A është e mundur ta duash armikun tënd?
Pikëpamja e Biblës
A është e mundur ta duash armikun tënd?
Jezu Krishti tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.»—Mateu 5:44, 45.
A MENDONI se feja është një shtysë për dashuri dhe paqe apo për urrejtje e dhunë? Sot shumë njerëz janë dakord me të dytën, sidomos kur feja përzihet me politikën, çështjet etnike ose nacionalizmin. Megjithatë, siç tregojnë fjalët e Jezuit, ata që janë vërtet ‘bij të Perëndisë’ imitojnë dashurinë e Perëndisë, madje edhe me armiqtë e tyre.
Një shërbëtor tjetër i Perëndisë tha: «Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë. . . . Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:20, 21) Por, a është vërtet e mundur kjo dashuri në këtë botë të përçarë? Dëshmitarët e Jehovait përgjigjen me plot gojë: po! Shqyrtoni shembullin e Jezuit dhe të dishepujve të tij të hershëm.
Ata i donin armiqtë e tyre
Jezui u mësoi njerëzve të vërtetën për Perëndinë dhe shumë veta e dëgjuan me kënaqësi. Megjithatë pati të tjerë që iu kthyen kundër, disa nga padija. (Gjoni 7:12, 13; Veprat 2:36-38; 3:15, 17) Prapëseprapë, Jezui vazhdoi t’ua shpërndante të gjithëve njohurinë e tij jetëshpëtuese, përfshirë edhe kundërshtarëve. (Marku 12:13-34) Pse? Ai e dinte se disa mund të kthenin rrugë, ta pranonin si Mesinë dhe të zbatonin të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë.—Gjoni 7:1, 37-46; 17:17.
Edhe natën kur e arrestuan padrejtësisht kundërshtarë të armatosur, Jezui tregoi dashuri për armiqtë e tij. Madje shëroi një prej atyre që e kapën, të cilin apostulli Pjetër e kishte goditur me shpatë. Në atë rast Jezui shpalli një parim të rëndësishëm që i udhëheq dishepujt e tij të vërtetë deri sot e kësaj dite. Ai tha: «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:48-52; Gjoni 18:10, 11) Rreth 30 vjet më vonë Pjetri shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. . . . Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e [Perëndisë].» (1 Pjetrit 2:21, 23) Duket qartë që Pjetri kishte mësuar se rruga e dishepujve të vërtetë të Jezuit është dashuria, jo hakmarrja.—Mateu 5:9.
Të gjithë ata që ‘ndjekin me kujdes hapat e Jezuit’ pasqyrojnë natyrën e tij të dashur dhe miqësore. «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, . . . ta frenojë veten kur të jetë nën të ligën»,—thuhet te 2 Timoteut 2:24. Këto cilësi do të spikatnin në jetën e të krishterëve, që karakterizohet nga paqja dhe pajtimi.
Ambasadorë paqësorë të Krishtit
Apostulli Pavël u shkroi bashkëbesimtarëve: «Prandaj, ne jemi ambasadorë në vend të Krishtit. . . . Si zëvendësues të Krishtit, ne lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë.’» (2 Korintasve 5:20) Ambasadorët nuk përzihen në çështjet politike dhe ushtarake të vendeve ku shërbejnë. Përkundrazi qëndrojnë asnjanës. Puna e tyre është të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qeverisë në emër të së cilës flasin.
E njëjta gjë vlen edhe për ambasadorët dhe përfaqësuesit e Krishtit. Ata e shohin Jezuin si Mbret dhe mbrojnë interesat e Mbretërisë së tij qiellore duke shpallur paqësisht lajmin e mirë. (Mateu 24:14; Gjoni 18:36) Kështu, Pavli u shkroi të krishterëve të kohës së tij: «Ne nuk luftojmë sipas asaj që jemi në mish. Sepse armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit, por të fuqishme nga Perëndia, që të përmbysim . . . arsyetime dhe çdo gjë të lartë, që është ngritur kundër njohurisë së Perëndisë.»—2 Korintasve 10:3-5; Efesianëve 6:13-20.
Kur Pavli shkroi këto fjalë, të krishterët po përndiqeshin në shumë vende. Sigurisht ata mund të hakmerreshin, por vazhduan të donin armiqtë e tyre dhe t’u shpërndanin mesazhin e pajtimit të gjithë atyre që dëgjonin. Në botimin Enciklopedia e fesë dhe e luftës (anglisht) thuhet: «Dishepujt e hershëm të Jezuit nuk e pranonin luftën a shërbimin ushtarak», duke i konsideruar këto si «të papajtueshme me etikën e dashurisë së Jezuit dhe urdhrin për të dashur armiqtë». *
Ashtu si të krishterët e hershëm, Dëshmitarët e Jehovait njohin Jezuin si Mbretin e tyre. Gjithashtu e njohin si Mbret të Mbretërisë së Perëndisë, një qeveri qiellore që së shpejti do të sjellë paqe dhe siguri të përhershme në tokë. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Prandaj, si ambasadorë dhe përfaqësues, ata shpallin veçoritë e shkëlqyera të asaj Mbretërie. Ndërkohë, përpiqen të jenë nënshtetas të mirë të vendeve ku jetojnë, duke paguar taksat dhe duke iu bindur ligjeve, kur këto nuk bien ndesh me ligjin e Perëndisë.—Veprat 5:29; Romakëve 13:1, 7.
Por, mjerisht, ashtu si të krishterët e hershëm, nganjëherë Dëshmitarët keqkuptohen, për ta flitet keq dhe përndiqen. Gjithsesi, ata kurrë nuk hakmerren. Përkundrazi, përpiqen të jenë «paqësorë me të gjithë» dhe shpresojnë se disa kundërshtarë mund ‘të pajtohen me Perëndinë’ e të gëzojnë perspektivën e jetës së përhershme. *—Romakëve 12:18; Gjoni 17:3.
[Shënimet]
^ par. 13 «Shkrimtarët e krishterë para Kostandinit [perandorit romak 306-337 të e.s.] e dënonin njëzëri vrasjen në luftë»,—thotë Enciklopedia e fesë dhe e luftës. Një ndryshim në qëndrim ndodhi kur apostazia e parathënë në Bibël mori dhenë.—Veprat 20:29, 30; 1 Timoteut 4:1.
^ par. 15 Ashtu si të krishterët e shekullit të parë, Dëshmitarët e Jehovait e mbrojnë ligjërisht lirinë e tyre fetare kur është e nevojshme.—Veprat 25:11; Filipianëve 1:7.
A DONI TË DINI?
▪ Si duhet t’i trajtojnë të krishterët armiqtë e tyre?—Mateu 5:43-45; Romakëve 12:20, 21.
▪ Si u përgjigj Jezui kur e përndoqën?—1 Pjetrit 2:21, 23.
▪ Pse të krishterët e parë nuk e pranonin luftën në kuptimin e mirëfilltë?—2 Korintasve 5:20; 10:3-5.