Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i njoh më mirë prindërit?

Si t’i njoh më mirë prindërit?

Të rinjtë pyesin

Si t’i njoh më mirë prindërit?

Xhesika dhe prindërit e saj po hanë darkë me ca miq. Papritur një prej tyre i thotë mamit të Xhesikës: «S’e imagjinon dot kë kam takuar. Rikun, atë djalin që shoqëroheshe në shkollë të mesme.»

Xhesikës i bie piruni nga dora. Ajo s’ka dëgjuar kurrë për Rikun.

«Pse mami, ti ke pasur një lidhje tjetër para babit? Unë s’dija gjë fare!»

A TË ka ndodhur edhe ty si Xhesikës, që të marrësh vesh për prindërit diçka që të ka habitur? Në qoftë se po, mbase ke pyetur veten nëse ka gjëra të tjera që akoma nuk di për ta.

Përse shpesh mund të zbulosh gjëra të reja për prindërit? Ç’të mirë ka po t’i njohësh më shumë ata? Si mund ta bësh këtë?

Gjëra që nuk i di

Pse mund të ketë gjëra që nuk i di për prindërit? Nganjëherë fajin e ka largësia. «Prindërit e mi u divorcuan kur isha tetë vjeç,—thotë Jakobi * 22-vjeçar.—Pastaj babin e shihja vetëm pak herë në vit. Kishte gjithë ato gjëra që doja të dija për të.»

Edhe po të kesh jetuar me prindërit për vite e vite, me siguri nuk të kanë treguar gjithçka për veten. Pse? Si të gjithë ne, edhe prindërit ndonjëherë ndihen në siklet për gabimet që kanë bërë në të kaluarën. (Romakëve 3:23) Mbase edhe kanë merak se po të t’i tregojnë të metat, do të humbasësh respektin për ta ose do të marrësh zemër që të bësh sipas kokës sate.

Megjithatë, shpesh ka gjëra që prindërit nuk t’i kanë thënë thjesht ngaqë s’ka rënë biseda. Entoni, një i ri, thotë: «Është e habitshme që ke gjithë ato vjet me prindërit dhe akoma nuk di çdo gjë për ta.» Pse të mos e shfrytëzosh rastin për t’i njohur më mirë? Mendo për katër dobi që mund të nxjerrësh.

Dobia nr. 1: Me siguri prindërit do ta vlerësojnë interesin tënd. S’diskutohet që do t’u vijë mirë që dëshiron të dish për jetën e tyre. E ku i dihet; pastaj edhe ata mund të përpiqen të të kuptojnë më mirë ty dhe ndjenjat e tua.Mateu 7:12.

Dobia nr. 2: Do ta kuptosh më mirë pikëpamjen e prindërve. Për shembull, ndoshta prindërit nuk kanë qenë dhe aq në gjendje në të kaluarën. Kjo mund të shpjegojë përse janë kaq kursimtarë tani, ndonëse ty të duket e tepruar.

Kjo njohuri për mënyrën si arsyetojnë prindërit mund të të ndihmojë. Një i ri me emrin Koli thotë: «Kur kuptoj si mendojnë prindërit, mund të gjykoj si do të ndikojnë fjalët e mia tek ata para se të flas.»—Proverbat 15:23.

Dobia nr. 3: Mund ta kesh më kollaj të flasësh për jetën tënde. «Ndihesha në siklet t’i flitja babit për një djalë që më pëlqente,—thotë Brixhita 18-vjeçare.—Por kur iu hapa, më tregoi për herën e parë që ai kishte rënë në dashuri dhe ç’ndjenjë e mrekullueshme ishte. Madje më tregoi si ishte ndarë me të dashurën dhe sa keq u ndie. Kjo më dha zemër t’i tregoja më shumë për situatën time.»

Dobia nr. 4: Mund të mësosh diçka. Përvoja e prindërve mund të të ndihmojë të përballosh zhgënjimet dhe vështirësitë e tua. «Dua të marr vesh si arrijnë prindërit të kujdesen për një familje të madhe me kaq shumë nevoja të ndryshme fizike, emocionale dhe shpirtërore,—thotë Xhoshi 16-vjeçar.—Me siguri mund të mësoj ca gjëra të rëndësishme.» Bibla ngre pyetjen: «A nuk kanë mençuri të moshuarit, dhe kuptueshmëri ata që kanë ditë të gjata?»—Jobi 12:12.

Merr iniciativën

Ç’mund të bësh nëse dëshiron t’i njohësh më mirë prindërit? Ja disa sugjerime.

