Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Bota e humbur’ e Bolivisë

‘Bota e humbur’ e Bolivisë

‘Bota e humbur’ e Bolivisë

NË VITIN 1906, presidenti i Shoqatës Mbretërore Gjeografike të Britanisë diskutoi me kolonelin Persi-Harison Foset për potencialin e madh ekonomik të Amerikës së Jugut. Ai hapi një hartë para syve të kolonelit dhe tha: «Hidhi një sy kësaj zone. Është plot boshllëqe ngaqë njihet fare pak.» Pastaj i bëri kolonelit një ofertë pune për eksplorimin e atij rajoni. Foseti pranoi.

Në ditaret e tij, Foseti përshkroi shpatet me pyje të dendura të zonës që sot njihet si pllaja e Uançakës në Bolivi. Ai e quajti vendin «një botë e humbur». * Disa mendojnë se ditaret dhe fotografitë e Fosetit e frymëzuan shkrimtarin anglez Artur-Konan Dojëll të shkruante romanin Bota e humbur (anglisht), ku përshkruhet një botë mitologjike me njerëz-majmunë dhe dinosaurë të llahtarshëm që gjoja kishin mbijetuar deri në ditët tona. Sot, kjo zonë relativisht e virgjër e Amazonës përfshin parkun kombëtar «Noel-Kempf Merkado» të Bolivisë, një park i mrekullueshëm, që u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore në vitin 2000. *

Parku ndodhet në skajin e largët verilindor të Bolivisë, përgjatë kufirit me Brazilin. Natyra thuajse e paprekur e parkut zë më shumë se 15.000 km katrorë. Ajo përfshin pesë ekosisteme: pyjet malore me gjelbërim të përhershëm, pyjet gjetherënëse, savanat e thata malore, savanat moçalore dhe pyjet moçalore. Vetë pllaja e Uançakës është një rrëpirë me gurë ranorë që ngrihet 550 metra mbi rrafshnaltën përreth dhe, si një shtyllë kurrizore, vazhdon për 150 km paralel me kufirin lindor të parkut. Lumenjtë e shumtë që rrjedhin nëpër pllajë dhe rrafshinën përreth ushqejnë nja 20 ujëvara, përfshirë edhe ujëvarat e Salto-Suzanës, ujëvarat e Arko-Irisit, ujëvarat e Federiko Alfeldit, ujëvarat e Hemelasit dhe ujëvarat e El Elkantos.

Fillojmë aventurën

Disi i mbrojtur falë pozicionit të veçuar, parku i tërheq si magnet ekoturistët, shumë prej të cilëve vijnë me avion nga Santa-Krusi, në Bolivinë Qendrore. Ne vendosëm t’i përshkonim me makinë ato 700 km, dhe kështu e pamë më nga afër natyrën e Bolivisë. Kur ja, përpara pikasëm një re gjethesh shumëngjyrëshe që fërfëllinin përmes rrugës. Por ja që «gjethet» na qenkëshin flutura dhe ne nuk ishim të vetmit vrojtues. Një togë hardhucash të uritura lëvrinin përqark, duke shijuar gostinë me prenë e tyre fatkeqe.

Kur mbërritëm në parkun kombëtar, takuam udhërrëfyesin tonë, Guidon, në fshatin e La Floridës, në brigjet e lumit të Paraguas. Guido na mori me trap bashkë me makinën dhe prej andej përshkuam distancën e shkurtër drejt kampit të Los Fierosit. Rrugës na zuri syri një dhelpër dhe një dallëndyshe nate bishtgërshërë. Ky zog i bukur fluturoi kryengulthi si shigjetë përmes rrugës që shtrihej para nesh.

Pasi fjetëm atë natë, u zgjuam nga cicërimat e ngjirura të zogjve. Lart në një pemë afër kabinës sonë ishin katër papagaj të bukur gjigantë blu me të verdhë. Ishte sikur po na thërritnin: «Mirë se erdhët në shtëpinë tonë!» Meqë dielli i mirë duket që në mëngjes, kuptuam se në park do t’ia kalonim si mos më mirë.

