Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Univers plot surpriza

Univers plot surpriza

Univers plot surpriza

VEÇ një shekull më parë, shkencëtarët mendonin se krejt universi përmblidhej në galaktikën tonë Udha e Qumështit. Megjithatë, gjatë shekullit të 20-të, përparimet e mëdha në astronomi, fizikë dhe teknologji zbuluan sa marramendës është kozmosi. Gjithashtu, disa prej zbulimeve kanë treguar sa pak dimë. Për shembull, në dekadat e fundit astronomët kanë kuptuar se nuk e dinë nga çfarë përbëhet më shumë se 90 për qind e universit. Për më tepër, zbulimet që çuan drejt këtij përfundimi i kanë bërë shkencëtarët të vënë në pikëpyetje kuptueshmërinë e tyre rreth bazave të vetë fizikës. Sigurisht, këto çështje nuk lindën sot.

Për shembull, nga fundi i shekullit të 19-të, fizikanët vërejtën diçka të çuditshme për shpejtësinë e dritës. Ata zbuluan se në lidhje me një vrojtues, drita gjithnjë udhëtonte me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht sa shpejt lëvizte vrojtuesi. Por kjo nuk dukej logjike. Problemi u trajtua në vitin 1905 nga Albert Ajnshtajni në teorinë speciale të relativitetit. Me këtë teori ai tregoi se largësia (gjatësia), koha dhe masa janë relative. Pastaj, në vitin 1907, falë një shkëndije të intuitës, të cilën e quajti «mendimi më i lumtur i jetës sime», Ajnshtajni filloi të hartonte teorinë e përgjithshme të relativitetit, të cilën e botoi më 1916-n. Në këtë vepër revolucionare, Ajnshtajni ndërthuri bashkë gravitetin, hapësirën dhe kohën, si edhe përmirësoi shpjegimet e Isak Njutonit për fizikën.

Univers në zgjerim

Duke u bazuar në dëshmitë e asaj kohe, Ajnshtajni mendonte se universi është statik, pra as zgjerohet, as tkurret. Gjithsesi, në vitin 1929, astronomi amerikan Edvin Habëll paraqiti prova që tregonin se universi po zgjerohet.

Gjithashtu, Habëlli hodhi dritë rreth një misteri të vjetër për disa njolla të ndritshme të turbullta që vëreheshin natën në qiell. Ato i quanin nebuloza ose mjegullnaja, ngaqë dukeshin si re gazi. Por, a gjendeshin brenda galaktikës sonë këto mjegullnaja apo jashtë saj, siç kishte thënë sër Uiljam Hershelli (1738-1822) para një shekulli?

Kur Habëlli llogariti për herë të parë largësinë e njërës prej këtyre mjegullnajave, Mjegullnajës së Madhe në yjësinë e Andromedës, ai nxori përfundimin se kjo mjegullnajë ishte një galaktikë një milion vite-dritë larg. Pra ishte goxha larg nga Udha e Qumështit, e cila ka një diametër «vetëm» 100.000 vite-dritë. Ndërsa maste largësitë e mjegullnajave të tjera, ai nisi të zbulonte përmasat kolosale të kozmosit dhe zgjoi një revolucion në astronomi dhe kozmologji. *

S’kaloi shumë dhe Habëlli vërejti se universi po zgjerohet pasi dalloi se galaktikat e largëta largoheshin prej nesh. Gjithashtu vuri re se, sa më larg ishte galaktika, aq më shpejt largohej. Këto vrojtime nënkuptojnë se dje universi ishte më i vogël se sot. Kur Habëlli botoi veprën e tij novatore në vitin 1929, hapi udhën për zhvillimin e teorisë së big-bengut për origjinën e universit. Sipas kësaj teorie, universi erdhi si rezultat i një shpërthimi kozmik rreth 13 miliardë vjet më parë. Prapëseprapë tabloja është ende e paplotë.

Sa shpejt ndodh zgjerimi?

Që nga koha e Habëllit, astronomët janë munduar ta matin sa më saktë të jetë e mundur shpejtësinë e këtij zgjerimi, që quhet edhe «konstantja e Habëllit». Pse është kaq i rëndësishëm njehsimi i saj? Nëse do të llogaritnin sa shpejt po zgjerohet universi, këtë mund ta përdorin për të llogaritur moshën e tij. Për më tepër, shpejtësia e zgjerimit mund të nënkuptojë pasoja serioze për të ardhmen. Në ç’kuptim? Sipas arsyetimeve, në rast se universi zgjerohet tepër ngadalë, graviteti do të fitojë e do të shkaktojë që gjithçka të ngjeshet në një njësi të vetme të quajtur big kranç. Nga ana tjetër, nëse zgjerimi është tepër i shpejtë, universi mund të zgjerohet pambarimisht e të shpërbëhet krejt.

Ndonëse matje më të sakta u kanë dhënë përgjigje disa prej pyetjeve, pyetje të tjera janë ngritur, pyetje që hedhin dyshime për kuptueshmërinë tonë rreth materies dhe forcave themelore të natyrës.