Zgjidh rrethanën e duhur. S’ka nevojë të jetë diçka formale. Përkundrazi, syno bisedat spontane në rrethana që ndiheni lirshëm. Mund të luani bashkë, të bëni ndonjë punë, një shëtitje në këmbë ose të dilni me makinë. Koli, i përmendur më sipër, thotë: «Kam bërë biseda të bukura me prindërit në udhëtimet e gjata. Patjetër është kollaj të vësh kufjet ose të flesh, por kam kuptuar se gjithnjë ia vlen të hapësh një bisedë.»

Bëj pyetje. Duhet pranuar se edhe sikur të jetë rrethana e duhur, me siguri mami nuk do ta hapë papritur muhabetin e të të tregojë si ra në dashuri për herë të parë. Edhe babi zor se do të të tregojë si e përplasi makinën. Por mjafton t’i pyesësh dhe prindërit mund të t’i thonë këto gjëra.—Në  kutinë e faqes 12 ke disa ide se çfarë pyetjesh t’u bësh.

Ji elastik. Shpesh përgjigjja e një pyetjeje çon te një histori ose temë tjetër. Ndoshta të vjen që t’i kthehesh prapë bisedës së parë, por përmbahu! Mos harro se synimi yt nuk është vetëm të mbledhësh të dhëna, por të lidhesh më shumë me prindërit. E pra, një nga mënyrat më të mira është të flitni për gjëra që kanë rëndësi për ta.Filipianëve 2:4.

Trego aftësi dalluese. «Qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.» (Proverbat 20:5) Të duhet gjykim i thellë ose aftësi dalluese, sidomos kur i nxit prindërit të flasin për gjëra që ndihen pak në siklet. Për shembull, mbase je kurioz për gabimet që ka bërë babi në moshën tënde dhe si do t’i kishte bërë gjërat ndryshe sikur t’i kthehej prapë ajo kohë. Por para se të hysh drejt e në temë, mund të thuash: «E ke problem po të të pyes për . . . »

Trego takt. Kur prindërit të tregojnë për veten, ji ‘i shpejtë në të dëgjuar [dhe] mos nxito në të folur’. (Jakovi 1:19) Sido që të jetë, mos qesh dhe mos i fyej prindërit për atë që të kanë treguar. Komente të tilla, si: «Joo! S’më besohet që e paske bërë këtë!» ose «Prandaj, je kaq i rreptë me mua!» ia presin hovin babit ose mamit që të të hapen më tej. E njëjta gjë do të ndodhë nëse do t’ua tregosh çështjet personale të tjerëve jashtë shtëpisë.

Më mirë vonë se kurrë!

Sugjerimet e mësipërme mund të të ndihmojnë t’i njohësh më mirë prindërit teksa jeton ende në shtëpi. Po nëse jeton më vete? Të njëjtat parime të ndihmojnë të forcosh sërish lidhjen me prindërit, madje të krijosh një lidhje me një prind që nuk e ke njohur kurrë tamam. Kështu i ndodhi Jakobit që u përmend më parë. Ndonëse tani jeton më vete, ai thotë: «Kohët e fundit kam arritur ta njoh më mirë babin, dhe kjo më kënaq.»

Pra, edhe sikur të jetosh ende në shtëpi, edhe sikur të jetosh më vete, kurrë nuk është vonë t’i njohësh më mirë prindërit. Përse të mos i provosh sugjerimet e këtij artikulli si ndihmë?

[Shënimi]

^ par. 9 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Për cilat gjëra të përmendura në këtë artikull dëshiron t’i pyesësh prindërit?

▪ Pse mund ta kuptosh më shumë veten kur i njeh më mirë prindërit?

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Bëju prindërve pyetje të tilla, si këto:

 MARTESA: Si u njohe me mamin (ose babin)? Çfarë ju pëlqeu te njëri-tjetri? Ku banonit pas martese?

FËMIJËRIA: Ku ke lindur? Shkoje mirë me motrat dhe vëllezërit? I kishe prindërit të rreptë apo tolerantë?

SHKOLLA: Në cilën lëndë ishe më i fortë? Po më i dobët? A kishe ndonjë mësuese që e doje më shumë? Pse të pëlqente?

PUNA: Çfarë pune ke bërë në fillim? Të pëlqente? Çfarë pune do të kishe qejf të bëje?

PREFERENCAT: Në cilin vend të botës do të doje të shkoje? Çfarë zanati ose ndonjë gjë tjetër që ke pasion do të të pëlqente të mësoje?

ECURIA FRYMORE: Je rritur në një familje Dëshmitarësh? Nëse jo, si të lindi interesi për Biblën? Çfarë vështirësish ke kaluar për të zbatuar parimet biblike?

VLERAT: Cilat janë gjërat më të rëndësishme për një shoqëri të mirë? Për një jetë të lumtur? Për një martesë të suksesshme? Cila është këshilla më e mirë që ke marrë në jetë?

