nga të rinjtë hodhi një bombë dore, por nuk qëlloi në shenjë, kurse të tjerët nuk vepruan në kohë. Atentatori që ia doli mbanë ta vriste arkidukën ishte Gavrilo Principi, por edhe ai e arriti këtë krejt rastësisht. Si?

Kur pa se arkiduka i kaloi pranë i padëmtuar nga bomba, Principi u përpoq t’i afrohej makinës, por më kot. I mërzitur, kaloi rrugën dhe hyri në një kafene. Ndërkohë, i zemëruar për atentatin me bombë, arkiduka vendosi të ndërronte rrugën. Por shoferi i tij s’e dinte këtë ndryshim të planit, prandaj mori drejtimin e gabuar dhe iu desh ta kthente mbrapsht makinën. Pikërisht në atë çast, Principi doli nga kafeneja dhe u gjend përballë me arkidukën, që po udhëtonte në makinën e hapur, as 3 metra larg. Iu afrua makinës dhe gjuajti dy herë, duke vrarë arkidukën dhe të shoqen. * Ai nacionalist serb që s’ishte veçse një djalosh naiv, nuk e kishte idenë se ç’ortek kishte vënë në lëvizje. Por s’mund t’i vihet faji vetëm atij për mynxyrën që do të vinte.

Gati për luftë

Para vitit 1914, shumica e evropianëve kishin pikëpamje idealiste për luftën. U dukej diçka e dobishme, fisnike dhe e lavdishme, pavarësisht pohimit se ishin të krishterë. Madje disa burra shteti besonin se lufta do të nxiste bashkimin e kombit dhe do t’i gjallëronte popujt. Për më tepër, disa gjeneralë i siguruan udhëheqësit e tyre se kjo luftë do të fitohej shpejt dhe në mënyrë përfundimtare. «Brenda dy javëve do ta mundim Francën»,—u mburr një gjeneral gjerman. Askujt nuk i shkoi ndër mend se miliona burra do të kalonin vite të tëra të zhytur nëpër llogoret e luftës.

Veç kësaj, siç thotë libri Bashkëpunim nën anarki (anglisht), në vitet para luftës, «Evropën e kishte përfshirë një valë gjigante nacionalizmi ekstrem. Shkollat, universitetet, shtypi dhe politikanët u bashkuan në këtë histeri të nacionalizmit ekstrem dhe të lartësimit të vetes».

Udhëheqësit fetarë nuk bënë shumë për t’iu kundërvënë këtij qëndrimi të shëmtuar. Historiani Pol Xhonson thotë: «Në njërën anë ishin rreshtuar Gjermania protestante, Austria katolike, Bullgaria ortodokse dhe Turqia myslimane. Në anën tjetër ishin Britania protestante, Franca e Italia katolike dhe Rusia ortodokse.» Ai shton se shumica e klerikëve «e vuri krishterimin në një plan me patriotizmin. Ushtarët e krishterë të të gjitha sekteve u nxitën të vritnin njëri-tjetrin në emër të Shpëtimtarit të tyre». U mobilizuan madje edhe priftërinjtë e murgeshat, dhe mijëra prej tyre më vonë u vranë gjatë luftimeve.

Aleancat evropiane, që u krijuan me synimin për të parandaluar një luftë të madhe, faktikisht mund ta kenë nxitur atë. Në ç’mënyrë? Libri Bashkëpunim nën anarki thotë: «Siguria e një fuqie evropiane ishte shumë e ndërthurur me atë të fuqive të tjera. Çdo fuqi mendonte se siguria e saj varej nga ajo e aleatëve të vet, prandaj ndihej e detyruar të vraponte në mbrojtje të aleatëve, edhe kur ishin këta që i kishin provokuar sulmuesit.»

Një element tjetër i rrezikshëm ishte Plani gjerman Shlifen, i emërtuar sipas ish-shefit të shtabit të përgjithshëm gjerman, gjeneralit Alfred fon Shlifen. Plani përfshinte një sulm rrufe dhe u hartua me idenë se Gjermania duhej të luftonte edhe kundër Francës, edhe kundër Rusisë. Prandaj, synimi ishte të arrihej një fitore e shpejtë mbi Francën, ndërkohë që Rusia mobilizohej me ritme të ngadalta, e pastaj të sulmohej Rusia. World Book Encyclopedia thotë: «Me t’u vënë në lëvizje plani [i Shlifenit], sistemi i aleancave ushtarake e bëri pothuaj të sigurt një luftë të përgjithshme evropiane.»

Nis orteku

Ndonëse një hetim zyrtar nuk gjeti asnjë provë për të akuzuar qeverinë serbe për vrasjen e arkidukës, Austria ishte e vendosur t’u jepte fund një herë e mirë trazirave sllave brenda perandorisë. Ajo donte me çdo kusht «t’i jepte një mësim Serbisë», thotë historiani Xhon M. Roberts.

