Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përbindëshat gjigantë të thellësive

Përbindëshat gjigantë të thellësive

Përbindëshat gjigantë të thellësive

Një përbindësh ngrihet befas nga uji, mbërthen varkën dhe i tërheq marinarët poshtë, drejt varrit të nënujshëm. Kjo histori ka qenë fabula e legjendave që janë rrëfyer ndër epoka. Por, a ekzistojnë vërtet përbindësha kaq të mëdhenj?

NË VITIN 2007, peshkatarët në detin Ros, pranë Antarktidës, kapën rastësisht një kallamar supergjigant. Ishte rreth 10 metra i gjatë me gjithë tentakula dhe peshonte gati 500 kilogramë. Shkencëtarët mendojnë se ky lloj kallamari mund të bëhet edhe më i madh.

Një përbindësh i ngjashëm i ujërave, i njohur si kallamari gjigant, ka trup në formë siluri, sy që mund të jenë sa koka e njeriut, nofull të brirtë me formë si sqepi i papagallit, që është kaq e fortë sa të presë një kabëll çeliku, tetë krahë me radhë ventuzash thithëse dhe dy tentakula të gjata për ta çuar ushqimin te goja. Duke shfryrë ujë nga prapa, ai krijon një forcë që e shtyn trupin të lëvizë me shpejtësi 30 kilometra në orë e madje të hidhet në ajër.

Sipas raporteve, këta gjigantë janë parë më pak se 50 herë shekullin e fundit. Veç kësaj, këto krijesa nuk janë studiuar kurrë në habitatin e tyre.

Balena gjigante të oqeaneve

Kallamarët gjigantë dhe supergjigantë janë veç një vakt për një kafshë edhe më të madhe, për balenën kashalot, që mund të bëhet e gjatë rreth 20 metra e të peshojë nja 50 tonë. Vetëm një dhëmb i peshon 900 gramë. Janë gjetur kashalotë të ngordhur me copa kallamarësh gjigantë në stomak. Këto balena kishin edhe vraga rrethore në kokën e tyre të stërmadhe e rrumbullake. Ato tregonin se kallamari ishte përleshur me balenën. Në vitin 1965 ekuipazhi i një anijeje sovjetike që merrej me gjuetinë e balenave, tha se kishte parë një betejë midis një kallamari gjigant dhe një kashaloti 40-tonësh. Asnjëri nuk mbijetoi. Balena u gjend duke pluskuar mbi ujë, e mbytur nga tentakulat, me kokën e kallamarit në stomak.

Vërtet kallamari gjigant dhe kashaloti janë të stërmëdhenj, megjithatë, balena e kaltër, gjitari më i madh, ua kalon. Balena e kaltër më e madhe që është dokumentuar, ishte një balenë femër 33 metra e gjatë që u kap në Antarktidë. Balena e kaltër mund të peshojë edhe 150 tonë. Vetëm gjuha e saj rëndon sa një elefant i rritur. Vetëm përfytyroni: ajo lind një këlysh 7-8 metrosh. Për shkak të gjuetisë, balena e kaltër gati u zhduk aty nga vitet 60 dhe sot renditet ndër llojet tepër të rrezikuara.

I egri dhe i buti

Me 3.000 dhëmbët e tij të llahtarshëm, peshkaqeni i bardhë është mbase peshku më i frikshëm mishngrënës. Peshkaqeni i bardhë më i madh i dokumentuar ishte 7 metra i gjatë dhe peshonte 3.200 kilogramë. Ky peshkaqen ka një nuhatje të jashtëzakonshme dhe dallon një pikë gjaku të tretur në 100 litra ujë.

Peshkaqeni-balenë është më i madhi ndër peshqit ekzistues, mesatarisht 7,5 metra i gjatë. Megjithatë, disa mund të arrijnë gati dyfishin e kësaj madhësie. Goja e tij arrin deri në 1,4 metra gjerësi dhe mund të gëlltitë kollaj një njeri. Por nuk është aspak një grabitqar i egër për krijesat e mëdha detare. Ky gjigant i butë ushqehet me peshq të vegjël dhe gjallesa të vockla ujore.

Duke iu referuar ngjarjes biblike të profetit Jona, të cilin e gëlltiti një peshk i madh, revista National Geographic thotë: «Anatomia tretëse e pazakontë e peshkaqenit-balenë, u shkon për shtat historive të Jonait.» Peshkaqenët-balenë «i nxjerrin pa i dëmtuar objektet e mëdha që gëlltitin rastësisht, por që mund të mos treten kollaj».—Jonai 1:17; 2:10.

Gjiganti i ndrojtur

Një krijesë tjetër e madhe është oktapodi gjigant që mund të peshojë deri në 250 kilogramë. Dikur quhej peshku-djall, pasi mendohej se ishte në gjendje të mbyste anijet. Megjithatë, ky oktapod faktikisht është i ndrojtur dhe fshihet në strofullat shkëmbore dhe të çarat në fund të oqeanit. Tetë krahët e tij mund të hapen në një gjerësi deri 10 metra dhe, nga të gjithë jovertebrorët, ka trurin më të madh. Oktapodët janë tepër inteligjentë e mund të mësojnë gjëra të ndërlikuara, si të dalin nga labirinti e të hapin kapakun e kavanozit.

Ashtu si kallamari gjigant, edhe oktapodi gjigant maskohet duke ndryshuar ngjyrë, përdor shtytjen reaktive për të lëvizur dhe i shpëton rrezikut duke lëshuar një shtëllungë të dendur boje. Madje oktapodi mund të dalë nga uji për një kohë të shkurtër që të kërkojë ushqim në tokë.

Këto krijesa të thellësive i japin vërtet lavdi emrit të Krijuesit të tyre, Jehovait. Ishte me vend ajo që këndoi psalmisti i Biblës: «Lëvdoni Jehovain nga toka, ju përbindësha të detit dhe krejt ju ujëra të thella.»—Psalmi 148:7.

[Diagrami në faqen 17]

SA TË MËDHENJ BËHEN?

Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Peshkaqeni i bardhë

Oktapodi gjigant

Peshkaqeni-balenë

Kallamari gjigant*

Kallamari supergjigant*

*madhësi e përafërt

Balena kashalot

Balena e kaltër

këmbë 100 90 80 70 60 50 40 30 20 10 0

metra 30 25 20 15 10 5 0

[Figura në faqen 15]

Peshkaqeni i bardhë

[Figura në faqen 15]

Oktapodi gjigant

[Figura në faqet 16, 17]

Balena kashalot

[Figura në faqen 16]

Peshkaqeni-balenë

[Figura në faqen 17]

Balena e kaltër dhe i vogli i saj

[Burimet e figurave në faqen 15]

Peshkaqeni: © Steve Drogin/​SeaPics.com; vizatimi: Getty Images; oktapodi: © Brandon Cole

[Burimet e figurave në faqen 17]

Balena kashalot: © Brandon Cole; balenat e kaltra: © Phillip Colla/​SeaPics.com; peshkaqeni-balenë: © Steve Drogin/​SeaPics.com