Gumëzhin nga jeta

Parku kombëtar «Noel-Kempf Merkado» ka mbi 600 lloje shpendësh, 139 lloje gjitarësh (më shumë se në të gjithë Amerikën e Veriut), 74 varietete rrëshqanorësh e ndoshta nja 3.000 lloje fluturash, pa përmendur insektet e tjera të panumërta. Ndër shpendët janë mbi 20 varietete papagajsh, si edhe shqiponja harpi e zogj tropikalë me ngjyra të ndezura. Nik Açesoni, ambientalist vendës dhe ekspert për zogjtë, na tha se «lloje të rralla si tirani-pigme me anësore të kuqërreme dhe ngrënësit e farave, që kanë ngjyrë të zezë dhe kafe të çelët, i tërheqin vëzhguesit e zogjve nga e gjithë bota».

Ndër gjitarët e shumtë janë mizangrënësit gjigantë, ujqërit me krifë, jaguarët, derrat e egër, tapirët dhe drerët e pampës. Edhe lumenjtë e shumtë që rrethojnë dhe përshkojnë parkun, gëlojnë nga jeta. Aty ka 62 lloje amfibësh, 254 lloje peshqish, si edhe kaimanë, lundra gjigante të lumenjve, kapibarat brejtës dhe delfinë të bukur rozë. Parku është vërtet një parajsë për dashuruesit e natyrës.

Për shkak të kafshëve të rrezikshme të Amazonës, shumë vizitorë kanë disi frikë—edhe ne po ashtu. Administratori i kampit të Los Fierosit na tregoi për natën e tij të parë në park. «U zgjova në mes të natës me një ndjesi të çuditshme sikur po më vëzhgonin,—tha ai.—Pashë nga dritarja e kabinës, kur ç’të shoh, një jaguar m’i kishte qepur sytë. Na ndante vetëm rrjeta e insekteve. I lemerisur, u mbylla në banjë derisa zbardhi.» Edhe ky rrëfim na duhej neve!

Por administratori vazhdoi: «Shpejt mësova se kjo krijesë kureshtare bën shpesh vizita natën, por nuk e mbajnë për të rrezikshme. Madje, ditëve të nxehta jaguarët shpesh hyjnë në kamp dhe rehatohen në oborret e shtruara me pllaka, afër kabinave. Siç e merrni me mend, të sapoardhurve u dridhen këmbët nga kjo pamje. Dikur s’e ndanim pushkën, sidomos kur shoqëronim turistët natën, kurse tani s’e marrim kurrë me vete. Nuk kanë ndryshuar kafshët, por ne i shohim ndryshe.» Sidoqoftë, na porositi t’i trajtonim me respekt të gjitha kafshët e egra.

Nëpër xhungël drejt ujëvarave të El Enkantos

Një nga bukuritë e parkut janë ujëvarat e shumta. Bashkë me Guidon, udhërrëfyesin tonë, u nisëm herët drejt ujëvarave të El Enkantos, që nga pllaja e Uançakës derdhen 80 metra poshtë. Ndërsa bëmë 6 km nëpër pyjet e shiut, majmunët merimangë dhe ata angullitës na përshëndetnin nga degët. Që të dyja llojeve ua kanë vënë tamam emrin, pasi te majmunët merimangë spikatin krahët dhe këmbët e stërgjata, kurse majmunët angullitës lëshojnë një zë të fortë e të përvajshëm që dëgjohet edhe 3 km larg. Para nesh, një shpend gushëkuq, që ngjante me gjeldetin, erdhi nga lart vetëtimthi në shtegun tonë në kërkim të mëngjesit. Guidoja na bëri me shenjë te disa gjurmë përgjatë brigjeve të një përroi aty pranë. Syri i tij i stërvitur dalloi gjurmët e dy lloje drerësh, si edhe të një tapiri, jaguari dhe të një pume. E kuptuam se kushedi sa kafshë na i kishin ngulur sytë nga gjithë ato skuta dhe se ky vend gumëzhin ditë e natë nga jeta.

