Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vërshim teknologjik

Vërshim teknologjik

Vërshim teknologjik

NË Shqipëri nuk është e pazakontë të shohësh një të moshuar të hipur mbi gomar që flet në celular. Në Indi, një lypës i ndërpret një hop lutjet për lëmoshë që të bëjë a t’i përgjigjet një telefonate. Po, që nga celularët e deri te kompjuterët e televizorët, teknologjia ka depërtuar në çdo vend të botës, madje ka kapërcyer hendekun midis të pasurve e të varfërve dhe, për shumë veta, është bërë pjesë e jetës.

Përhapja e teknologjisë mbase është më e dukshme te shtimi i celularëve, shumë prej të cilëve nuk janë më thjesht celularë. Modelet e përparuara u mundësojnë përdoruesve të lidhen me Internetin, të shkëmbejnë postën elektronike dhe mesazhe, të shohin televizor, të dëgjojnë muzikë, të bëjnë fotografi, të orientohen me anë të Sistemit Global të Pozicionimit (GPS) dhe çfarë tjetër? Ah, po, edhe t’i telefonojnë dikujt.

Sipas një artikulli në gazetën Washington Post, sot një celular me funksione si të kompjuterit (smartphone) «ka fuqi më të madhe për përpunimin e të dhënave, sesa Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës Veriore në vitin 1965». Ndër të tjera, kjo gazetë thotë: «Tani ka një celular për çdo dy veta në Tokë» dhe të paktën 30 vende kanë më shumë celularë se njerëz. Vërtet, siç thotë edhe gazeta, jemi dëshmitarë të «teknologjisë që është përhapur në shkallë botërore më shpejt se çdo teknologji tjetër në historinë e njerëzimit».

Në mbarë botën, thuajse 60 për qind e përdoruesve jetojnë në vendet në zhvillim, pra, celulari është mjeti i parë i teknologjisë së lartë në fushën e komunikimit që shumicën e përdoruesve i ka në këto vende. Për shembull, në vitin 2008, Afganistani pati afro 140.000 abonentë të rinj çdo muaj, kurse në Afrikë, vitet e fundit përdorimi i celularëve është rritur gati 50 për qind çdo vit.

Por revolucioni në fushën e komunikimit ka edhe të këqijat e veta. Celularët, biperat dhe kompjuterët lap-top mundësojnë që t’i gjesh njerëzit thuajse kurdo dhe kudo. Si pasojë, shumë veta ndihen sikur kanë ngecur në një «rrjetë» elektronike. Ekstremi tjetër janë ata që bien në varësinë e teknologjisë. Këta s’rrinë dot pa u futur në «rrjetë», që të dinë ç’po ndodh.

Varësia, shpërqendrimi, ndërprerja, ndoshta janë problemet më të njohura që shoqërojnë mjetet e përhapura të komunikimit dhe të teknologjisë mediatike. * Por, po këto pajisje janë edhe shumë të dobishme. Pra, si të tregoni ekuilibër, mençuri dhe respekt për të tjerët kur i përdorni? Kjo pyetje do të gjejë përgjigje në artikujt vijues.

[Shënimi]

^ par. 7 Kjo seri artikujsh do të përqendrohet në mjete të tilla, si: celulari, kompjuteri, televizori dhe Interneti. Po të mos thuhet ndryshe, termi «teknologji» u referohet këtyre mjeteve.