Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sekreti 1: Më të rëndësishmet në fillim

Sekreti 1: Më të rëndësishmet në fillim

Sekreti 1: Më të rëndësishmet në fillim

‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.

Çfarë do të thotë? Në martesat e suksesshme çdo bashkëshort i vë nevojat e bashkëshortit tjetër para vetes, gjërave që zotëron, punës, miqve, madje edhe para të afërmve. Burri dhe gruaja kalojnë mjaft kohë me njëri-tjetrin dhe fëmijët e, që të dy, janë gati të bëjnë sakrifica për të mirën e familjes.—Filipianëve 2:4.

Pse ka rëndësi? Bibla i jep shumë rëndësi familjes. Apostulli Pavël shkroi se ai që nuk siguron gjërat e nevojshme për familjen e vet, «është më i keq se një njeri pa besim». (1 Timoteut 5:8) Por, me kalimin e kohës, pikëpamja e njeriut për gjërat më të rëndësishme mund të ndryshojë. Për shembull, një këshilltar për jetën familjare tha se shumë nga ata që ndoqën një konferencë të mbajtur prej tij, dukeshin më të përqendruar te karriera, sesa te familja. Ai tha se ishte sikur pritnin të mësonin «receta për t’i zgjidhur problemet tak-fak», që pastaj «ta fshinin familjen nga ‘rendi i ditës’ dhe të përqendroheshin sërish te profesioni». Çfarë mësimi nxjerrim? Është e lehtë ta themi me fjalë që vëmë familjen në vend të parë, por nuk është aq e lehtë ta tregojmë me vepra.

Bëj këtë provë. Duke përdorur pyetjet e mëposhtme, kupto çfarë ka më tepër rëndësi për ty.

Kur bashkëshortja ose fëmija do të bisedojë, a i kushtoj vëmendje sa më shpejt të jetë e mundur? *

A ndodh shpesh të përmend gjërat që bëj me familjen kur flas me të tjerët për aktivitetet e mia?

A jam gati të refuzoj më shumë përgjegjësi (në punë ose gjetkë) nëse familja ka nevojë që t’i kushtoj kohë?

Nëse iu përgjigje po pyetjeve të mësipërme, mund të mendosh se ti i vë në fillim gjërat më të rëndësishme. Por, çfarë mendojnë për ty bashkëshortja dhe fëmijët? S’mjafton t’i matim gjërat me metrin tonë. Ky parim vlen edhe për sekretet e tjera të lumturisë familjare që do të trajtohen në vijim.

Merr një vendim. Mendo për një ose dy mënyra si të tregosh praktikisht se familja vjen e para. (Për shembull, mendo si të pakësosh ca gjëra që të vjedhin kohën që do të ishte mirë ta kaloje me bashkëshorten dhe fëmijët.)

Po sikur të flasësh me familjen për vendimet që ke marrë? Kur një pjesëtar tregon se dëshiron të ndryshojë, ka më shumë të ngjarë që të tjerët të veprojnë njësoj.

[Shënimi]

^ par. 6 Ndonëse në këtë seri artikujsh u jemi drejtuar burrave, të njëjtat parime vlejnë edhe për gratë.

[Figura në faqen 3]

Një prind i mirë u kushton rëndësi kryesore bashkëshortit dhe fëmijëve