Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtëpi e ndarë: Si ndikon divorci tek adoleshentët?

Shtëpi e ndarë: Si ndikon divorci tek adoleshentët?

Shtëpi e ndarë: Si ndikon divorci tek adoleshentët?

SPECIALISTËT mendonin se kishin të drejtë. Ata u jepnin këtë këshillë prindërve me probleme në martesë: «Shihni në radhë të parë lumturinë tuaj.» E menjëherë shtonin: «Mos kini merak për fëmijët. Ata mësohen shpejt. E kanë më kollaj të përballojnë divorcin, sesa të jetojnë me prindër që bëjnë vetëm sherr.»

Por, disa këshilltarë që dikur e ngrinin në piedestal divorcin, sot kanë kthyer pllakë. «Divorci është një luftë,—thonë tani.—Asnjë nga palët nuk del pa plagë; as fëmijët.»

Miti i divorcit pa probleme

Historia e mëposhtme mund të jetë një telekomedi e suksesshme. Mami dhe babi divorcohen. Mami merr kujdestarinë e fëmijëve dhe martohet me një vejan që ka për vete fëmijë. Javët rrokullisen dhe kjo familje e stonuar kalon njëra pas tjetrës andralla nga më absurdet. Por fiks brenda 30 minutash të gjitha zgjidhen si me sustë dhe e gjithë kjo shoqërohet me një humor të hollë.

Skenari i mësipërm mbase bën për një telekomedi, por në jetën reale divorci nuk është aspak komik. Përkundrazi, është i dhembshëm. «Divorci është betejë ligjore»,—shkruan M. Geri Njuman në librin e tij Tradhti emocionale (anglisht). «Dikush padit dikë tjetër. Kur vendos të divorcohesh, nuk e ke më në dorë mbikëqyrjen e fëmijëve. Gjithashtu nuk e ke më në dorë mbikëqyrjen e pasurisë sate e mbase edhe të vendit ku do të jetosh. Ndoshta arrin t’i zgjidhësh këto çështje me marrëveshje, por ndoshta jo. Si përfundim, një i huaj, që quhet gjykatës, është ai që do të të diktojë sa herë do ta takosh fëmijën dhe sa do të mbash nga paratë e tua. Mjerisht ky i huaj nuk mendon si ti.»

Shpesh me divorcin thjesht del nga një vorbull telashesh dhe futesh në një tjetër. Po, gjithçka, që nga mënyra e jetesës e deri te gjendja financiare mund të ndryshojë e, ka të ngjarë, jo për mirë. Veç këtyre divorci ndikon shumë te fëmijët.

Divorci dhe adoleshenti

Divorci mund t’i shkatërrojë fëmijët, pavarësisht nga mosha. Disa thonë se adoleshentët ia hedhin më mirë. Fundja, sipas arsyetimit të tyre, janë më të pjekur e gjithsesi, herët a vonë, do të ndahen nga prindërit. Megjithatë, studiuesit shohin edhe anën e errët të medaljes. Kanë parë se, pikërisht për shkak të këtyre faktorëve, divorci mund të godasë më rëndë adoleshentët. * Shqyrtoni sa vijon:

▪ Teksa lundrojnë në udhën drejt pjekurisë, adoleshentët janë tepër të pasigurt, mbase edhe më shumë se kur ishin fëmijë. Mos u mashtroni nga damari i tyre për pavarësi. Si kurrë më parë, adoleshentët kanë nevojë për stabilitetin familjar, që për ta është si një spirancë.

▪ Pikërisht në këtë etapë të jetës, kur adoleshentët po mësojnë të krijojnë shoqëri të pjekura, divorci u mëson të vënë në dyshim vlera të tilla, si: besimi, besnikëria dhe dashuria. Më vonë, kur të rriten, ata mund të shmangin çdo lloj lidhjeje të ngushtë.

▪ Ndonëse është normale që fëmijët e të gjitha moshave ta shfryjnë diku dhembjen, adoleshentët janë më të prirur ta bëjnë këtë në mënyra të rrezikshme, si për shembull, duke u përfshirë në krime ose duke abuzuar me drogën dhe alkoolin.

Kjo nuk do të thotë se është e vulosur që adoleshentët me prindër të divorcuar i pret dështimi, qoftë në aspektin shoqëror, qoftë në fusha të tjera. Ata mund t’ia dalin mbanë, sidomos nëse kanë marrëdhënie të mira me të dy prindërit. * Sidoqoftë, do të ishte naive po të mendonim se të divorcohesh, siç thonë disa, është gjithnjë «më mirë për fëmijët» ose që divorci i jep fund tensionit midis bashkëshortëve. Ç’është e vërteta, disave u duhet të përballen më shpesh pas divorcit sesa para divorcit me bashkëshortin e tyre që «ua ka sjellë në majë të hundës». Veç kësaj, çështjet për të cilat përballen janë shumë më të nxehta, siç është mbështetja financiare ose kujdestaria e fëmijëve. Në këto raste divorci nuk u jep fund konflikteve familjare, thjesht i zhvendos në një arenë tjetër.

