Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilat janë vështirësitë?

Cilat janë vështirësitë?

Cilat janë vështirësitë?

Si mendon? A janë më të mëdha vështirësitë që hasin të rinjtë e këtij brezi në krahasim me vështirësitë e brezave të së djeshmes? Nëse përgjigjja është jo, atëherë mbase mendon se adoleshentët e sotëm janë më fatlumët e çdo brezi të rinjsh në histori.

Në shumë vende, mjekësia parandalon sëmundje që dikur u rrëmbenin shëndetin dhe jetën të rinjve. Teknologjia prodhon pajisje dhe lojëra elektronike që brezat e kaluar s’i kanë parë as në ëndërr. Veç kësaj, përparimi ekonomik ka nxjerrë nga varfëria miliona familje. Ç’është e vërteta, sa e sa prindër punojnë pa u lodhur për t’u siguruar fëmijëve kushtet dhe arsimin që vetë s’i kanë pasur.

Pa dyshim, të rinjtë e sotëm kanë shumë avantazhe. Nga ana tjetër, hasin vështirësi të papara. Një arsye është se njerëzimi sot po jeton në një periudhë që Bibla e quan ‘përfundimi i sistemit’. (Mateu 24:3) Jezu Krishti paratha me saktësi se kjo epokë do të karakterizohej nga trazira të mëdha shoqërore. (Mateu 24:7, 8) Bibla e quan këtë epokë «ditët e fundit» dhe i përshkruan kushtet mbizotëruese shoqërore si «të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Shqyrto disa nga rrethanat e vështira për t’u përballuar, që hasin adoleshentët sot.

Vështirësia 1

Gjithnjë e më të veçuar

Filmat, programet televizive dhe revistat i kanë paraqitur të rinjtë sikur rrethohen vazhdimisht nga një grup shokësh me të cilët rriten bashkë gjatë viteve të shkollës dhe e ruajnë atë miqësi edhe kur dalin në jetë. Realiteti është krejt ndryshe për shumicën e adoleshentëve.

Studiuesit Barbara Shnajder dhe Dejvid Stivenson, që shqyrtuan intervistat e mijëra të rinjve në Shtetet e Bashkuara, zbuluan se ishin «relativisht të paktë nxënësit që mbanin po atë shok të ngushtë ose rreth të vogël miqsh me kalimin e kohës». Shnajderi dhe Stivensoni thonë se shumë të rinjve «u mungojnë lidhjet e ngushta dhe kanë pak shokë të ngushtë me të cilët ndihen rehat të bisedojnë për problemet ose të shkëmbejnë mendime».

Duket se adoleshentët që zënë shokë, nuk kanë mjaft kohë të rrinë me ta. Një studim i madh në Shtetet e Bashkuara tregoi se shumica e adoleshentëve e kalojnë rreth 10 për qind të kohës duke ndenjur me shokët, por 20 për qind të kohës e kalojnë vetëm—më shumë se me familjen ose me miqtë. Ata hanë vetëm, udhëtojnë vetëm dhe argëtohen vetëm.

Këtë prirje drejt veçimit po e nxit edhe shtimi i pajisjeve elektronike. Për shembull, në vitin 2006, revista Time tregoi se, në Amerikë, të rinjtë e moshës nga 8 deri në 18 vjeç kalojnë mesatarisht gjashtë orë e gjysmë në ditë me sy të ngulur te televizori, me veshët e taposur me kufjet e muzikës ose me duart te pulti i videolojërave a te tastiera e kompjuterit. *

Sigurisht, ky nuk është brezi i parë që kalon orë duke shijuar muzikën ose duke luajtur. (Mateu 11:16, 17) Por orët e shumta që tani i kalojnë vetëm me pajisjet elektronike, në vend që të rrinë me familjet, mund të jenë të dëmshme. Studiuesit Shnajder dhe Stivenson thonë: «Të rinjtë tregojnë se kanë më pak vlerësim për veten, janë më pak të lumtur, e shijojnë më pak atë që bëjnë dhe janë më pak aktivë kur rrinë vetëm.»

Vështirësia 2

Presioni për të bërë seks

Adoleshentët, madje edhe ata që s’kanë hyrë në adoleshencë, janë në një presion të jashtëzakonshëm për të eksperimentuar me seksin. Natani, një i ri që jeton në Australi, thotë: «Shumica e nxënësve që njihja në shkollë filluan të bënin seks nga 12 deri në 15 vjeç.» Vinba, një vajzë që jeton në Meksikë, thotë se seksi sa për të kaluar kohën, ishte mjaft i përhapur në shkollën e saj. «Ata që nuk bënin seks shiheshin si të çuditshëm»,—thotë ajo. Ana, një 15-vjeçare që jeton në Brazil, thotë: «Seksi sa për të kaluar kohën është kaq i përhapur te moshatarët e mi, saqë nuk mjafton t’u thuash vetëm një herë jo. Duhet t’i refuzosh vazhdimisht ftesat.»

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar anketuan 1.000 të rinj nga mosha 12 deri 19-vjeçare që vinin nga ambiente të ndryshme. Ata panë se thuajse 50 për qind e tyre përfshiheshin rregullisht në ndonjë formë të aktivitetit seksual. Mbi 20 për qind e këtyre të rinjve aktivë seksualisht ishin vetëm 12 vjeç. Dr. Dilan Grifithsi, i cili mbikëqyri studimin, thotë: «Kufizimet e vëna tradicionalisht nga familja, Kisha dhe institucionet e tjera, janë zhdukur dhe të rinjtë kanë mbetur viktima.»

