Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paragjykimet dhe diskriminimi: Të shkojmë në rrënjë

Paragjykimet dhe diskriminimi: Të shkojmë në rrënjë

Paragjykimet dhe diskriminimi: Të shkojmë në rrënjë

«Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave. Ato janë të pajisura me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të veprojnë njëra ndaj tjetrës në një frymë vëllazërie.»—Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

PAVARËSISHT nga ky ideal fisnik, paragjykimet dhe diskriminimi ende e mundojnë njerëzimin. Ky realitet i hidhur pasqyron jo vetëm kohët tona kritike, por edhe papërsosmërinë e njerëzve. (Psalmi 51:5) Sidoqoftë, gjendja nuk është aspak e pashpresë. Vërtet, mbase nuk e zhdukim dot diskriminimin që shohim përreth, por mund të punojmë për të çrrënjosur paragjykimet që ndoshta janë strehuar brenda nesh.

Një fillim i mbarë është të pranojmë që çdonjëri nga ne mund të krijojë paragjykime. Libri Të kuptojmë paragjykimet dhe diskriminimin (anglisht) thotë: «Mbase përfundimet më të rëndësishme që dalin nga kërkimet rreth paragjykimeve janë këto: (1) asnjë njeri i aftë për të menduar e për të folur nuk është i imunizuar ndaj pasjes së paragjykimeve, (2) shpesh kërkohen përpjekje të qëllimshme dhe ndërgjegjësim për të pakësuar paragjykimet dhe (3) me motivin e dëshirën e duhur kjo mund të arrihet.»

Arsimimi është quajtur «arma më e fuqishme» në luftën kundër paragjykimeve. Për shembull, arsimimi i duhur mund të nxjerrë në pah shkaqet rrënjësore të paragjykimeve, na bën të shqyrtojmë qëndrimet tona më me objektivitet dhe na ndihmon t’u bëjmë ballë me mençuri paragjykimeve kur jemi viktima të tyre.

Të shkojmë në rrënjë

Paragjykimet i bëjnë njerëzit të shtrembërojnë, të keqkuptojnë e madje të shpërfillin fakte që bien ndesh me mendimet e tyre të formuara që më parë. Paragjykimet mund të zënë fill te disa vlera të trashëguara nga familja, që në dukje janë krejt pa të keq, por që mbështeten në ide të pasakta. Veç kësaj, ato mund të mbillen prej atyre që qëllimisht përhapin pikëpamje të shtrembëruara për raca dhe kultura të tjera. Paragjykimet mund të ushqehen edhe nga nacionalizmi dhe mësimet e rreme fetare. Gjithashtu mund të jenë fryt i krenarisë së tepruar. Teksa mendon për çështjet në vijim dhe për parimet përkatëse nga Bibla, përse të mos analizosh qëndrimet e tua dhe të shohësh nëse nevojitet ndonjë ndryshim?

Shokët. Njerëzit janë të shoqërueshëm nga natyra, dhe kjo është gjë e mirë. Vërtet, Bibla thotë se «kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste» e madje do ta përçmojë mençurinë. (Proverbat 18:1) Megjithatë duhet t’i zgjedhim me kujdes shokët, sepse ata mund të ndikojnë tepër te ne. Prandaj, prindërit e mençur interesohen shumë se me kë shoqërohen fëmijët e tyre. Studimet kanë treguar se edhe fëmijët tre vjeç mund të krijojnë preferenca raciale, të cilat i fitojnë nga qëndrimet, fjalët dhe gjestet e të tjerëve. Sigurisht, vetë prindërit duhet të bëjnë gjithçka munden që të ndikojnë për mirë te vogëlushët, duke mbajtur parasysh se ndikimi prindëror, në përgjithësi, është faktori më i rëndësishëm për modelimin e vlerave të fëmijës.

Çfarë thotë Bibla? «Stërvite djalin [ose vajzën] në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» (Proverbat 22:6) «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Në rast se je prind, mund ta pyesësh veten: «A po i drejtoj fëmijët e mi në rrugën që është e drejtë në sytë e Perëndisë? A shoqërohem me njerëz që kanë ndikim të shëndetshëm tek unë? A ndikoj për mirë te të tjerët?»—Proverbat 2:1-9.

Nacionalizmi. Një fjalor e përkufizon nacionalizmin si «ndjenjë atdhetare që ngre një komb mbi të tjerët dhe e vë theksin kryesor në çuarjen përpara të kulturës dhe interesave të tij e jo të kombeve të tjera». Në librin e tij Konflikt dhe bashkëpunim mes kombeve (anglisht), Ivo Dukaçeku, profesor i shkencave politike thoshte: «Nacionalizmi e ndan njerëzimin në grupe që nuk tregojnë tolerancë ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë, njerëzit mendojnë në radhë të parë si amerikanë, rusë, kinezë, egjiptianë ose peruanë dhe në radhë të dytë, në mos fare, si njerëz.» Një ish-sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara shkroi: «Shumë nga problemet që hasim sot vijnë për shkak ose si pasojë e qëndrimeve të gabuara, disa prej të cilave i kemi përvetësuar thuajse pa kuptuar. Ndër këto është koncepti i nacionalizmit mendjengushtë—‘i mirë ose i keq, është vendi im’.»

