Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Tani, në çdo dhjetë katastrofa, nëntë lidhen me klimën. Gjatë dy dekadave të kaluara, katastrofat e dokumentuara janë dyfishuar nga 200 në vit në më tepër se 400.»—XHON HOLMS, NËNSEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ÇËSHTJET HUMANITARE DHE KOORDINATORI I NDIHMAVE NË RASTE URGJENTE.
Të drejtat e indigjenëve
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Indigjenëve, e adoptuar në vitin 2007, tani është përkthyer në gjuhët maja dhe nahuatl, dy gjuhët indigjene më të folura në Meksikë. Gazeta El Universal thotë: «Të paktën 10 milionë njerëz [në Meksikë] nuk i dinë të drejtat e tyre. Prandaj, shpesh nuk e dinë se janë viktima të keqtrajtimit.» Thuhet se përkthimi do t’i ndihmojë këta njerëz të sigurohen se po u respektohen të drejtat themelore.
Shesin virgjërinë
Sipas revistës Newsweek Polska, gatishmëria e disa të rejave polake që përvojën e parë seksuale ta shkëmbejnë për para, i trondit sociologët. «Nga çdo anë, të rinjve u vjen një mesazh i thjeshtë: çdo gjë është në shitje»,—thotë psikologu Jacek Kurzhepa, nga Universiteti i Zielona Górës. Madje gjithnjë e më shumë të reja po e vënë në ankand virgjërinë e tyre, në Internet. Mirëpo, çmimi që paguajnë për këtë zgjedhje që bëjnë, është i lartë. «Ky vendim do t’u rëndojë shumë për pjesën tjetër të jetës dhe do të ndikojë në marrëdhënien që do të kenë me partnerin»,—thotë Kurzhepa.
Në Amazonë dikur kishte qytetërim
Zona të mëdha të Amazonës Jugore, që besohej se ishin pyje të virgjëra, njëherë e një kohë mund të kenë pasur komunitete urbane «të rrethuara me mure të mëdha». Në këtë përfundim arritën antropologët që punonin në Mato-Groso, Brazil. Atje zbuluan «rrjete qytetesh me mure dhe fshatrash më të vogla» të mbuluara nga pylli tropikal, që zinin një sipërfaqe ndoshta 30.000 kilometra katrorë. Disa qytete zinin një sipërfaqe prej 60 hektarësh. Në një raport nga Universiteti i Floridës, antropologët e të cilit bënë zbulimin, thuhet se vendbanimet «datojnë nga viti 1250 deri në vitin 1650, kur kolonizatorët evropianë dhe sëmundjet që sollën, ka të ngjarë të kenë shfarosur shumicën e banorëve».
Bimët të ndihmojnë të shërohesh pas operimit
Prej kohësh është menduar se kontakti me natyrën mund të pakësojë stresin, të sjellë ndjenja pozitive e të lehtësojë dhembjet e të sëmurëve. Kërkimet e reja e vërtetojnë këtë mendim. «Pacientët u caktuan rastësisht në dhoma spitali me ose pa bimë, gjatë periudhës së shërimit pas operimit»,—shpjegon Science Daily. Pacientët që kishin bimë në dhomë, ndienin më pak dhembje, morën shumë më pak mjekime për lehtësimin e dhembjeve, kishin rrahje zemre dhe tension gjaku më të mirë dhe ishin më të kënaqur me dhomën sesa të tjerët. Rreth 93 për qind e atyre që kishin bimë në dhomë, thanë se ishte gjëja «më pozitive» aty brenda.