Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shembuj të familjeve të suksesshme​—Pjesa e dytë

Shembuj të familjeve të suksesshme​—Pjesa e dytë

Shembuj të familjeve të suksesshme​—Pjesa e dytë

Siç nxori në pah artikulli «Shembuj të familjeve të suksesshme—Pjesa I», parimet biblike mund të shërbejnë si spirancë që familjet të kapen në kohë të vështira. * Atyre që jetojnë sipas normave të Perëndisë Jehova, ai u premton: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»—Psalmi 32:8.

Kur ka vështirësi ekonomike. Paratë shpesh janë molla e sherrit në martesë. Megjithatë, parimet biblike mund t’i ndihmojnë familjet të kenë pikëpamjen e duhur për problemet financiare. Jezui tha: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupat tuaj, se ç’do të vishni. . . . Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.»—Mateu 6:25, 32.

Në faqen 23, Isakari nga Shtetet e Bashkuara tregon si i përballuan vështirësitë ekonomike ai dhe familja e tij kur uragani Katrina ua shkatërroi shtëpinë.

Kur sëmuret një familjar. Të gjithë njerëzit sëmuren. Shpesh kjo kalon dhe i sëmuri e merr veten shpejt. Por ç’ndodh kur një pjesëtari të familjes i bie një sëmundje kronike? Bibla thotë se Jehovai i mbështet ata që lëngojnë në shtrat. (Psalmi 41:1-3) Si mund të bëhet familja një mjet nëpërmjet të cilit Jehovai e siguron këtë kujdes?

Në faqen 24, Hajimeu nga Japonia tregon si kanë bashkëpunuar ai dhe të bijat për të ndihmuar të shoqen, Norikon, pasi e diagnostikuan me një sëmundje dërrmuese.

Kur vdes fëmija. Vdekja e fëmijës është një nga tragjeditë më të rënda që mund të godasë familjen. Jehovai premton se do t’i fshijë lotët e dhembjes që shkakton kjo humbje kaq e tmerrshme. (Zbulesa 21:1-4) Qysh tani ai u jep ngushëllim të pikëlluarve.—Psalmi 147:3.

Në faqen 25, Fernandoja dhe Dilma nga Shtetet e Bashkuara tregojnë si i forcoi Bibla që të përballonin vdekjen e vajzës së tyre foshnjë.

Bibla u siguron drejtim të besueshëm familjeve që hasin vështirësi, siç tregojnë përvojat në faqet vijuese.

[Shënimi]

^ par. 2 Shih faqet 14-17 të kësaj reviste.

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

Kur ka vështirësi ekonomike

Treguar nga Isakar Nikolsi, Shtetet e Bashkuara

«Uragani Katrina na shkatërroi shtëpinë dhe prej saj mbeti vetëm bazamenti i betonit. Për një muaj e gjysmë, shkolla ku punoja, ishte e mbytur në ujë.»

GJATË verës së vitit 2005, unë dhe ime shoqe, Mishela, bashkë me vajzën dyvjeçare, Sidnin, jetonim në Bei-Sent-Luis, Misisipi, SHBA. Si Dëshmitarë të Jehovait, bashkë me Mishelën synonim të merrnim pjesë sa më shumë në shërbimin e krishterë. Jepja mësim në një shkollë profesionale afër Nju-Orleansit, Luizianë. Programi më lejonte të punoja tri ditë në javë dhe një pjesë të mirë të kohës që mbetej u mësoja të tjerëve për Biblën. Çdo gjë shkonte për bukuri. Kur ja, erdhi lajmi se uragani Katrina kërcënonte zonën tonë. Morëm masa të iknim pa humbur kohë.

Kur stuhia mbaroi, shtëpia jonë në Bei-Sent-Luis ishte rrënuar e po kështu edhe shkolla ku jepja mësim në Nju-Orleans. Me paratë që morëm nga siguracioni dhe nga qeveria siguruam strehimin, por nuk gjeja dot një punë stabël. Veç kësaj, gruan e zuri një infeksion viral nga uji i ndotur. Imuniteti i ra dhe më vonë u sëmur me virusin e Nilit Perëndimor nga pickimi i një mushkonje. Ndërkohë kostoja e jetesës rritej.