Në përpjekje për të shtendosur tensionet, Nikolas Hartvigu, ambasadori rus në kryeqytetin serb, punoi për të arritur një kompromis të mundshëm. Mirëpo, ai pësoi infarkt në zemër dhe vdiq gjatë mbledhjes me delegacionin austriak. Më në fund, më 23 korrik, Austria i dërgoi Serbisë një listë me kërkesa që pak a shumë përbënin një ultimatum. Meqë Serbia nuk i pranoi të gjitha kërkesat, Austria menjëherë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike. Në këtë çast kritik, diplomacia dështoi.

Gjithsesi, u bënë disa përpjekje për ta parandaluar luftën. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar rekomandoi të mblidhej një konferencë ndërkombëtare dhe kajzeri i Gjermanisë i bëri thirrje carit të Rusisë të mos mobilizonte ushtrinë. Por, ngjarjet dolën jashtë kontrollit. «Burra shteti, gjeneralë dhe kombe të tëra u shtangën nga përmasat kolosale të ngjarjeve që do të shpaloseshin pas pak»,—thuhet në librin Aventura e luftës (anglisht).

Perandori austriak, i siguruar se gjermanët do ta ndihmonin, i shpalli luftë Serbisë më 28 korrik. Rusia mbështeti Serbinë dhe u orvat t’ia ndalte hovin Austrisë duke shpallur mobilizimin e rreth një milion ushtarëve rusë përgjatë kufirit austriak. Por kjo do ta linte të pambrojtur kufirin rus me Gjermaninë, prandaj pa shumë dëshirë cari i Rusisë urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm.

Cari u përpoq ta siguronte kajzerin se nuk kishte asnjë plan të sulmonte Gjermaninë. Por mobilizimi i trupave ruse i përshpejtoi planet gjermane të luftës dhe, më 31 korrik, Gjermania nisi të zbatonte planin Shlifen, duke i shpallur luftë Rusisë më 1 gusht dhe Francës dy ditë më vonë. Planet gjermane të luftës përfshinin marshimin përmes Belgjikës, por Britania e paralajmëroi Gjermaninë se do t’i shpallte luftë po të cenonte asnjanësinë e Belgjikës. Trupat gjermane kaluan kufirin e Belgjikës më 4 gusht. S’kishte më kthim prapa.

‘Katastrofa më e madhe diplomatike e kohëve tona’

«Shpallja e luftës nga ana e Britanisë i vuri vulën katastrofës më të madhe diplomatike të kohëve tona»,—shkroi historiani Normën Dejvis. Një historian tjetër, Edmond Tejlori, shkroi se pasi Austria shpalli luftë më 28 korrik, «rol gjithnjë e më të madh për nxitjen e [luftës] luajti rrëmuja e madhe që u krijua. Po ndodhnin shumë gjëra, shumë shpejt dhe në shumë vende. . . . Edhe mendjet më të ndritura e më të organizuara nuk i kapërdinin e nuk i asimilonin dot më informacionet e papërpunuara që u vinin».

Mbi 13 milionë ushtarë dhe civilë e paguan shtrenjtë këtë «rrëmujë» shkatërrimtare. Edhe optimizmi për të ardhmen dhe për natyrën njerëzore mori një goditje vdekjeprurëse, ndërsa popuj të ashtuquajtur të civilizuar, të armatosur me armë të fuqishme që sapo ishin shpikur e prodhuar në seri, masakruan njëri-tjetrin në një shkallë pa precedent. Bota s’do të ishte më kurrë njësoj.—Shih kutinë «Lufta Botërore: Shenjë e kohëve?»

[Shënimet]

^ par. 7 Tani Bosnja është pjesë e Bosnjë-Hercegovinës.

^ par. 8 Të shoqen e arkidukës Principi e vrau gabimisht. Ai donte të vriste guvernatorin e Bosnjës, gjeneralin Potiorek, që ndodhej në makinë bashkë me çiftin mbretëror, por diçka e pengoi.

[Kutia dhe figura në faqen 20]

LUFTA BOTËRORE: SHENJË E KOHËVE?

Bibla paratha se luftërat do të ishin pjesë e shenjës së ditëve të fundit të kësaj bote të ligë. (Mateu 24:3, 7; Zbulesa 6:4) Përmbushja e kësaj shenje sot, tregon se po i afrohemi me të shpejtë kohës kur qeveria e Mbretërisë së Perëndisë do të marrë kontrollin e plotë mbi tokën.—Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10.

Për më tepër, Mbretëria e Perëndisë do të heqë një forcë të padukshme që ka gisht në çështjet e botës: frymërat e liga të udhëhequra nga Satana Djalli. «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thuhet te 1 Gjonit 5:19. Me ligësinë e tij Satanai ka ndikuar në shumë nga mjerimet e njerëzimit, që pa dyshim përfshijnë ngjarjet shkatërrimtare që çuan në Luftën I Botërore.—Zbulesa 12:9-12. *

[Shënimi]

^ par. 30 Informacione të mëtejshme për ditët e fundit dhe për këto forca të liga frymore, mund t’i gjeni në botimin ndihmës për studimin e Biblës, Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Burimi]

U.S. National Archives photo

[Figura në faqen 19]

Vrasja e arkidukës Ferdinand

[Burimi]

© Mary Evans Picture Library