Prindër besnikë e bashkëpunues
Prindër besnikë e bashkëpunues
▪ Në rrafshnaltën kontinentale të Afrikës së Jugut, temperaturat janë afër zeros. Nga zyra ime e ngrohtë në katin e tretë, shoh tërë merak një pemë pa gjethe që përkulet sa andej-këtej nga era e furishme e dimrit. Në një bigëzim të pemës, një turtull (i quajtur turtulli që qesh) po mban ngrohtë dy zogj që kanë çelur vetëm para tri ditësh.
Para se të shtronte vezët e para, çifti i turtujve bashkëpunoi për të ndërtuar folenë; mashkulli sillte degëza dhe femra i sistemonte. Bënë një punë të shkëlqyer, pasi as erërat e furishme të dimrit nuk kanë mundur ta prishin folenë, e cila tashmë ka mbajtur dy herë vezë. Femra i ngrohte vezët natën, kurse mashkulli ditën. Vezët çelën pas afro dy javësh. Do të kalojnë edhe dy javë të tjera para se zogjtë të jenë aq të mëdhenj e të fortë sa të fluturojnë.
Mbani vesh! E dëgjoni gugatjen e këndshme që ngjan si e qeshur e lehtë? Turtulli femër, me gushën plot me ushqim për zogjtë e uritur, ka njoftuar ardhjen e saj në një degë aty pranë dhe është gati të zëvendësojë mashkullin. Edhe pasi zogjtë të lënë folenë, të dy prindërit do të vazhdojnë t’i ushqejnë derisa ata të kujdesen vetë për veten.
Shpesh mrekullohem nga bashkëpunimi dhe kujdesi i dashur që tregojnë këta zogj, instinktet e të cilëve kalojnë gjithnjë nga njëri brez te tjetri. Kjo më sjell ndër mend fjalët e Psalmit 86:8: «O Jehova, nuk ka asnjë si ti . . . , nuk ka as vepra si të tuat.»
Në Fjalën e tij të shkruar, në Biblën e Shenjtë, Perëndia Jehova ka siguruar për prindërit njerëzorë udhëzime që janë po aq të besueshme sa instinktet që u ka dhënë turtujve. Për shembull, Bibla i nxit nënat «të duan fëmijët». (Titit 2:4) Etërve u thotë: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4; 1 Timoteut 5:8) Patjetër, prindërit që veprojnë kështu, janë vërtet të çmuar në sytë e Perëndisë!