Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbaj nën kontroll zemërimin?

Si ta mbaj nën kontroll zemërimin?

Të rinjtë pyesin

Si ta mbaj nën kontroll zemërimin?

Sa shpesh nxehesh?

□ Asnjëherë

□ Çdo muaj

□ Çdo javë

□ Çdo ditë

Kush të nxeh më tepër?

□ Askush

□ Shokët e shkollës

□ Prindërit

□ Vëllai(motra)

□ Të tjerë

Më poshtë, përshkruaj një situatë që gjithnjë të nevrikos.

□ ․․․․․

NËSE vure shenjën ✔ te fjalët «Asnjëherë», «Askush» dhe e le bosh kutinë e fundit, urime! Kjo do të thotë se nuk nevrikosesh kollaj.

Mirëpo, çdo njeri reagon ndryshe në situata të vështira dhe ka të metat e veta. Jakovi, një shkrimtar i Biblës, tha: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.» (Jakovi 3:2) Në fakt, për sa i përket temperamentit, mund të ndihesh si Serena 17-vjeçare. * Ajo thotë: «Kur më mblidhet përbrenda zemërimi, shpesh ia shfryj kujtdo që më inatos më pas; prindërve, motrës ose edhe qenit.»

Ndaji faktet nga idetë e gabuara

E ke të vështirë ta mbash në fre zemërimin? Nëse po, mund të marrësh ndihmë. Po fillimisht, le të sqarojmë disa ide të gabuara.

Ide e gabuar: «S’e frenoj dot veten. Historikisht, në familjen time kanë qenë gjaknxehtë.»

Fakt: Ndoshta e ke prirjen ‘të nxehesh kollaj’ dhe mbase për këtë ka ndikuar familja, mjedisi ose faktorë të tjerë. (Proverbat 29:22) Por ama je ti që vendos çfarë do të bësh kur nxehesh. Pyetja është: a dëshiron t’i kesh ti në fre ndjenjat e tua, apo thjesht do që të rrish si spektator? Të tjerë kanë mësuar ta mbajnë nën kontroll zemërimin, prandaj edhe ti mund t’ia dalësh.—Kolosianëve 3:8-10.

Shkrimi kyç: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.»—Efesianëve 4:31.

Ide e gabuar: «Kur zemërohem, më mirë ta shfryj, sesa të më mblidhet përbrenda.»

Fakt: Që të dyja veprimet janë të dëmshme për shëndetin. Natyrisht, ka një kohë për ‘ta shfryer’ brengën ose merakun që ndien. (Jobi 10:1) Por kjo s’do të thotë se duhet të marrësh flakë si kashta. Mund të mësosh t’i shprehësh ndjenjat e forta pa shpërthyer.

Shkrimi kyç: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, . . . ta frenojë veten.»—2 Timoteut 2:24.

Ide e gabuar: «Po të jem ‘i ëmbël me të gjithë’, do të më shkelin me këmbë.»

Fakt: Njerëzit e vërejnë se duhet goxha forcë që të shfaqësh vetëkontroll dhe do të të respektojnë më shumë po ta bësh këtë.

Shkrimi kyç: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»—Romakëve 12:18.

Si ta zbutësh zemërimin?

Nëse ke prirjen të jesh nevrik, ndoshta deri tani ua ke vënë fajin të tjerëve sa herë që je nxehur. Për shembull, a ke thënë ndonjëherë «ajo më provokoi e para» ose «ai më bëri të nxehem»? Nëse po, atëherë vetë fjalët që thua sugjerojnë se ndjenjat e tua i kanë në dorë të tjerët. Si t’i marrësh vetë në dorë ato? Provo të bësh si më poshtë.

Merr përsipër përgjegjësinë. Gjithçka fillon duke pranuar se ti dhe vetëm ti mund ta ‘bësh’ veten të zemërohesh. Prandaj mos ua drejto më gishtin të tjerëve për t’i akuzuar. Në vend që të thuash «ajo më provokoi e para», pranoje se «ti vetë e lejove të të provokonte». Në vend që të thuash «ai më bëri të nxehem» pranoje se «ti vetë zgjodhe ta teproje me reagimin tënd». Kur e pranon përgjegjësinë për veprimet e tua, je më i aftë t’i kontrollosh ato.—Galatasve 6:5.

Parapriji problemit. Bibla thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Proverbat 22:3, Diodati i Ri) Pra, çelësi është t’i paraprish problemit. Pyet veten: «Kur ka më shumë të ngjarë të nevrikosem shpejt?» Për shembull, një vajzë me emrin Megan, thotë: «Punoj natën dhe kur mbaroj turnin, jam e rraskapitur. Në ato momente, gati çdo gjë më nevrikos.»