Çfarë thotë Bibla? «Perëndia e deshi aq shumë botën [gjithë njerëzimin], sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Pyet veten: «Nëse dashuria e Perëndisë është e paanshme, pra shtrihet te njerëzit e të gjitha kombeve, përfshirë edhe mua, a nuk duhet të bëj çmos ta imitoj, sidomos kur pohoj se e adhuroj atë?»

Racizmi. Sipas një fjalori, racistët besojnë se «raca është shkaku i karaktereve dhe aftësive të ndryshme që kanë njerëzit dhe se një racë është më superiore se të tjerat». Por, siç vëren The World Book Encyclopedia, studiuesit «nuk kanë zbuluar ndonjë bazë shkencore për pretendime të tilla lidhur me superioritetin [racial]». Padrejtësitë e rënda që ushqen racizmi, si për shembull, kur njerëzit u mohojnë sistematikisht të drejtat njerëzve të tjerë, janë dëshmi e dhembshme se racizmi mbështetet në gënjeshtra e në ide të gabuara.

Çfarë thotë Bibla? «E vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet.» (Veprat 17:26) «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» (1 Samuelit 16:7) Pyet veten: «A përpiqem t’i shoh të gjithë njerëzit siç i sheh Perëndia? A përpiqem të kuptoj si janë të tjerët—mbase ata të një race a kulture tjetër—duke i njohur disa prej tyre personalisht?» Kur arrijmë t’i njohim njerëzit personalisht, e kemi më të lehtë të shohim përtej pikëpamjeve të gabuara e të ngulitura.

Feja. Në librin Natyra e paragjykimeve (anglisht) thuhet: «Aktet e neveritshme janë të pashmangshme kur njerëzit e përdorin fenë për të justifikuar [synimet egoiste] dhe interesat e ngushta etnike. Pikërisht në këto raste, feja shkrihet me paragjykimet.» I njëjti libër vëren se të bën përshtypje sidomos që mjaft njerëz fetarë «duket se kalojnë nga devotshmëria fetare në paragjykime» shumë kollaj. Provat që mbështetin këto fjalë i gjejmë në kishat ku pranohen vetëm anëtarë të racave të caktuara, në urrejtjen dhe dhunën midis sekteve, si dhe në aktet terroriste të frymëzuara nga feja.

Çfarë thotë Bibla? «Mençuria nga lart [nga Perëndia] është . . . paqësore, e arsyeshme, . . . nuk mban anë.» (Jakovi 3:17) «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë [sipas së vërtetës që gjendet në Bibël].» (Gjoni 4:23) ‘Duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin.’ (Mateu 5:44) Pyet veten: «A më nxit feja ime t’i dua të gjithë sinqerisht, madje edhe ata që duan të më lëndojnë? A janë dyert e fesë sime të hapura për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga kombësia, ngjyra e lëkurës, gjinia, të ardhurat a pozita shoqërore?»

Krenaria. Kur krenaria është në formën e mendjemadhësisë ose të një vlerësimi të tepruar për veten, ka më tepër gjasa që njeriu të krijojë paragjykime. Për shembull, krenaria mund ta bëjë njeriun më të prirur që të ndihet superior ose të përçmojë njerëzit më pak të arsimuar a të varfër. Gjithashtu, ky njeri mund ta besojë më lehtë propagandën që lartëson grupin kombëtar a etnik ku bën pjesë. Propaganduesit e zgjuar, si diktatori nazist Adolf Hitler, kanë ushqyer qëllimisht krenarinë kombëtare dhe raciale për të tërhequr mbështetjen e masave e për të hedhur baltë mbi ata që konsideroheshin të ndryshëm ose të padëshirueshëm.

Çfarë thotë Bibla? «Njerëzit me zemër krenare janë të pështirë për Jehovain.» (Proverbat 16:5) ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten.’ (Filipianëve 2:3) Pyete veten: «Edhe pse nuk e shfaq, a më bëhet qejfi kur dëgjoj komente lajkatuese për racën a grupin tim etnik ose fjalë përçmuese për të tjerët? A kam prirjen të bëhem xheloz për ata që kanë talente që unë nuk i kam apo kënaqem sinqerisht për aftësitë e tyre?»

Po, për arsye të vlefshme, Bibla paralajmëron: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Proverbat 4:23) Pra, konsideroje zemrën si diçka mjaft të çmuar dhe mos lejo asgjë të ta prishë. Përkundrazi, mbushe zemrën me mençurinë e Perëndisë. Atëherë dhe vetëm atëherë, ‘aftësia për të menduar dhe aftësia dalluese do të të mbrojnë, për të të çliruar nga udha e keqe, nga njeriu që thotë mbrapshti’.—Proverbat 2:10-12.

Por ç’të bësh nëse je ti viktimë e paragjykimeve ose e diskriminimit? Kjo çështje do të trajtohet në artikullin vijues.

[Diçitura në faqen 6]

Kur arrijmë t’i njohim njerëzit personalisht, e kemi më të lehtë të shohim përtej pikëpamjeve të gabuara e të ngulitura