A janë vërtet «viktima» të rinjtë që eksperimentojnë me seksin? Në një raport të botuar në vitin 2003, studiuesit Rektor, Nois dhe Xhonson treguan se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes aktivitetit seksual në adoleshencë, depresionit dhe rritjes së rrezikut të tentativave për vetëvrasje. Ata analizuan intervistat e 6.500 adoleshentëve dhe panë se «vajzat që janë aktive seksualisht rrezikojnë tri herë më shumë të bien në depresion, se vajzat e tjera». Ndërsa djemtë «që janë aktivë seksualisht rrezikojnë më shumë se dyfish të bien në depresion, në krahasim me të tjerët».

Vështirësia 3

Familje të prishura

Të rinjtë në Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar ndryshime të shpejta në strukturën familjare dhe po përballen me një kod vlerash morale të ndryshueshme. «Në këto pak dekada ka pasur disa ndryshime demografike të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e adoleshentëve,—thuhet në librin Brezi ambicioz: Adoleshentët amerikanë me ambicie, por pa drejtim (anglisht).—Familja e zakonshme amerikane po zvogëlohet, kështu që adoleshentët kanë më pak motra e vëllezër. Ndërkohë që divorcet po shtohen, më shumë fëmijë po e kalojnë një pjesë të fëmijërisë vetëm me një prind. Gjithashtu, më shumë nëna të fëmijëve nën tetëmbëdhjetë vjeç punojnë, pra rriten gjasat që të mos kenë një të rritur në shtëpi.»

Shumë fëmijë, qofshin me një ose me të dy prindërit, ndihen të largët me ta pikërisht kur kanë më tepër nevojë. Një studim që vëzhgoi 7.000 adoleshentë gjatë një periudhe disavjeçare, tregoi se shumica e adoleshentëve mendonin se prindërit e tyre ishin të dashur dhe tolerantë. Megjithatë, «vetëm një e treta thanë se u kushtohet vëmendje e veçantë dhe u jepet ndihmë kur kanë ndonjë problem». Gjithashtu u pa se «shumica e adoleshentëve mendojnë se pikërisht në situatat e vështira prindërit ka më pak të ngjarë të ndërhyjnë dhe t’i ndihmojnë».

Në Japoni, lidhja familjare, dikur e fortë, po gërryhet nga dëshira për mirëqenie ekonomike. Juko Kauanishi, profesoreshë e sociologjisë, thotë: «Shumica e prindërve të adoleshentëve të sotëm kanë lindur në dekadat pas Luftës II Botërore, dhe, teksa rriteshin, janë ushqyer me një kod të ri vlerash që theksonte mirëqenien ekonomike dhe të mirat materiale.» Çfarë vlerash u trashëgojnë këta prindër fëmijëve? Kauanishi thotë: «Sot shumë prindër shqetësohen kryesisht për notat e fëmijëve. Për sa kohë fëmijët janë në shkollë, gjërat e tjera dalin në plan të dytë ose nuk përfillen fare në shtëpi.»

Si ndikon te të rinjtë kjo pikëpamje e paekuilibruar që e vë theksin te suksesi material dhe te arritjet në mësime? Në Japoni, media shpesh flet për dukurinë kireru, një term që përshkruan shpërthimin e të rinjve kur janë nën presion për të dalë sa më mirë në mësime. «Kur fëmijët veprojnë si të çmendur,—thotë Kauanishi,—shkaku mund të jetë se nuk e ndiejnë ndikimin frenues të familjes në sjelljen e tyre.»

Arsye për optimizëm

Sigurisht po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Gjithsesi, Bibla nuk mjaftohet vetëm duke parathënë se njerëzit e kësaj kohe do të kalonin gjithnjë e më tepër telashe.

Bibla jep këshilla ndërtuese se si mund ta përmirësojnë të rinjtë jetën. Perëndia Jehova, Autori i Biblës, dëshiron me gjithë zemër t’i mësojë të rinjtë si t’i përballojnë vështirësitë. (Proverbat 2:1-6) Ai dëshiron që ata të kenë një jetë të mirë. Fjala e tij mund t’u japë «të papërvojëve mendjehollësi, të rinjve njohuri dhe aftësi për të menduar». (Proverbat 1:4) Shihni se si mund t’ju ndihmojnë parimet e Biblës.

[Shënimi]

^ par. 10 Të rinjtë që mbyllen në dhomën e tyre janë shtuar kaq shumë në Japoni, saqë iu është vënë një emër, hikikomori. Disa njerëz llogaritin se ka 500.000 deri në 1.000.000 hikikomori në Japoni.

[Diçitura në faqen 5]

Sipas një studimi, vajzat që janë aktive seksualisht rrezikojnë tri herë më shumë të bien në depresion, se vajzat e tjera

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Shkatërrojnë veten

Një raport i qeverisë në vitin 2006, tregoi se përdorimi i kokainës te mosha 11 deri 15-vjeçare u dyfishua brenda një viti në Britani. Rreth 65.000 të rinj thanë se e kishin provuar këtë drogë. Në Holandë, më shumë se 20 për qind e të rinjve, nga 16 deri në 24 vjeç, thuhet se janë deri në njëfarë mase të varur nga alkooli ose kanë sëmundje që lidhen me alkoolin.

Mjaft të rinj e shprehin gjendjen e rëndë shpirtërore duke e dëmtuar direkt trupin. Ata e presin, e kafshojnë ose e djegin trupin. «Është llogaritur se rreth tre milionë amerikanë vuajnë nga vetëdëmtimi dhe një në çdo 200 adoleshentë vetëdëmtohet rregullisht»,—thonë studiuesit Len Ostin dhe Xhuli Kortum.

[Figura në faqen 3]

Shumë të rinj nuk kanë shokë të ngushtë me të cilët të hapen