Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të digjen në ferr njerëzit e këqij?

A do të digjen në ferr njerëzit e këqij?

Pikëpamja e Biblës

A do të digjen në ferr njerëzit e këqij?

GERTRUDA, një predikuese pentekostale, nuk luante nga bindja e saj për ferrin e zjarrtë. Vetëm ideja se mund të mos ekzistonte një vend i tillë, i dukej e padrejtë. Ajo mendonte se, pa zjarrin e ferrit, gjithë ato krime makabre do të mbeteshin pa u ndëshkuar. Gertruda qëndroi e patundur në bindjen e saj. Ajo tha: «S’ma merr mendja se do ta adhuroja Perëndinë, po të mos kishte një ferr për të ligjtë.»

A do të digjen në ferr njerëzit e këqij siç predikojnë shumë fe? Nëse jo, çfarë dënimi do të marrin?

Dënimi i parë nga Perëndia

Sipas Biblës, Perëndia e krijoi të përsosur çiftin e parë. (Zanafilla 1:27; Ligji i përtërirë 32:4) Ai i vuri në një kopsht parajsor dhe u dha mundësinë të jetonin përgjithmonë. Megjithatë, njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, iu vu një kufizim. Perëndia dha këtë paralajmërim: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.»—Zanafilla 2:16, 17.

Mjerisht, prindërit tanë të parë dështuan në këtë sprovë të thjeshtë besnikërie dhe bindjeje. Krijuesi u detyrua t’i dënonte me vdekje. «Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»—Zanafilla 3:19.

Nëse Adami dhe Eva do të rrezikonin të digjeshin në ferr, a nuk do t’i kishte paralajmëruar Perëndia për këtë dënim? E vërteta është se ai as nuk e zuri në gojë vuajtjen pas vdekjes. Në fund të fundit, si mund të vuanin? Nuk kishin shpirtra të pavdekshëm që mund të jetonin pas vdekjes. Bibla e thotë mjaft qartë këtë: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.»Ezekieli 18:4. *

Si Dhënësi i jetës, Krijuesi ynë di gjithçka për jetën dhe vdekjen. Në Fjalën e tij ai na thotë se «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë». (Eklisiastiu 9:5) Ja përse Adami dhe Eva s’mund të vuanin në një ferr të zjarrtë pas vdekjes. Ata thjesht u kthyen në pluhur dhe nuk ekzistonin më. S’ishin «të vetëdijshëm për asgjë».

A vuajmë pas vdekjes?

Bibla thotë te Romakëve 5:12: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, . . . vdekja u përhap në të gjithë njerëzit.» E pra, a është logjike që njerëzit të vuajnë në një ferr të zjarrtë për mëkatet e tyre, ndërkohë që Adami, pikërisht ai që solli vdekjen mbi gjithë njerëzimin, vetëm sa u bë pluhur kur vdiq?—1 Korintasve 15:22.

Të gjithë i nënshtrohemi të njëjtit ligj, sikurse Adami. «Paga që paguan mëkati është vdekja.» Për më tepër, kur njeriu vdes, «shfajësohet nga mëkati i vet». (Romakëve 6:7, 23) Por, përderisa të ligjtë edhe të mirët vdesin dhe askush nuk vuan pas vdekjes, atëherë ku është drejtësia e Perëndisë?

Drejtësia e Perëndisë

Qëllimi i Perëndisë për njerëzit e bindur nuk ka ndryshuar që kur krijoi çiftin e parë dhe u tha atyre të kishin fëmijë e të kujdeseshin për tokën. (Zanafilla 1:28) Është e qartë se ky ka mbetur ende qëllimi i tij, pasi më vonë ai shpalli: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.

Vini re se të drejtët do të jetojnë në këtë tokë. Do të kenë shëndet të përsosur dhe lumturi. Qëllimi fillestar i Perëndisë që toka të mbushet me njerëz të drejtë ‘do të kryhet patjetër’. Kjo do të ndodhë kur ta zëvendësojë këtë sistem të lig me një botë të re.—Isaia 55:11; Danieli 2:44; Zbulesa 21:4.

Miliarda njerëz që kanë vdekur në padije për kërkesat e Perëndisë, do të ringjallen e do të marrin udhëzime për jetën në botën e re të Perëndisë. (Isaia 11:9; Gjoni 5:28, 29) Nga ana tjetër, çdokush që nuk pranon t’u bindet ligjeve të Perëndisë do të dënohet me ‘vdekjen e dytë’. Kjo është vdekja nga e cila nuk do të zgjohen kurrë.—Zbulesa 21:8; Jeremia 51:57.

Është e qartë se, si një Perëndi i dashurisë, Jehovai nuk do t’i torturojë njerëzit në ferrin e zjarrtë. (1 Gjonit 4:8) As nuk do t’i tolerojë përgjithmonë të ligjtë. Në përputhje me këto, Psalmi 145:20 na siguron se «Jehovai i ruan të gjithë ata që e duan, kurse të ligjtë do t’i shfarosë të tërë». A nuk tregon dashuri dhe drejtësi kjo?

[Shënimi]

^ par. 8 Në Bibël, me fjalën «shpirt» nënkuptohet i gjithë njeriu, jo diçka e ndarë nga trupi. Te Zanafilla 2:7 thuhet: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» Adamit nuk iu dha një shpirt i ndarë nga trupi. Përkundrazi, vetë Adami ishte një shpirt i gjallë.

A DONI TË DINI?

▪ A kemi një shpirt të pavdekshëm?—Ezekieli 18:4.

▪ Cila është gjendja e të vdekurve?—Eklisiastiu 9:5.

▪ Si do t’i ndëshkojë Perëndia të ligjtë?—Psalmi 145:20.

[Diçitura në faqen 11]

«Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»—Eklisiastiu 9:5

[Burimi i figurës në faqen 10]

Fotografia: www.comstock.com