Kafshët përgjimtare kanë plot bimësi ku të fshihen, pasi në peizazhet dhe habitatet e larmishme të parkut rritet një bollëk bimësh të çdo lloji. Është llogaritur se afro 4.000 lloje rriten më së miri në këtë zonë, përfshirë më shumë se 100 varietete orkidesh, si edhe një larmi pemësh, fieresh, bimësh ananasngjashme dhe kacavjerrëse. Syri u gëzohej ngjyrave, kurse hunda thithte aromat teksa shijonim frutat e shijshme që rriteshin afër shtegut ku kalonim. Provuam edhe frutin e mangabës dhe frutin e pasionit që rritet në një bimë kacavjerrëse.

Më në fund, kur kaluam përroin, na zuri veshi zhurmën e largët të ujërave që binin nga lartësitë. Në çdo hap që hidhnim, zhurma bëhej më e fortë. Sakaq hymë në një lirishtë dhe ja, para nesh ngriheshin madhështore ujëvarat e El Enkantos, me pjesën e poshtme të mbështjellë në mjegull. Fieret dhe bimët ananasngjashme stolisnin muret shkëmbore rreth pellgut me ujëra të kristalta. Guido tha: «Ditëve të nxehta, majmunët zbresin në ujë të freskohen.» Ndoqëm shembullin e tyre dhe u freskuam edhe ne, kredhur në paqen e patrazuar të këtij vendi të bukur, teksa dëgjonim zhurmën e këndshme të ujërave që derdheshin teposhtë.

Mbrojtja e mjedisit—Trashëgimia që la Noel-Kempf Merkadoja

Ambientalisti Noel-Kempf Merkado vdiq në vitin 1986. Megjithatë, puna që nisi ai për të mbrojtur këtë pjesë të Bolivisë vazhdon. Në vitin 1996, qeveria e Bolivisë dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të mbronin 880.000 hektarë pyje shiu dhe të nxitnin zhvillimin e vendit pa dëmtuar ambientin, në përpjekje për të pakësuar gazet e efektit serrë në pjesët e tjera të botës. Vitin pasues qeveria e Bolivisë dhe tri kompani energjitike filluan Projektin Noel-Kempf në Mbrojtje të Klimës, i cili, ndër të tjera, çoi në heqjen e së drejtës për prerjen e drurëve në 880.000 hektarë pyje. Kjo zonë iu bashkua parkut, dhe sipërfaqja e tij u dyfishua.

Vizita në këtë vend të mrekullueshëm na e shtoi vlerësimin për Krijuesin dhe bukurinë e larminë e jetës që krijoi në planetin Tokë. Te Psalmi 104:24 thuhet: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» E pra, ndërsa ecnim në shtigjet e kësaj «bote të humbur» plot jetë e gjelbërim, gati instinktivisht donim t’i hidhnim hapat sa më lehtë, pa bërë zarar, të thithnim atë bukuri e të mos merrnim asgjë me vete, veç fotografive në aparatet tona dhe kujtimeve në zemër.

[Shënimet]

^ par. 3 Në maj të 1925-s, Foseti i shkroi së shoqes për ekspeditën e tij. Pas kësaj, s’pati më lajm prej tij. Zhdukja e Fosetit mbetet ende mister.

^ par. 3 Ky park, që u krijua në vitin 1979, fillimisht u quajt Parku Kombëtar i Uançakës. Emrin e ri e mori në vitin 1988 për nder të biologut bolivian Noel-Kempf Merkado. Ai u vra në këtë pllajë nga disa trafikantë droge, pasi zbuloi rastësisht një laborator të paligjshëm kokaine.

[Figura në faqen 16]

Orkideja vjollcë me të kuqe

[Figura në faqet 16, 17]

Ujëvarat e Alfeldit, brenda në parkun kombëtar

[Figura në faqen 17]

Papagaj gjigantë

[Figura në faqen 17]

Ujëvarat e El Enkantos

[Burimi i figurës në faqen 15]

Pamja nga lart: ® 2004 Hermes Justiniano/​BoliviaNature.com

[Burimi i figurës në faqen 17]

Orkideja, ujëvara e Alfeldit dhe papagajtë: ® 2004 Hermes Justiniano/​BoliviaNature.com