Energjia e errët dhe lënda e errët

Më 1998-n kërkuesit gjetën prova se zgjerimi i universit po përshpejtohet, teksa studionin dritën e një lloji të veçantë supernove ose ylli shpërthyes. * Fillimisht shkencëtarët ishin mosbesues, por shpejt provat u shtuan. Natyrisht, ata ishin kureshtarë se ç’lloj energjie po e shpejtonte zgjerimin. Së pari, dukej se ajo vepronte kundër gravitetit dhe, së dyti, nuk parashikohej nga teoritë e kohës. Kjo energji misterioze është quajtur me vend energjia e errët dhe mendoni që ajo mund të përbëjë gati 75 për qind të universit!

Sidoqoftë, kjo energji nuk është e vetmja çudi «e errët» e zbuluar në kohët e fundit. Një tjetër dukuri u konfirmua në vitet 80 të shekullit të 20-të kur astronomët analizuan galaktika të ndryshme. Shpejtësia me të cilën këto galaktika, ashtu sikurse edhe galaktika jonë, rrotulloheshin rreth vetes, ishte aq e madhe sa, normalisht, duhej të shpërbëheshin. Pra, me sa duket, duhej të ekzistonte ndonjë lëndë që u jepte tërheqjen gravitacionale të nevojshme. Por ç’lëndë ishte kjo? Meqë shkencëtarët nuk e dinë, e kanë quajtur lëndë të errët, pasi nuk thith, nuk lëshon dhe as pasqyron ndonjë sasi të dallueshme rrezatimi. * Sa lëndë të errët ka në univers? Llogaritjet tregojnë se ajo mund të përbëjë 22 për qind a më shumë të masës së universit.

Mendoni: sipas llogaritjeve të sotme, lënda e zakonshme zë rreth 4 për qind të masës së universit. Dy enigmat e mëdha: lënda e errët dhe energjia e errët, duket se zënë pjesën tjetër. Kështu, gati 96 për qind e universit mbetet mister i plotë. *

Kërkime që s’do të marrin fund kurrë

Shkenca është në kërkim të përgjigjeve, por shumë shpesh disa përgjigje çojnë në enigma të tjera. Ky fakt na sjell ndër mend disa fjalë të thella të shkruara në Bibël tek Eklisiastiu 3:11. Aty thuhet: «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»

Sigurisht, sot jemi të kufizuar në gjërat që mund të mësojmë, sepse jeta jonë është e shkurtër. Veç kësaj, një pjesë e mirë e kësaj njohurie bazohet në hipoteza, pra mund të ndryshojë. Por kjo gjendje është e përkohshme, pasi Perëndia ka si qëllim t’u japë njerëzve që i qëndrojnë besnikë atij, jetën e pafund në një parajsë në tokë. Atëherë mund të studiojnë krijimin e tij në përjetësi, e kështu të marrin njohuri të saktë.—Psalmi 37:11, 29; Luka 23:43.

Prandaj, s’ka pse të kemi frikë nga hamendjet se universi do të shkatërrohet. Në fund të fundit, shkenca ka zbuluar vetëm një grimcë të gjithësisë, kurse Krijuesi di gjithçka.—Zbulesa 4:11.

[Shënimet]

^ par. 7 Astronomia studion trupat dhe lëndën jashtëtokësore. Kozmologjia është degë e astronomisë dhe, sipas The World Book Encyclopedia, «studion strukturën dhe zhvillimin e universit, si dhe forcat që veprojnë në të. Kozmologët përpiqen të shpjegojnë si u krijua universi, ç’ka ndodhur qysh atëherë dhe ç’mund të ndodhë në të ardhmen».

^ par. 13 Yjet shpërthyese quhen supernova të tipit 1a dhe për një kohë të shkurtër mund të ndriçojnë sa një miliard diej të marrë së bashku. Astronomët i përdorin këto supernova si standard për matjet.

^ par. 14 Hipoteza për lëndën e errët u hodh në vitet 30 të shekullit të 20-të dhe u vërtetua në vitet 80. Sot astronomët masin sa lëndë të errët mund të ketë një grumbull galaktikash, duke vrojtuar si e përthyen ky grumbull dritën që vjen nga objekte më të largëta.

^ par. 15 Viti 2009 është quajtur «Viti Ndërkombëtar i Astronomisë» dhe shënon 400-vjetorin e përdorimit për herë të parë të teleskopit astronomik nga Galileo Galilei.

[Kutia në faqen 17]

TË NGREMË SYTË E TË JEMI TË PËRULUR

Kur një shërbëtor i Perëndisë në lashtësi ngrinte sytë drejt qiellit të kthjellët e pa smog natën, mbushej me nderim të thellë, të cilin e shprehu në vargje. Te Psalmi 8:3, 4 lexojmë: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!» Po, psalmisti nuk kishte as teleskopë dhe as kamera speciale. E pra, sa më shumë nderim duhet të provojmë ne!

[Diagrami në faqen 18]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

74% energji e errët

22% lëndë e errët

4% lëndë e zakonshme

[Burimi i figurës në faqen 16]

Sfondi: bazuar në një fotografi të NASA-s

[Burimi i figurës në faqen 18]

Sfondi: bazuar në një fotografi të NASA-s