Pyetje: Në cilat rrethana ka më shumë të ngjarë të nevrikosesh shpejt?

․․․․․

Përcakto cila do të ishte përgjigjja më e mirë. Kur të provokojnë, merr frymë thellë, ule zërin dhe fol ngadalë. Në vend që të akuzosh («Hajdute! Ma more bluzën pa më pyetur!»), provo të shpjegosh si ka ndikuar te ti ai veprim. («Mërzitem shumë kur dua të vesh bluzën time dhe zbuloj se ‘ma ke marrë hua’ pa më pyetur.»)

Ushtrim: Mendo për një situatë të kohëve të fundit kur u nevrikose.

1. Çfarë të provokoi?

․․․․․

2. Si reagove? (Çfarë the dhe(ose) bëre?)

․․․․․

3. Si mund të kishe reaguar ndryshe?

․․․․․

Mendo për pasojat. Në këtë pikë mund të të ndihmojnë disa parime biblike. Për shembull:

Proverbat 12:18: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate.» Fjalët mund të lëndojnë. Kur nxehesh, do të thuash se s’bën ndonjë fjalë për të cilën do të bëhesh pishman.

Proverbat 29:11: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» Në fund, tërë ai lumë zemërimi do të të bëjë ty të dukesh i pamend.

Proverbat 14:30: «Zemra e qetë është jetë për trupin.» Të nxehesh shpejt të bën keq për shëndetin. Një vajzë me emrin Anita thotë: «Në familjen time, shumë janë me tension të lartë. Plus kësaj, jam e prirur për t’u stresuar. Këto më bëjnë të mendohem mirë para se të humb gjakftohtësinë.»

Mësimi? Mendo për pasojat e fjalëve dhe veprimeve të tua. Edra 18-vjeçare thotë: «E pyes veten: ‘Ç’do të ndodhë po të nxehem me këtë njeri? Ç’do të mendojë për mua ai ose ajo? Si do të ndikojë kjo në marrëdhënien tonë? Si do të ndihesha po të vepronte kështu dikush ndaj meje?’» Mund të bësh të njëjtat pyetje para se të flasësh ose para se të dërgosh një mesazh me postë, në telefon, në celular a në Internet.

Pyetje: Ç’do të ndodhë nëse dikush të mërzit dhe tërë nerva ti i dërgon një mesazh?

․․․․․

Kërko ndihmë. «Njerëzit mësojnë nga njëri-tjetri, ashtu si hekuri mpreh hekurin»,—thuhet te Proverbat 27:17. (Today’s English Version) Pse të mos pyesësh prindërit ose një mik më të pjekur si ia bëjnë që të ruajnë qetësinë?

Ndiq përparimin që bën. Mbaj një ditar dhe ndiq përparimin që bën. Sa herë që humb gjakftohtësinë, shkruaj (1) çfarë ndodhi, (2) si reagove dhe (3) cila do të kishte qenë përgjigjja më e mirë. Me kalimin e kohës, do të shohësh se që në fillim do të përgjigjesh në mënyrën më të mirë.

[Shënimi]

^ par. 17 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

Disa herë e kanë humbur gjakftohtësinë edhe njerëz që kurrë s’do të mendonim se do ta bënin këtë. Çfarë mund të mësojmë nga këta shembuj?

▪ Moisiu.—Numrat 20:1-12; Psalmi 106:32, 33.

▪ Pavli dhe Barnaba.—Veprat 15:36-40.

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Ndjenjat i shfrej në ditar ose me mamin, dhe kjo më ndihmon të ruaj qetësinë.»—Aleksa, Shtetet e Bashkuara.

«Kur jam shumë e stresuar, i çliroj energjitë duke dalë për një ecje të shpejtë; ajri i pastër m’i freskon idetë.»—Elizabeta, Irlandë.

«Me mendje largohem nga situata ku ndodhem dhe pyes veten: ‘Ç’do të ndodhte po të filloja të bërtisja?’ Gjithnjë dal në përfundimin se s’do t’ia vlente.»—Gremi, Australi.

[Kutia në faqen 18]

A E DIJE?

Nganjëherë edhe Perëndia ndihet i zemëruar. Megjithatë, ndjenjat e tij janë gjithnjë të justifikuara dhe ai i mban nën kontroll të plotë. Nuk e tepron kurrë me reagimin e tij!—Shih Daljen 34:6; Ligjin e përtërirë 32:4 dhe Isainë 48:9.

[Figura në faqen 19]

Je ti që vendos nëse do të marrësh zjarr derisa të të vlojë zemërimi