Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ylli i drejtoi ‘dijetarët’ te Jezui?

Çfarë ylli i drejtoi ‘dijetarët’ te Jezui?

Çfarë ylli i drejtoi ‘dijetarët’ te Jezui?

Historitë e përhapura të Krishtlindjeve e quajnë këtë yll një shenjë të mirë nga qielli. Ishte vërtet ashtu?

▪ Shkrimtari i Biblës, Mateu, tregon se ky yll i veçantë u ra në sy ‘dijetarëve’ nga Lindja dhe i drejtoi për te Jezui i vogël. (Mateu 2:1-12, Diodati i Ri) Historitë e përhapura të Krishtlindjeve e quajnë këtë yll një shenjë të mirë nga qielli. Sipas një vepre referimi, ylli është një ndër «masat paraprake hyjnore, nëpërmjet së cilës . . . fëmija Jezu u nderua dhe u njoh nga Ati si Biri i tij i dashur». Edhe në këngët e Krishtlindjeve nderohet ky yll. Çfarë ishte ky yll?

Disa hedhin mendimin se ishte një dukuri qiellore natyrore. Disa studiues kanë parashtruar se ishin planetë që ndodheshin pranë njëri-tjetrit. Megjithatë, siç nxjerr në pah një fjalor The New Bible Dictionary, «kjo dukuri normalisht nuk mund të quhet ‘yll’». Kur planetët kalojnë pranë njëri-tjetrit, duken si pika drite të ndara nga njëra-tjetra dhe jo si yll i vetëm. Disa kanë hedhur idenë për dukuri të tjera qiellore, si kometat ose supernovat. Gjithsesi, asnjëra prej këtyre dukurive nuk mund të manovronte në qiell në mënyrë të atillë që t’i udhëhiqte ata burra drejt një qyteti të veçantë e pastaj të ndalej te një shtëpi e veçantë.

A mund të ketë qenë ylli një dukuri natyrore apo u shfaq nga Perëndia? Shqyrtoni disa fakte. Dijetarët nuk ishin as akademikë dhe as mbretër, siç do të quheshin sot. Siç thonë disa përkthime në shqip, ata ishin «astrologë» ose «magjistarë». Ata merreshin me praktika që dënohen nga Shkrimet e Shenjta. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Vëreni se vetëm për këta astrologë thuhet se ‘panë’ yllin. Po të ishte një yll i vërtetë, do të kishte qenë i dukshëm edhe për njerëzit e tjerë, siç do të shihej një pishtar i madh në një kodër. Por vetë mbretit Herod iu desh të pyeste astrologët për hollësitë rreth shfaqjes së yllit. Ky yll i çoi astrologët në fillim në Jerusalem, te Herodi, një armik për vdekje i Mesisë së ardhshëm. Ai donte ta vriste fëmijën Jezu. Pastaj ylli e ndryshoi drejtimin dhe i udhëhoqi astrologët drejt jugut në Betlehem, ku ishte Jezui, dhe kështu e vuri në rrezik jetën e tij.

Këto fakte provojnë se ylli ishte nga një burim i lig, me siguri nga Satana Djalli. Bibla thotë se ai përdor «shenja e çudira të gënjeshtërta». (2 Selanikasve 2:9) Pra të krishterët e vërtetë nuk duhet të habiten që Satanai mund të bënte që vetëm astrologët të shihnin një objekt si një yll dhe ta lëvizte atë «yll» për t’i drejtuar astrologët te Biri i Perëndisë, të cilin donte ta shkatërronte. Natyrisht, askush nuk mund t’ia hedhë Perëndisë Jehova. Prandaj nuk është çudi që taktika e Djallit për ta vrarë qysh në fillim Jezuin, dështoi.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se Perëndia e njoftoi lindjen e Jezuit me mënyra të mrekullueshme. Po atë natë që lindi Jezui, një engjëll iu shfaq një grupi barinjsh dhe njoftoi se lindi një «Shpëtimtar». Gjithashtu engjëlli i drejtoi barinjtë si ta gjenin Jezuin. Pastaj një shumicë engjëjsh u shfaqën dhe lëvduan Perëndinë. (Luka 2:8-14) Perëndia përdori këta engjëj dhe jo yllin për t’i njoftuar njerëzit se kishte lindur Jezui.