Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e ka ndryshuar botën bujqësia moderne?

Si e ka ndryshuar botën bujqësia moderne?

Si e ka ndryshuar botën bujqësia moderne?

SI E siguron ushqimin? E blen apo i kultivon vetë prodhimet ushqimore? Jo shumë kohë më parë, pjesa më e madhe e njerëzve ishin bujq që jetonin me prodhimet që kultivonin vetë. Kurse tani, në disa vende të industrializuara, vetëm 1 në 50 veta punon në bujqësi. Si ndodhi ky transformim?

Përmirësimet në bujqësi nisën ngadalë, por më pas u përshpejtuan. Çdo hap sillte ndryshime të mëdha për miliona familje dhe ky proces ende vazhdon në mbarë botën. Po të shqyrtosh si ka ndikuar te njerëzit përparimi në bujqësi, ndoshta do ta kuptosh më mirë botën e sotme.

Nis revolucioni

Çuditërisht, një nga hapat më të mëdhenj që e larguan Evropën nga bujqësia sa për sigurimin e jetesës, ndodhi në shekullin e 12-të, kur u shpik qaforja e kalit. Ajo bënte të mundur që kali të punonte pa u mbytur nga rripi. Të pajisur me qafore, kuajt mund të punonin më fort, më shpejt e më gjatë se qetë që përdoreshin më parë. Me fuqinë e kuajve, bujqit mund të shtonin prodhimin. Mund të përdornin plugje hekuri për tokat që më parë ishte e pamundur të kultivoheshin. Një nga hapat e tjerë të parë ishte futja e të mbjellave që përmirësojnë dheun, si fasulet, bizelet, tërfili dhe jonxha, të cilat e pasurojnë tokën me azot. Dheu i pasuruar prodhonte më me bollëk.

Këto përparime të hershme mjaftuan që bujqit të kultivonin prodhime edhe për të shitur. Kjo çoi në zhvillimin e qyteteve, ku njerëzit e blinin ushqimin dhe punonin në manifaktura e në tregti. Nga gjiri i këtyre pronarëve, tregtarëve dhe bujqve të pasur dolën shpikësit e makinave të para bujqësore.

Rreth vitit 1700, Jetro Tuli, një agronom anglez, shpiku makinën mbjellëse me rreshta që tërhiqej nga kali, e cila zëvendësoi mbjelljen me dorë që çonte dëm një pjesë të farave. Në vitin 1831, në Shtetet e Bashkuara, Sajrës Mekormiku shpiku makinën korrëse mekanike të tërhequr nga kali, e cila mund ta korrte grurin pesë herë më shpejt se një bujk me drapër. Po rreth asaj kohe, tregtarët nisën të sillnin në Evropë plehra kimike nga brigjet e Andeve të Amerikës Jugore. Përdorimi i makinave dhe i plehut solli një rritje të jashtëzakonshme të prodhimit bujqësor. Por, si ndikoi te njerëzit?

Përparimi në bujqësi bëri të mundur revolucionin industrial, sepse u sigurua me bollëk ushqim me çmim të lirë për qytetet. Ky revolucion nisi në Britani, rreth viteve 1750-1850. Mijëra familje u detyruan të transferoheshin në qyteza industriale që të punonin në miniera, fonderi, kantiere detare dhe fabrika tekstili. S’kishin zgjidhje tjetër. Bujqit e vegjël që nuk i përballonin dot metodat e reja të bujqësisë, merrnin më pak para për prodhimet e tyre, prandaj nuk e paguanin dot qiranë. Kështu, u duhej të linin fermat e të jetonin në qytete të pista, të mbipopulluara e plot me sëmundje. Më parë, e gjithë familja punonte së bashku tokën, kurse tani burrat duhej të punonin larg shtëpisë. Edhe fëmijët punonin me orë të zgjatura nëpër fabrika. Shpejt, edhe vende të tjera nisën të përjetonin ndryshime të ngjashme.

Bujqësia shkencore sjell edhe më shumë ndryshime

Kur hyri viti 1850, disa vende ishin begatuar aq sa të financonin kërkimet bujqësore. Studimi shkencor i bujqësisë ka sjellë vazhdimisht ndryshime, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Për shembull, kultivuesit e bimëve studiuan gjenetikën dhe krijuan varietete bimësh që jepnin më shumë prodhim ose që u rezistonin sëmundjeve. Gjithashtu, kërkuesit zbuluan përzierjen e duhur të nitrateve dhe fosfateve që duheshin për bimë e për toka specifike. Më parë, për shkak të barërave të këqija, gjatë gjithë stinës së rritjes së bimëve punëtorët nëpër ara ishin të zënë duke prashitur. Por shumë prej tyre e humbën punën kur shkencëtarët zhvilluan herbicide të sofistikuara që pengonin rritjen e barërave të këqija. Edhe insektet, krimbat e buburrecat janë armiq të vjetër të bujqve. Por, tani bujqit mund të zgjedhin nga një sërë kimikatesh që shfarosin thuajse çdo insekt. *

Edhe jeta e blegtorëve ka ndryshuar. Mjelëset mekanike dhe makinat që ushqejnë kafshët, i japin mundësi blegtorit dhe ndihmësit të tij të kujdesen për afro 200 lopë. Gjithashtu, fermerët mund t’i majmin viçat dhe derrat më shpejt se kurrë më parë, duke i rritur nëpër stalla e jo në fushë të hapur, pasi kështu u kontrollojnë temperaturën dhe ushqimin.

Rezultatet e bujqësisë shkencore shpesh kanë qenë mbresëlënëse. Disa bujq e shtuan prodhimin për çdo punonjës njëqind ose edhe një mijë herë më tepër se niveli i epokës paraindustriale. Po si ndikuan në jetën e bujqve këto zhvillime?