Për t’u përshtatur me rrethanat e reja, mësuam të kursenim, edhe për gjërat e nevojshme. Gjithashtu nuk duhej të bëja naze për punën që më ofrohej.

E pranoj se nuk qe e lehtë të humbnim shtëpi e katandi. Por ishim të lumtur që ishim gjallë. Veç kësaj, e gjithë ajo që kaluam, tregoi edhe një herë se gjërat materiale nuk janë gjithçka. Në fakt, na solli ndër mend fjalët e Jezuit: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.

Gjithashtu, sado keq ndiheshim për ato që humbëm vetë, kuptuam se kishte mjaft të tjerë që humbën më shumë. Madje disa humbën jetën. Kjo ishte një arsye pse u përfshiva menjëherë në përpjekjet që u bënë për të dhënë ndihmë, duke mbështetur emocionalisht ata që kishin pësuar humbje.

Gjatë gjithë kësaj peripecie, na ka dhënë zemër sidomos Psalmi 102:17. Aty thuhet se Perëndia Jehova «do ta dëgjojë lutjen e skamësit, po, nuk do ta përbuzë lutjen e tij». Si familje e kemi ndier mbështetjen e tij.

[Kutia në faqen 23]

Kur uraganet Katrina dhe Rita goditën brigjet amerikane të gjirit të Meksikës në vitin 2005, Dëshmitarët e Jehovait ngritën shpejt 13 qendra për dhënien e ndihmës, nëntë magazina dhe katër depo karburanti. Afro 17.000 vullnetarë Dëshmitarë vërshuan nga Shtetet e Bashkuara dhe nga 13 vende të tjera për të ndihmuar. Ata riparuan mijëra shtëpi.

[Kutia dhe figurat në faqen 24]

Kur sëmuret një familjar

Treguar nga Hajime Itoja, Japoni

«Para se Norikoja të sëmurej, kënaqeshim kur gatuanim bashkë. Tani ajo as nuk ha dhe as nuk pi dot nga goja, madje as nuk flet dot. Është e ngujuar në një karrocë invalidësh dhe merr frymë me respirator.»

NË MAJ të vitit 2006, ime shoqe, Norikoja, filloi të kishte vështirësi në të folur. Atë verë filloi edhe të hante e të pinte me vështirësi. Nga shtatori e diagnostikuan me sklerozë amiotrofike laterale (ALS), sëmundje degjeneruese që dëmton qelizat nervore të trurit dhe të shtyllës kurrizore. Brenda katër muajsh, jeta jonë ndryshoi krejt. Dhe ky ishte vetëm fillimi i problemeve të saj.

Me kalimin e kohës, Norikos iu paralizua gjuha dhe dora e djathtë. Me anë të një metode të quajtur gastrostomi, u bë e mundur të ushqehej nëpërmjet një tubi. Më vonë bëri një trakeotomi, një hapje kirurgjike në fyt, që të kalonte ajri, dhe humbi aftësinë për të folur. S’e imagjinoj dot sa e rëndë ishte kjo për Norikon, që gjithnjë kishte qenë aq e gjallë. Ne jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe Norikoja, bashkë me vajzat, shumicën e kohës ia kushtonte predikimit të krishterë. Tani Norikoja merr frymë me respirator dhe pjesën më të madhe të kohës është e kufizuar në shtrat.

Gjithsesi kjo nuk e ndal Norikon. Për shembull, ajo i ndjek mbledhjet e krishtere në një karrocë invalidësh ku është montuar një respirator. Dëgjimi i është dobësuar, prandaj vajza shkruan me shkronja të mëdha gjatë mbledhjes, që ajo të përfitojë nga programi. Ndonëse i është dashur të ndërpresë shërbimin në kohë të plotë, ende u shkruan letra njerëzve dhe u mëson për mesazhin e shpresës që jep Bibla, duke përdorur pajisje speciale të instaluara në kompjuterin tonë.—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.

