Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arrçi i detit​—Shkurre me shumë përdorime

Arrçi i detit​—Shkurre me shumë përdorime

Arrçi i detit​—Shkurre me shumë përdorime

▪ Në fillim të vjeshtës, kur një vizitor udhëton nëpër Rusi, mund të shohë në peizazhin natyror arrçin e detit, * një shkurre ose pemë e vogël, e ngarkuar me kokrra si rruaza, ngjyrë portokalli të ndezur. Këto nuk rriten në vile, por veshin çdo degë e lastar me një ngjyrë që bie në sy.

Kokrrat hahen, por, kur i mblidhni, ruhuni nga gjembat e mprehtë. Duhet t’i kapni një e nga një dhe bëni kujdes të mos i shtypni. Meqë i pëlqen klima e ftohtë, arrçi i detit gjendet kryesisht në rajonet malore nga veriperëndimi i Evropës deri në malet Altai të Azisë Qendrore, si dhe në Kinën Perëndimore dhe Veriore e në Himalajat Veriore. Këto fryte janë çmuar ndër shekuj në vende, si Kina, Rusia dhe Tibeti.

Arrçi i detit përmendet si në tekstet e lashta mjekësore tibetiane, ashtu edhe në tekstet antike greke. Emri i tij grek hipofaí do të thotë «kali që shkëlqen». Mendohet se ky emër lidhet me zakonin e grekëve të lashtë që i përdornin pemlat ose gjethet e arrçit për kuajt e garave, që të kishin qime të shndritshme.

Arrçin e detit e sollën në Amerikën e Veriut emigrantët rusë në fillim të shekullit të 20-të, kur nga Siberia çonin shkurre në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara që t’i kultivonin për qëllime tregtare. Në shumë vende, kjo shkurre kultivohet si një bimë e rëndësishme ushqimore e mjekësore.

Kokrrat e arrçit të detit përmbajnë ndër të tjera vitaminë C dhe E, acid folik, karotinoide, acide yndyrore dhe flavonoide. Kërkimet mjekësore të kohëve të fundit kanë marrë në shqyrtim pohimet se arrçi i detit është i dobishëm për trajtimin e kancerit, për të pakësuar rreziqet kardiovaskulare e për të kuruar ulcerat e stomakut e të zorrëve, si dhe për sëmundjet e lëkurës dhe të mëlçisë. Këto fryte përdoren si stimulues për sëmundje të ndryshme dhe me to bëhen pije freskuese me shije të thartë.

Arrçi i detit çmohet edhe për farën e tij të vogël e të zezë. Vaji i farave përmban shumicën e vlerave ushqyese të frytit. Nga disa studime mendohet se vaji i arrçit të detit forcon sistemin imunitar. Gjithashtu vaji përdoret edhe në kozmetikë dhe për produktet e lëkurës, ngaqë vlerësohet për vetitë e tij përtëritëse.

Nëse shkoni ndonjëherë në Rusi, mund të shihni e të admironi bukurinë e kokrrave të arta në portokalli të arrçit të detit. Megjithatë, siç pamë më sipër, kjo bimë nuk është vetëm e bukur. Po, është një nga krijimet e shumta që dëshmojnë për mençurinë dhe mirësinë e Krijuesit tonë.

[Shënimi]

^ par. 2 Mbase quhet kështu ngaqë rritet përgjatë brigjeve të detit nëpër Evropë dhe Azi.