Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund ta plotësosh nevojën tënde frymore

Mund ta plotësosh nevojën tënde frymore

Pikëpamja e Biblës

Mund ta plotësosh nevojën tënde frymore

NJERËZIT kanë një nevojë frymore që është po kaq jetësore sa nevoja për ushqim. Megjithatë, kur flitet për ushqimin, kemi një sërë zgjedhjesh të mira, falë shumëllojshmërisë së madhe të ushqimeve që na mbajnë gjallë. A është njësoj me nevojën frymore? Ka një mori praktikash kulturore dhe fetare që thuhet se plotësojnë këtë nevojë.

Shumë mendojnë se, për sa kohë bëjnë diçka shpirtërore, nuk ka rëndësi se çfarë beson ose ç’lloj adhurimi bën. Si mendon? A ka rëndësi si e plotëson nevojën tënde frymore? Çfarë thotë Bibla?

Ç’do të thotë ta plotësosh nevojën frymore?

Te Zanafilla 1:27 Bibla zbulon pse kemi një nevojë frymore: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.» Meqë Perëndia Jehova është frymë, këtu nuk flitet për ndonjë ngjashmëri fizike, por për një ngjashmëri që bazohet te cilësitë që i kemi të përbashkëta. Ashtu si Krijuesi i tij, njeriu i parë, Adami, mund të vlerësonte dhe të shfaqte cilësi të tilla, si: dashuria, mirëdashja, dhembshuria, drejtësia dhe vetëkontrolli. Atij iu dha edhe një ndërgjegje—ndjesi e brendshme morale—për ta drejtuar që të përdorte vullnetin e lirë në përputhje me ligjet e Perëndisë. Këto karakteristika e bënë të ndryshëm nga kafshët dhe i dhanë aftësinë unike për të kryer vullnetin e Krijuesit të tij.—Zanafilla 1:28; Romakëve 2:14.

Bibla përcakton një element thelbësor që na ndihmon të plotësojmë nevojën tonë frymore. Te 1 Korintasve 2:12-15 njeriu frymor përshkruhet si dikush që merr frymën që vjen nga Perëndia. Kjo frymë është forca aktive e Perëndisë dhe veprimi i saj është i domosdoshëm që të arrijmë të njohim gjërat frymore. Kështu një njeri është i aftë të shqyrtojë e të kuptojë çështjet nga një këndvështrim frymor. Në kontrast me këtë, një njeri të cilit i mungon fryma e Perëndisë quhet njeri fizik dhe atij gjërat frymore i duken marrëzi. Për pasojë, përfundimet që nxjerr, kufizohen brenda kornizave të mençurisë njerëzore.

Prandaj, ndonëse e kemi aftësinë të mendojmë e të veprojmë si Perëndia, ngaqë u krijuam sipas shëmbëlltyrës së tij, nuk bëhemi dot njerëz të vërtetë frymorë nëpërmjet shqyrtimit të vetes, mençurisë njerëzore ose arritjeve personale. Për këtë kërkohet ndikimi i frymës së shenjtë të Perëndisë. Ata që nuk pranojnë që fryma e Perëndisë të ndikojë te ta, por zgjedhin të ndjekin dëshirat e veta dhe gjërat e paperëndishme, përshkruhen si njerëz që nuk kanë karakter frymor. Ata drejtohen nga dëshirat e forta dhe prirjet mishore.—1 Korintasve 2:14; Juda 18, 19.

Si plotësohet kjo nevojë?

Për ta plotësuar vërtet nevojën frymore, hapi i parë është të pranojmë se Jehovai është Krijuesi dhe se ekzistojmë falë tij. (Zbulesa 4:11) Kështu kuptojmë se jeta ka kuptim vetëm nëse bëjmë vullnetin e tij. (Psalmi 115:1) Kryerja e vullnetit të Perëndisë i jep qëllim jetës, dhe ky është një aspekt i nevojës sonë frymore që është po aq jetësore sa nevoja fizike për ushqim. Ja përse Jezui, një njeri i mirënjohur për karakterin frymor, mund të thoshte: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 4:34) Kryerja e vullnetit të Perëndisë i jepte forcë, pra e përtërinte dhe i sillte kënaqësi.

Meqë u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, plotësimi siç duhet i nevojës frymore varet edhe nëse e modelojmë personalitetin tonë në përputhje me personalitetin e tij. (Kolosianëve 3:10) Kështu shmangim sjelljen që na ul ne ose që na dëmton marrëdhënien me të tjerët. (Efesianëve 4:24-32) Kur jetojmë sipas normave të Jehovait, jeta jonë përmirësohet. Kjo na ndihmon edhe të kemi një paqe të vërtetë mendore, pasi i kursejmë vetes peshën e një ndërgjegjeje fajtore.—Romakëve 2:15.

Jezui na zbuloi një të vërtetë tjetër themelore për plotësimin e nevojës frymore, kur tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Plotësimi i nevojës frymore kërkon kujdes të vazhdueshëm. Nëpërmjet Biblës Jehovai na jep përgjigje për pyetjet e jetës, pyetje që i bëjnë të gjithë njerëzit.—2 Timoteut 3:16, 17.

Burimi i lumturisë së vërtetë

Një njeri mund ta shuajë urinë duke ngrënë ushqim pa vlera. Po kështu mund të dendemi me aktivitete ose filozofi që duket se e shuajnë urinë tonë frymore. Por, ashtu siç është e sigurt që një dietë e dobët çon në kequshqyerje, sëmundje a më keq, edhe kur nuk e plotësojmë siç duhet nevojën tonë frymore, në fund do të kemi pasoja.

Ndërsa, po të kultivojmë një marrëdhënie me Perëndinë Jehova, të përpiqemi të bëjmë vullnetin e tij e të ndjekim drejtimin e tij, do të zbulojmë sa të vërteta janë këto fjalë të Biblës: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.

A DONI TË DINI?

▪ Nga vjen nevoja jote frymore?—Zanafilla 1:27.

▪ A mund ta plotësojmë vetë nevojën frymore?—1 Korintasve 2:12-15.

▪ Çfarë duhet të bëjmë që të plotësojmë nevojën frymore?—Mateu 4:4; Gjoni 4:34; Kolosianëve 3:10.

[Diçitura në faqen 13]

Kur nuk e plotësojmë siç duhet nevojën tonë frymore, në fund do të kemi pasoja