Ndryshon jeta e bujqve

Makinat e kanë transformuar në shumë drejtime jetën e një bujku. Tani pjesa më e madhe e bujqve dhe e punëtorëve të tjerë të fermave duhet të jenë të aftë të përdorin e të mirëmbajnë makineri të sofistikuara. Veç kësaj, gjithnjë e më shumë, ata janë punëtorë të vetmuar. Iku koha e shoqërisë që bashkonte bujqit për të mbjellë, për të prashitur e për të korrur.

Në shumë vende, ka dalë një lloj i ri bujku, që është biznesmen shumë i arsimuar, i specializuar në prodhimin në masë të nja dy prodhimeve bujqësore ose vetëm një prodhimi. Ky bujk ka investuar shumë për tokën, ndërtesat dhe makineritë. Por nuk është aspak i pavarur. Firmat gjigante të përpunimit të ushqimit dhe zinxhirët e supermarketeve i diktojnë jo vetëm çmimin e produktit, por edhe varietetin, përmasat e ngjyrën. Inxhinierët bujqësorë i projektojnë sistemin e prodhimit dhe firma të specializuara i sigurojnë pikërisht ato plehra kimike, pesticide dhe fara hibride që i duhen për kushtet specifike të fermës së tij. Fermeri i sotëm ka bërë shumë përparime që nga metodat bujqësore të të parëve të tij. Por ende lufton, dhe disa njerëz janë të shqetësuar për pasojat e dëmshme që mund të sjellin disa metoda bujqësore.

Bujqit janë ende në krizë

Në vendet e pasura, shumë bujq ende humbin fermat e tyre, sepse nuk konkurrojnë dot me korporatat e mëdha bujqësore. Disa bujq arrijnë ta ruajnë atë mënyrë jetese që e duan shumë, vetëm duke siguruar shërbime turistike shtesë, si dhoma për turistët ose aktivitete si kamping, fusha golfi dhe prodhime të zejeve të vendit. Të tjerë u janë kthyer prodhimeve të posaçme, si ushqimit organik, luleve, strucave dhe alpakave.

Edhe në vendet më të varfra, ku deri në 80 për qind e popullsisë e siguron jetesën duke punuar tokën, shumë bujq të vegjël po përjetojnë ndryshime traumatike. Firmat ndërkombëtare që përdorin metoda bujqësore industriale mund të blejnë tokën më pjellore që të mbjellin prodhime për tregje të largëta. Bujqit e vegjël që kanë shumë pak makineri ose s’kanë fare, shpesh punojnë nëpër ugare ose nëpër ngastra të vogla që të sigurojnë ushqim për familjet e tyre.

Lëvizja masive e popullsisë nga fshatrat në qytete, që tani po ndodh në shumë vende, është pika kulmore e një procesi që nisi shekuj më parë. Ndryshimi nga një jetë bujqësore në jetën qytetare, ende u sjell dobi disave dhe shqetëson të tjerë. Shumë pak qeveri, për të mos thënë asnjë, kanë siguruar ndihmë të efektshme e të dhembshur për njerëzit e prekur nga ndryshimet. Sa shumë nevojë ka njerëzimi për Mbretërinë e Perëndisë, nën sundimin e së cilës do të kemi një mënyrë jetese më të mirë!—Isaia 9:6.

[Shënimi]

^ par. 10 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë bujqësore të veçantë.

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

DY METODA BUJQËSORE

Eusebjo jeton në Ande, ku kultivon prodhime bujqësore dhe kujdeset për 14 kokë gjedhë. Ai thotë: «U kam vënë emra të gjithave. Më pëlqen bujqësia. Të gjitha perimet i kultivojmë vetë. Bashkë me gruan ndihmojmë fqinjët të lërojnë arat e të korrin dhe pastaj ata na ndihmojnë ne. Asnjëri prej nesh nuk ka makineri. E lërojmë tokën me qe, kurse në shpatet e thepisura, i hapim brazdat me lopata.

Një herë, pothuajse të gjitha gjedhët na i vrau sëmundja. Pas kësaj bëra një kurs të shkurtër për veterinari. Që atëherë s’kemi humbur asnjë kafshë për shkak të sëmundjeve dhe tani u ndihmoj edhe fqinjëve me kafshët. Shesim djathë në tregun e fshatit, por fitojmë shumë pak. Megjithatë, gjithnjë kemi ushqim për gjashtë fëmijët tanë.»

Riçardi kultivon mbi 500 hektarë tokë në prerinë kanadeze. Punon gjithnjë vetëm, përveçse kur punëson ndonjë punonjës sezonal që e ndihmon për të mbjellë e për të korrur.

Riçardi thotë: «Në ditët e sotme, lodhja në bujqësi është më tepër mendore, se fizike. Edhe në traktor, edhe në autokombajnë kam ajër të kondicionuar që më mbron nga pluhuri dhe nga insektet. Kam makineri që janë 9 metra të gjera, prandaj mund të mbjell ose të korr deri në 65 hektarë brenda një dite. Por, për çdo gjë varem nga makineritë dhe këtu fillon stresi. Nganjëherë më duhet të marr kredi për t’i zëvendësuar ato. Pastaj, se sa do të jem në gjendje ta paguaj kredinë, varet nga gjëra që s’i kam në dorë, si shiu, ngricat, çmimet e tregut dhe normat e interesit. Stresi i bujqësisë ka sjellë shumë probleme në martesë te bujqit këtu, madje edhe disa vetëvrasje.»

[Figura në faqen 21]

Makina korrëse Mekormik, shpikur më 1831, i ndihmoi bujqit ta korrnin grurin pesë herë më shpejt se më parë

[Burimi]

Wisconsin Historical Society, WHi-24854