Shtrëngoj fort dorën e Perëndisë
Shtrëngoj fort dorën e Perëndisë
▪ Jezreli nga Meksika lindi me një sëmundje të rrallë të lëkurës, që quhet iktioza lameloze e lindur. Nga sëmundja, pjesën më të madhe të lëkurës së trupit e ka me luspa e kallo. «Në sytë e të tjerëve dukem i pështirë, por sëmundja nuk është ngjitëse»,—shpjegon Jezreli.
Që foshnjë, Jezrelin e kuruan në disa spitale. Në moshën dyvjeçare e vunë në një mjedis steril, në një zonë të izoluar të spitalit, që të mos merrte infeksione. Por, lëkura nuk pati asnjë përmirësim. Mori edhe trajtim psikiatrik për të përballuar ndjenjat e mënjanimit.
Shpesh njerëzit e shmangin Jezrelin, pasi mendojnë se sëmundja e tij është ngjitëse. Kjo ia vështirësonte jetën jashtë mase sidomos kur ishte fëmijë dhe donte të luante me fëmijët e tjerë. Ai kujton: «Më tallnin dhe më vinin nofka fyese si ‘mumie’ dhe ‘alien’.»
Nga ana tjetër, kjo sëmundje që bie në sy i ka dhënë mundësi Jezrelit t’u flasë të tjerëve për shpresën e tij nga Bibla. Shpesh njerëzit i afrohen dhe e pyesin mos është djegur. Kur u thotë jo, e pyesin çfarë i ka ndodhur. Ai u shpjegon sëmundjen e tij të lëkurës dhe u thotë se tani për tani nuk ka kurim.
Pastaj u thotë: «Kam shpresën më të mirë në botë, sepse Perëndia Jehova premton se ata që u binden ligjeve të tij, do të jetojnë në një botë të re ku nuk do të ketë më sëmundje e dhembje.» (Zbulesa 21:3, 4) Këto biseda për sëmundjen i kanë dhënë mundësi të fillojë studime biblike dhe, për kënaqësinë e tij, shumë prej tyre janë bërë Dëshmitarë të Jehovait.
Jezreli thotë: «Jam mirënjohës që linda në një familje të krishterë dhe që, si Dëshmitar i Jehovait, kam miq të ngushtë. Asnjëri prej tyre nuk më mënjanon për shkak të pamjes sime. U pagëzova kur isha 17 vjeç dhe në këto 14 vjet që kanë kaluar, kam pasur shumë privilegje duke i shërbyer Krijuesit tonë.»
Jezreli mban në mendje fjalët nxitëse të Jehovait që gjenden tek Isaia 41:10, 13, ku thuhet: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. . . . Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë. Sepse unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»
Pikërisht sepse ka shtrënguar fort dorën e Jehovait, Jezreli ka pasur mundësi të mposhtë ankthin se ç’mendojnë të tjerët për të dhe të përballojë problemet që sjell kjo sëmundje. Ashtu si miliona të tjerë, ai pret përmbushjen e premtimeve madhështore të Perëndisë.