Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

▪ Gjatë një studimi të kohëve të fundit, «u zbulua se gjashtë në 10 britanikë mendojnë se feja është bërë forcë përçarëse».—THE CATHOLIC HERALD, BRITANI.

▪ Në Portugali është ngritur centrali diellor më i madh në botë. Panelet diellore mbulojnë 250 hektarë dhe janë në gjendje të prodhojnë energji elektrike të mjaftueshme për nja 30.000 shtëpi.—EL PAÍS, SPANJË.

▪ Anembanë botës, çdo vit vdesin 900.000 të rinj nga shkaqe jonatyrore, pra më shumë se 2.000 çdo ditë. Shkaqet kryesore janë aksidentet rrugore, mbytja në ujë dhe djegiet.—DIE WELT, GJERMANI.

▪ «Ndonëse humbja neto e pyjeve është ulur vitet e fundit, bota humb ende rreth [200 kilometër katrorë] pyje në ditë.»—ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË, ITALI.

▪ Në janar të vitit 2009 u mbytën pesë piratë. Sipas të dhënave, kjo ndodhi sapo banda e tyre kishte marrë 3.000.000 dollarë amerikanë në shkëmbim të një naftëmbajtëseje saudite që e kishin marrë peng. Trupi i njërit u gjet në breg me 153.000 dollarë në një qese plastike në xhep.—ASSOCIATED PRESS, SOMALI.

Të rinjtë i quajnë moshatarët të llastuar

Sipas gazetës de Volkskrant, të rinjtë në Holandë «mendojnë se moshatarët po llastohen» dhe se «po teprohet me inkurajimin që ata të ndihen mirë me veten, e kjo ka sjellë si pasojë të mos marrin parasysh të tjerët». Siç raporton gazeta, ndër ata me moshë 16 deri 24-vjeçare «jo më pak se dy në tre veta . . . mendojnë se të drejtat e të rinjve nuk po ekuilibrohen më me detyrimet e tyre». Mendimi i përgjithshëm është se «të rinjtë kërkojnë shumë . . . dhe rrallë e pyesin veten se ç’kontribut mund të japin në shoqëri».

Fëmijët bëjnë vetë për të ngrënë

Kur drejtori i një shkolle japoneze kërkoi mënyra që prindërit dhe fëmijët të kalonin më shumë kohë së bashku, shkolla vuri në jetë idenë e tij që, një herë në muaj, nxënësit ta përgatitnin vetë ushqimin që merrnin me vete në shkollë. Tani qindra shkolla po veprojnë njësoj. «Nuk pritet që fëmijët gjithçka ta bëjnë vetë që në fillim,—thotë gazeta japoneze IHT Asahi Shimbun.—Çdo klasë ka synimin e saj. Fëmijët në klasat e fillores u kërkojnë ndihmë familjarëve për menunë dhe pazarin. . . . Klasat më të larta kanë pikësynim kryesor të hartojnë një menu të ekuilibruar.» Cili ka qenë rezultati? «Shkollat kanë treguar se fëmijët janë aftësuar në gatim, është shpërdoruar më pak ushqim dhe familjet kishin një argument të ri për bisedë»,—thotë gazeta. Gjithashtu fëmijët thonë se «kanë mësuar ta vlerësojnë çka bëjnë prindërit për ta».

Pastrim në Polin e Jugut

Vitin e kaluar, në kuadrin e një programi ekologjik të veçantë, specialistët rusë që merren me mjedisin në pole bënë një pastrim të përgjithshëm në Antarktidë dhe hoqën 360 tonë mbeturina. Në mbeturinat e hedhura pranë stacioneve kërkimore në Polin e Jugut kishte materiale ndërtimi të papërdorura, makineri të prishura dhe fuçi nafte bosh. «Sipas protokollit për mbrojtjen ekologjike të skajit më jugor të tokës, çdo vend duhet t’i heqë vetë mbeturinat e tij»,—thotë revista ruse Itogi. «Ata që i përmbushin më me përpikëri detyrimet, janë japonezët.»