Bëj këtë provë: Zgjidh disa nga pyetjet e mësipërme dhe përpiqu të marrësh me mend përgjigjet e prindërve. Pastaj bëjua këto pyetje prindërve dhe krahaso përgjigjen e tyre me atë që supozove.

[Kutia në faqen 13]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Po ha darkë me burrin, vajzën dhe disa miq. Gjatë bisedës dikush përmend djalin me të cilin kishe një lidhje dhe u ndave para se të martoheshe. Këtë histori nuk ia ke treguar vajzës. Tani ajo kërkon të dijë më shumë. Çfarë do të bësh?

Zakonisht është mirë t’i mirëpresësh pyetjet e fëmijës. Në fund të fundit, sa herë ai bën pyetje dhe dëgjon përgjigjet e tua do të thotë se po komunikoni, diçka që shumica e prindërve e dëshirojnë.

Deri ku duhet t’i tregosh për të kaluarën tënde djalit ose vajzës? Është e natyrshme që disa gjëra të sikletshme do të preferoje t’i mbaje për vete. Sidoqoftë, kur është me vend, mund të jetë një ndihmë për fëmijën t’i tregosh disa nga gabimet dhe vështirësitë që ke kaluar. Përse?

Mendo për këtë shembull. Një herë apostulli Pavël tregoi për veten: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje. . . . Ç’njeri i mjerë që jam!» (Romakëve 7:21-24) Perëndia Jehova i frymëzoi këto fjalë dhe bëri që ato të shkruheshin në Bibël e të ruheshin për dobinë tonë. (2 Timoteut 3:16) Dhe vërtet që përfitojmë, sepse kush prej nesh nuk e gjen veten në fjalët e sinqerta të Pavlit?

Po njësoj, kur dëgjon për zgjedhjet e mira që ke bërë dhe për gabimet e tua, fëmija e ka më të lehtë të gjejë veten te ti. Vërtet, ti je rritur në tjetër kohë. Megjithatë, ndonëse kohët kanë ndryshuar, natyra njerëzore nuk ka ndryshuar dhe as parimet e Shkrimeve. (Psalmi 119:144) Kur bisedon me fëmijët e tu adoleshentë për vështirësitë që ke hasur dhe si i ke kaluar, kjo mund t’i ndihmojë të zgjidhin problemet e tyre. «Kur zbulon se prindërit kanë kaluar vështirësi të ngjashme me të tuat, kupton se janë njerëz si ti»,​—thotë një djalë me emrin Enton. Ai shton: «Dhe, kur të del ndonjë problem, e pyet veten nëse edhe prindërit kanë kaluar diçka të tillë?»

Kujdes: s’ka nevojë që sa herë i tregon diçka fëmijës ta përfundosh me një këshillë. Vërtet, ndoshta ke merak se adoleshenti do të nxjerrë përfundime të gabuara a madje do të gjejë justifikime që ai vetë të bëjë po ato gabime. Por në vend që të përmbledhësh se çfarë dëshiron të mësojë fëmija nga biseda, trego shkurt si ndihesh ti. Pra, në vend që të thuash «ja përse kurrë nuk duhet . . . », mund të thuash «tani që i shoh gjërat ndryshe, do të doja të mos e kisha bërë këtë e këtë, sepse . . . » Kështu djali ose vajza mund të nxjerrë një mësim të çmuar nga përvoja jote, pa menduar se i ke mbajtur leksion.—Efesianëve 6:⁠4.

[Kutia në faqen 13]

«Një herë i thashë mamit se isha më rehat me shokët e shkollës, sesa me bashkëbesimtarët e krishterë. Të nesërmen, mami më kishte lënë një letër në tavolinë. Më shkruante se edhe ajo e kishte ndier mungesën e shokëve mes bashkëbesimtarëve. Më kujtoi personazhe biblike që i shërbyen Perëndisë edhe kur nuk kishin pranë askënd që t’i inkurajonte. Gjithashtu më lavdëroi për përpjekjet që kisha bërë për të krijuar shoqëri të shëndetshme. U çudita që mora vesh se nuk isha e vetmja që kisha kaluar këtë problem. Edhe mami e kishte kaluar dhe u ndjeva aq e lumtur që e mësova këtë, saqë qava. Nga ajo që më tregoi mami, mora zemër dhe forcë për të bërë atë që ishte e drejtë.»​—Junko, 17 vjeçe, Japoni.

[Figura në faqen 11]

Kërkoju prindërve të të tregojnë fotografi ose sende të tjera nga e kaluara e tyre. Shpesh këto mund të ndezin biseda të gjalla