Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Të rinjtë pyesin . . . Çfarë të bëj nëse vëllai a motra është vetëvrarë? (qershor 2008) Para se të vdiste, motra e madhe vuajti pesë vjet nga depresioni. E kisha parë me sytë e mi sa e kishte munduar sëmundja, prandaj mendova: ‘Ç’jetë fatkeqe që pati!’ Por, artikulli i Zgjohuni! sugjeronte të sillnim ndër mend kujtimet e bukura. Ndërsa bëja këtë, nisa ta ndieja se motra nuk kishte pasur një ‘jetë fatkeqe’, por faktikisht kishte bërë një jetë të lumtur, pasi kishte kaluar më shumë kohë të bukura se të vështira.
S. J., Japoni
Të rinjtë pyesin . . . Pse prindërit s’kanë besim tek unë? (prill 2008) Pasi lexova e zbatova parimet biblike që gjeta te Zgjohuni!, kuptova se të fitosh besimin e të tjerëve dhe të piqesh është si puna e shkallëve që i ngjit një nga një, jo si një derë në të cilën kalon menjëherë. Që prindërit të më jepnin më tepër liri, duhej t’u jepja prova se mund të më besonin. Duhej të mbaroja punët e shtëpisë e të bëja detyrat. Ju falënderoj për artikuj si ky.
T. L., Shtetet e Bashkuara
Si të përballosh albinizmin? (korrik 2008) Ngaqë e kam edhe vetë këtë çrregullim, fillimisht u kënaqa kur pashë artikullin. Por, më erdhi keq kur vura re se aty përdorej disa herë fjala «albin». Kjo fjalë është përdorur në forma shumë përçmuese për të treguar përbuzjen ndaj njerëzve me këtë çrregullim.
A. L., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Na vjen keq për ndonjë pakënaqësi që mund t’u ketë shkaktuar kjo lexuesve. E përdorëm fjalën «albin» sipas përdorimit të saj mjekësor. Por e pranojmë se disa e kanë keqpërdorur këtë term. Nga ana tjetër, shumë veta që janë me albinizëm e pranojnë fjalën dhe nuk ndihen të fyer nga përdorimi i saj. Natyrisht që nuk kishim si synim të flitnim keq për askënd.
Faleminderit që botuat këtë artikull, sepse edhe unë jam albin si Xhoni. E vlerësova shumë që botuat për albinizmin një artikull të saktë, të bazuar në fakte, të menduar mirë, edukues dhe informativ. Falë tij, miqtë e mi tani e kuptojnë më mirë këtë çrregullim që kam.
T. M., Shtetet e Bashkuara
Dashuri më e fuqishme se uragani! (gusht 2008) Artikuj si ky më kujtojnë të mos jem në ankth për të ardhmen, por të mbështetem plotësisht te Perëndia. Tre vjet më parë, e provova dashurinë vëllazërore kur një përmbytje shkatërroi shtëpinë e prindërve të mi jobesimtarë. Dëshmitarët e Jehovait nga kongregacioni im na erdhën menjëherë në ndihmë. Falënderoj Jehovain që jam pjesë e kësaj organizate.
D. V., Poloni
Misri—Një mrekulli (gusht 2008) Familja ime mbillte misër në bahçe, po kokrrat nëpër kallinj nuk kishin të gjitha të njëjtën madhësi. Tani, falë këtij artikulli, e kuptojmë arsyen. Në bahçe mund të mbillnim vetëm pesë a gjashtë fidanë, kështu që ata nuk arrinin të pjalmoheshin siç do të ndodhte në një fushë të madhe. Vitin e kaluar, duke pjalmuar me kujdes secilën nga mustaqet e bardheme, arritëm të merrnim misër të ëmbël shumë të shijshëm me kokrra të barabarta. Shumë faleminderit.
R. U., Japoni