Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I trajtuar si një hiç

I trajtuar si një hiç

I trajtuar si një hiç

«Kur isha në klasë të parë në Spanjë, shokët e klasës më vinin lloj-lloj nofkash ngaqë isha shumë më e shkurtër se ata. Thuajse përditë shkoja në shtëpi duke qarë.» —Xheniferi, vajza e dy emigrantëve filipinas.

«Kur ndërrova shkollë, nxënësit e bardhë më thërritnin me emra fyes. E dija se donin të më provokonin që të zihesha. Bëja ç’bëja, por e përmbaja veten, megjithatë përbrenda ndihesha i lënduar dhe i lënë mënjanë.»—Timoteu, një zezak amerikan.

«Kur isha shtatë vjeç, popujt igbo dhe hausa, në Nigeri, ishin në armiqësi me njëri-tjetrin. Urrejtja ndikoi tek unë dhe fillova të tallesha me një djalë në klasën time që ishte hausa, ndonëse e kisha pasur shok.»—Xhoni, pjesëtar i grupit etnik igbo.

«Bashkë me shoqen time misionare po flitnim me njerëzit për Biblën, kur fëmijët, të nxitur nga kleri vendës, nisën të na ndiqnin e të na gjuanin me gurë. Ai donte që të iknim nga qyteti.»—Ollga.

A E KE provuar sa poshtërues është diskriminimi i padrejtë që zakonisht vjen nga paragjykimet? Mbase të kanë diskriminuar për shkak të ngjyrës së lëkurës, fesë, gjendjes ekonomike, gjinisë ose madje për shkak të moshës. Ata që diskriminohen vazhdimisht, shpesh jetojnë me frikën se mos keqtrajtohen prapë. Kur kalojnë pranë ndonjë grupi, kur futen në dyqan, kur shkojnë në një shkollë të re ose në ndonjë organizim shoqëror, mund t’i mbytë ankthi.

Gjithashtu, viktimat e paragjykimit dhe diskriminimit me zor mund të gjejnë punë, mund të marrin kujdes shëndetësor të dorës së dytë, arsimim jo aq cilësor dhe të privohen nga disa të drejta ligjore e mundësi që ofron shoqëria. Kur sanksionohet me ligj, diskriminimi mund të çojë në ligësi të tilla, si spastrimi etnik dhe gjenocidi. Një shembull i lashtë që tregon një orvatje për gjenocid gjendet në Bibël, në librin e Esterës. Vër re si ndikoi urrejtja dhe paragjykimi.—Estera 3:5, 6.

Fanatizmi dhe mungesa e tolerancës mund të ngrenë krye edhe atje ku ka ligje kundër diskriminimit. Një ish-komisionere e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë: «Edhe gjashtë dekada pas miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut . . . , parimet e drejtësisë dhe të mosdiskriminimit janë ende larg nga zbatimi universal.» Kjo është shqetësuese, sepse emigrimi dhe dyndja e refugjatëve e kanë ndryshuar ndjeshëm demografinë e shumë vendeve.

Pra, një shoqëri ku ka barazi është thjesht ëndërr apo paragjykimet dhe diskriminimi mund të mposhten? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.