Një zgjidhje e tretë

Ç’të bësh po të kesh telashe në martesë dhe të kesh menduar për divorcin? Ky artikull ka parashtruar arsye më se të vlefshme që ta mendosh edhe një herë. Divorci nuk është ilaçi që shëron të gjitha problemet martesore.

Por kjo nuk duhet keqkuptuar sikur thjesht duhet të rrish duarkryq e të durosh një martesë të keqe. Ka një zgjidhje të tretë: nëse martesa jote është në telashe, përse të mos përpiqesh të bëhet më mirë? Mos nxito ta fshish këtë ide me mendimin se problemet e tua martesore janë të pazgjidhshme. Bëji vetes këto pyetje:

▪ «Çfarë cilësish më bënë për vete te bashkëshorti? A nuk i ka ende deri diku këto cilësi?»—Proverbat 31:10, 29.

▪ «A mund të ndizen përsëri ato ndjenja që kisha para se të martoheshim?»—Kënga e Solomonit 2:2; 4:7.

▪ «Pavarësisht nga veprimet e bashkëshortit, çfarë mund të bëj unë për të zbatuar sugjerimet që gjenden në faqet 3-9 të kësaj reviste?»—Romakëve 12:18.

▪ «A mund t’ia shpjegoj bashkëshortit (sy për sy ose me shkrim) ku do të doja ta përmirësonim lidhjen tonë?»—Jobi 10:1.

▪ «A mund të ulemi me një mik të pjekur që mund të na ndihmojë të vëmë synime realiste për të përmirësuar martesën tonë?»—Proverbat 27:17.

Bibla thotë: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Ky parim nuk vlen vetëm kur zgjedh bashkëshortin, por edhe kur mendon se çfarë të bësh për një martesë që çalon. Siç u tha në faqen 9 të kësaj reviste, edhe familjet e suksesshme kanë probleme. Ndryshimi është te mënyra si i trajtojnë.

Le ta ilustrojmë. Ta zëmë se je nisur për një udhëtim të gjatë me makinë. Gjatë rrugës do të të dalin se s’bën probleme, si: moti i keq, bllokimi i trafikut dhe rrugë të mbyllura. Madje, ndonjëherë mund të humbësh rrugën. Çfarë do të bësh? Do të kthehesh prapa apo do të gjesh një mënyrë që ta kapërcesh pengesën e të vazhdosh përpara? Ditën e dasmës ke nisur një udhëtim që dihej se do të kishte probleme, pasi Bibla thotë se «këta [që martohen] do të kenë shtrëngim në mish». (1 Korintasve 7:28) Çështja nuk është nëse do të lindin probleme, por si do t’i përballosh kur të lindin. A mund të gjesh një mënyrë për t’i kapërcyer pengesat dhe për të vazhduar përpara? Edhe sikur të mendosh se martesa jote është e pashpresë, a do të kërkosh ndihmë?—Jakovi 5:14.

Një institucion hyjnor

Martesa është një institucion hyjnor që nuk duhet marrë lehtë. (Zanafilla 2:24) Kur problemet duken të pakapërcyeshme, mbaj mend çështjet e trajtuara në këtë artikull.

1. Përpiqu të ndezësh sërish dashurinë që ndieje dikur.—Kënga e Solomonit 8:6.

2. Vendos çfarë mund të bësh ti që ta përmirësosh martesën dhe pastaj vepro.—Jakovi 1:22.

3. Thuaja bashkëshortit qartë, por me respekt—sy për sy ose me shkrim—ku mendon se ka nevojë të përmirësohet martesa.—Jobi 7:11.

4. Kërko ndihmë. Nuk ke pse lufton i vetëm për të shpëtuar martesën.

[Shënimet]

^ par. 9 Ky artikull përqendrohet tek adoleshentët, por divorci ndikon edhe te fëmijët më të vegjël. Për më shumë informacion shih revistën Zgjohuni! të 8 dhjetorit 1997, faqet 3-12, anglisht dhe të 22 prillit 1991, faqet 3-11, anglisht.

^ par. 13 Kuptohet, kjo nuk është gjithnjë e mundur, sidomos kur njëri prind e ka braktisur familjen ose duket sheshit se është i papërgjegjshëm a madje i rrezikshëm.—1 Timoteut 5:8.