Kemi bashkëpunuar si familje për ta ndihmuar Norikon. Të dyja vajzat ndërruan punë që të ndihmonin më shumë në shtëpi. Të tre bëjmë punët e shumta të përditshme që dikur i bënte Norikoja.

Nganjëherë, kur e shoh Norikon në mëngjes, duket e lodhur. Mendoj: «Ah, sikur t’i thosha të mos lodhet sot!» Por Norikoja dëshiron të flasë me të tjerët për Biblën. Kur filloj t’ia bëj gati kompjuterin, i shkëlqejnë sytë. Kur shkruan, gjendja e saj përmirësohet. Kam kuptuar sa vlerë ka që «gjithnjë [të kemi] shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1 Korintasve 15:58.

Përvoja e Xhejson Stjuartit, i sëmurë me ALS, treguar në revistën Zgjohuni! të janarit 2006, e ka ndihmuar shumë Norikon të mos bjerë në dëshpërim. Kur disa nga personeli i spitalit e pyetën pse ishte aq optimiste, Norikoja u tregoi për artikullin dhe i shpërndamë personelit kopje të kësaj reviste. Ime shoqe merr shumë zemër kur u mëson të tjerëve për besimin e saj.

Kemi 30 vjet të martuar me Norikon, por këto tri vitet e fundit kam vlerësuar tek ajo gjëra që më parë i merrja si të zakonshme. Sa i lumtur ndihem që jam martuar me të!

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

Kur vdes fëmija

Treguar nga Fernando e Dilma Frejtasi, Shtetet e Bashkuara

«Tronditja që shkakton vdekja e fëmijës nuk përshkruhet dot. S’ka dhembje më të madhe.»

VAJZA jonë, që e quajtëm Preshës (e çmuar), vdiq më 16 prill 2006. Ishte veç dhjetëditëshe. Kur ime shoqe ishte rreth trimuajshe shtatzënë, u zbulua se fëmija kishte një problem serioz në zemër. Ndërsa afrohej lindja, u bë e qartë se, nëse do t’ia dilte të lindte gjallë, do të vdiste shumë shpejt. Për ne ishte jashtëzakonisht e vështirë ta pranonim. Kishim tre fëmijë të shëndetshëm. S’e besonim dot se foshnja jonë do të vdiste.

Kur vajza lindi, një specialist me përvojë për çrregullimet kromozomike e diagnostikoi me një çrregullim të rrallë të quajtur Trizomia 18, që prek vetëm 1 në rreth 5.000 foshnja. Ishte e qartë se nuk do të jetonte gjatë. Ndiheshim krejt të pafuqishëm se s’bënim dot gjë. E vetmja gjë që mund të bënim ishte të rrinim me të për aq pak kohë sa do të jetonte. E kështu vepruam.

Jemi kaq mirënjohës për ato dhjetë ditë që kaluam me të. Gjatë atyre ditëve ne dhe tri vajzat tona u lidhëm me të. E mbanim në krahë, i flitnim, e përqafonim, e puthnim dhe bëmë sa më shumë fotografi që mundëm. Madje thoshim se kujt i ngjante më shumë. Specialisti vinte dhe na takonte çdo ditë në spital. Qante me ne dhe na thoshte sa keq i vinte. Madje bëri një vizatim të Preshësës ndërsa bisedonte me ne, që ta mbante si kujtim. Edhe neve na dha një kopje.

Si Dëshmitarë të Jehovait, kemi besim të plotë, se, siç mëson Bibla, Perëndia do të vendosë sërish në tokë kushte parajsore dhe se ai dëshiron me zjarr të sjellë sërish në jetë këtu në tokë ata që kanë vdekur, edhe foshnjat, si Preshësën. (Jobi 14:14, 15; Gjoni 5:28, 29) Mezi presim ditën kur do ta mbajmë në krahë e do ta përqafojmë prapë. Sa herë dëgjojmë fjalën «parajsë», kjo shpresë na ngroh zemrën. Ndërkohë na ngushëllon fakti se Preshës është në kujtesën e Perëndisë dhe nuk po vuan më.—Eklisiastiu 9:5, 10.