Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

▪ «Gati një e treta e vajzave në Shtetet e Bashkuara mbeten shtatzënë para se të mbushin 20 vjeç.»—QENDRAT AMERIKANE PËR KONTROLLIMIN DHE PARANDALIMIN E SËMUNDJEVE.

▪ Një studim në SHBA për «viktimat e dhunës në familje» zbuloi se nga 420 burra «gati tre në 10 veta i kanë rrahur keq ose i kanë keqtrajtuar në mënyra të tjera».—BULETINI AMERIKAN I MJEKËSISË PARANDALUESE.

Mund të mësojnë shumë gjuhë?

Shumë prindër kanë frikë se, po t’i ekspozojnë fëmijët e vegjël ndaj një gjuhe të dytë, rrezikojnë aftësinë e tyre për të folur gjuhën amtare. Por në fakt ndodh e kundërta, siç pohon një ekip kërkimor i drejtuar nga neuroshkencëtarja Laura-Ana Petito, në Toronto, Kanada. Ajo thotë: «Indi nervor me të cilin lindim . . . është gati e në gjendje të mësojë gjuhë, dhe mund të mësojë shumë gjuhë.» Në shkollë, fëmijët që dinë dy gjuhë shpesh dalin më mirë se ata që flasin veç një. Por, siç thotë Toronto Star, «prindërit duhet të luajnë rolin kryesor që fëmijët e vegjël të mësojnë një gjuhë të dytë, nëse duan që ata të përfitojnë plotësisht nga dobitë që vijnë kur flet dy gjuhë».

Pornografia i shqetëson fëmijët

Fëmijët shohin pornografi të dëmshme dhe video të dhunshme në Internet në një moshë gjithnjë e më të njomë. Sipas Hajnc-Peter Majdingerit, drejtues i Shoqërisë Gjermane të Filologëve, djemtë 12 vjeç e sipër shpesh dinë si dhe ku të gjejnë në Internet sitet ku mbizotëron dhuna ekstreme ose pornografia degraduese. Ndonëse fëmijët nga jashtë mbase duken të fortë dhe aspak të shqetësuar, nga brenda shumë prej tyre tronditen dhe shqetësohen kur i shohin këto skena. Majdingeri i nxit prindërit të interesohen për atë që ka në mendje e në kompjuter fëmija.

Planifikojnë për divorcin

Sipas gazetës Sunday Telegraph të Sidneit, një numër rekord australianësh po nënshkruajnë marrëveshje paramartesore ku i kërkojnë partnerit të respektojë disa rregulla specifike jetese. Këto marrëveshje janë kontrata që tregojnë si do ta ndajë çifti pasurinë në rast divorci. Tani shumë marrëveshje përcaktojnë mënyrën e jetesës që duhet të respektojë çdo partner që martesa të zgjasë. Klauzolat përcaktojnë kush do të gatuajë, kush do të pastrojë, kush do ta ngasë makinën, si edhe nëse lejohet të mbajnë kafshë, sa mund të peshojë secili partner, kush do ta shëtitë qenin dhe kush do të derdhë plehrat. Avokatja Kristina Xhefres vëren se njerëzve «u janë pakësuar shpresat se lidhja e tyre do të zgjatë përgjithmonë».

Prindërit sforcohen të tregojnë përzemërsi

«Gjithnjë e më shumë prindër kanë nevojë për manuale udhëzimesh si t’i trajtojnë fëmijët e vegjël, ngaqë siç duket, nuk janë në gjendje t’u tregojnë natyrshëm përzemërsi»,—thotë revista polake Newsweek Polska. Prindërit kanë nevojë të mësojnë gjërat elementare, si për shembull, të përqafojnë fëmijët, të luajnë me ta dhe t’u këndojnë atyre. Këto janë jetësore që fëmija të zhvillohet siç duhet. Por, sipas studimeve, «te familjet polake, vendin e parë për sa u përket mënyrave tipike si e kalojnë kohën prindërit me fëmijët e zinin televizori dhe psonisja». Lojërat prindër-fëmijë renditeshin andej nga vendi i gjashtë.