[Kutia dhe figura në faqen 19]

«KËSAJ RADHE DO T’I BËJ GJËRAT SIÇ DUHET»

Studimet zbulojnë se martesat e dyta përfundojnë më shpesh me divorc se martesat e para, kurse martesat e treta shkojnë edhe më keq. Në librin e tij Tradhti emocionale, M. Geri Njumani nxjerr në pah një arsye për këtë. «Nëse ke probleme në martesën e parë,—shkruan ai,—çështja nuk është gjithmonë se zgjodhe gabim. Por ka të bëjë me ty. Ti u dashurove me këtë njeri. Punove me të për të krijuar çfarëdo që keni ose nuk keni.» Çfarë përfundimi nxori Njumani? «Është më mirë të heqësh qafe problemin dhe të mbash bashkëshortin, sesa të heqësh qafe bashkëshortin dhe të mbash problemin.»

[Kutia në faqen 21]

KUR NJË MARTESË MERR FUND

Bibla pranon se rrethanat ekstreme mund të çojnë në divorc. * Si t’i ndihmosh fëmijët e tu adoleshentë ta përballojnë nëse kjo ndodh në familjen tënde?

Tregoji adoleshentit çfarë po ndodh. Në rast se është e mundur, këtë duhet ta bëjnë të dy prindërit. I thoni së bashku adoleshentit se keni vendosur të divorcoheni dhe se nuk ka kthim prapa. Sigurojeni se nuk e ka ai fajin dhe se do të vazhdoni ta doni që të dy.

Ik nga fushë-beteja: lufta ka mbaruar. Disa prindër vazhdojnë të luftojnë edhe shumë kohë pas divorcit. Siç shprehet një specialist, ata bëhen «ligjërisht të divorcuar, por emocionalisht janë ende palë luftuese që nuk kanë arritur dot në një marrëveshje për armëpushim». Kjo jo vetëm që i privon adoleshentët nga kujdesi i prindërve, pasi babi dhe mami gjithnjë e kanë mendjen të zihen me njëri-tjetrin, por edhe u jep krahë t’i hedhin prindërit kundër njëri-tjetrit që t’u dalë e vetja. Për shembull, një djalë mund t’i thotë nënës: «Babi më lë të kthehem kur të dua. Po ti pse nuk më lë?» Meqë nuk do që i biri të bëhet me «kampin armik», mami dorëzohet.

Lëre adoleshentin të flasë. Adoleshentët mund të arsyetojnë «meqë prindërit nuk e duan më njëri-tjetrin, mbase një ditë nuk do të më duan edhe mua» ose «meqë prindërit i shkelën rregullat, atëherë pse të mos i shkel edhe unë». Për ta çliruar adoleshentin nga frika dhe për t’ia ndrequr mendimet e gabuara, jepi sa më shumë mundësi të flasë. Por ki kujdes: mos ndërroni rolet, duke kërkuar mbështetje emocionale tek adoleshenti. Është fëmija yt, jo njeriu të cilit mund t’i zbrazesh.

Nxite adoleshentin të ketë marrëdhënie të mira me ish-bashkëshortin. Njeriu me të cilin u divorcove, është ish-bashkëshorti yt, por jo ish-prindi i fëmijës. Të flasësh keq për të, sjell veçse dëm. Në librin Adoleshentë të trazuar: Një shteg ndryshimi për prindërit, adoleshentët dhe familjet e tyre (anglisht) thuhet: «Nëse prindërit i përdorin fëmijët si armë në fushë-betejën e divorcit, duhet të presin që të korrin çka mbollën.»

Kujdesu për veten. Hera-herës do të ndihesh sikur s’mban më. Por mos u dorëzo. Mbaj një rutinë të shëndetshme. Nëse je i krishterë, vazhdo të përfshihesh në aktivitetet e krishtere. Kjo do të të ndihmojë ty dhe fëmijën adoleshent të ruani ekuilibrin.—Psalmi 18:2; Mateu 28:19, 20; Hebrenjve 10:24, 25.

[Shënimi]

^ par. 38 Sipas Biblës, vetëm marrëdhëniet seksuale jashtë martesës sigurojnë bazën e përshtatshme për t’i dhënë fund martesës. (Mateu 19:9) Kur shkelet besnikëria, i takon bashkëshortit të pafajshëm, dhe jo familjarëve ose të tjerëve, të vendosë nëse divorci është zgjidhja më e mirë.—Galatasve 6:5.

[Figura në faqen 20]

Puno për të mbajtur zotimin që bëre ditën e dasmës

[Figura në faqen 21]

Nëse e keni të përbashkët kujdestarinë e fëmijës adoleshent, nxite të ketë marrëdhënie të mirë me ish-bashkëshortin tënd