Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Projekt me një qëllim apo rastësi?

Projekt me një qëllim apo rastësi?

Projekt me një qëllim apo rastësi?

Në vitin 1802, kleriku dhe teologu anglez Uilliam Pejli shtjelloi arsyet përse besonte te një Krijues. Ai tha se, po të ecte në një vend të shkretë dhe të gjente përtokë një gur, logjikisht mund të arrinte në përfundimin se proceset natyrore e kishin çuar gurin atje. Por, po të gjente një orë, zor se do të nxirrte të njëjtin përfundim. Pse? Për arsyen e thjeshtë se një orë ka veçoritë tipike të një projekti dhe të një qëllimi.

MENDIMET e Pejlit ndikuan mjaft te natyralisti anglez Çarls Darvin. Megjithatë, ndryshe nga logjika e Pejlit, më vonë Darvini propozoi se projekti që duket te gjallesat mund të shpjegohet nëpërmjet një procesi të cilin e quajti «seleksionimi natyror». Shumë veta e panë evolucionin darvinist si kundërpërgjigje përfundimtare ndaj argumenteve që mbështetnin projektin.

Për këtë temë është shkruar shumë që nga ditët e Pejlit e të Darvinit. Argumentet në mbrojtje të projektit nga njëra anë dhe të seleksionimit natyror nga ana tjetër, shpesh janë përmirësuar, përpunuar në detaje dhe përditësuar. Të dyja palët kanë ndikuar mjaft tek idetë që kanë njerëzit për ekzistencën ose mosekzistencën e një qëllimi në univers. Se sa kuptim ka jeta për ju, fare mirë mund të varet nga ajo që besoni. Si është e mundur?

Pasojat logjike të darvinizmit

Besimi në teorinë e Darvinit ka bërë që shumë njerëz të sinqertë të nxjerrin përfundimin se ekzistenca e tyre nuk ka një qëllim të vërtetë. Nëse kozmosi dhe gjithçka në të janë fryt i kombinimeve të rastësishme të elementeve, pas big-bengut të kryehershëm, atëherë jeta s’ka qëllim të vërtetë. I ndjeri Zhak Monod, biolog dhe fitues i çmimit Nobel, tha: «Njeriu e di më në fund se ai është i vetëm në pafundësinë pa ndjenja të universit, nga i cili ai ka lindur prej rastësisë. Fati i tij nuk është shkruar kurrkund dhe as detyra e tij.»

Një mendim të ngjashëm shpreh edhe profesori i kimisë në Oksford Piter-Uilliam Atkins, i cili thotë: «Për mua, ky univers i jashtëzakonshëm ka madhështi të mrekullueshme dhe mahnitëse. Ai qëndron plot lavdi, por krejt i padobishëm.»

Por patjetër, ka edhe shkencëtarë që nuk pajtohen me këtë pikëpamje dhe kanë arsye goxha të forta.

Sinkronizimi i saktë—Dëshmi e një projekti të qëllimshëm?

Kur shqyrtojnë ligjet e natyrës, shumë kërkues nuk pajtohen me konceptin e një kozmosi pa qëllim. Për shembull, atyre iu bëjnë përshtypje forcat themelore që drejtojnë universin. Ligjet që qëndrojnë prapa këtyre forcave, duket se janë sinkronizuar kaq saktë sa të japin një univers në gjendje për të mbështetur jetën. «Po t’i ndryshonim qoftë edhe një fije ligjet ekzistuese, mund të kishim pasoja vdekjeprurëse»,—thotë kozmologu Pol Dejvis. Për shembull, nëse protonet do të ishin paksa më të rënda se neutronet dhe jo paksa më të lehta, siç janë realisht, të gjitha protonet do të ktheheshin në neutrone. A do të ishte kaq serioze kjo? Dejvisi shpjegon: «Pa protonet dhe ngarkesën e tyre elektrike të domosdoshme, atomet nuk do të ekzistonin.»

Forca elektromagnetike i tërheq elektronet drejt protoneve, dhe kështu krijohen molekulat. Nëse kjo forcë do të ishte mjaft më e dobët, elektronet nuk do të qëndronin në orbitë rreth bërthamës së atomit dhe nuk do të formoheshin molekulat. Nga ana tjetër, nëse kjo forcë do të ishte shumë më e fortë, elektronet do të ngjiteshin te bërthama e atomit. Në një rast të tillë reaksionet kimike dhe jeta nuk do të ndodhnin dot.

Por edhe një ndryshim i vogël në forcën elektromagnetike do të ndikonte te dielli dhe tek energjia diellore që arrin në tokë. Fare lehtë, ky ndryshim do ta bënte të vështirë a të pamundur fotosintezën te bimët. Fuqia ekzakte e forcës elektromagnetike përcakton nëse jeta në tokë është e mundur ose jo. *

Libri Shkenca dhe krishterimi: Katër pikëpamje (anglisht) jep një ilustrim interesant për të treguar sa delikat është ekuilibri i forcave dhe elementeve të kozmosit. Shkrimtari i fton lexuesit të përfytyrojnë një eksplorues që po viziton «kabinën e komandimit të gjithë universit». Atje sheh radhë të tëra me çelësa që mund të rrotullohen në çfarëdolloj vlere dhe mëson se çdo çelës duhet regjistruar në një vlerë të saktë në mënyrë që të ekzistojë jeta. Një çelës përcakton sa e fuqishme do të jetë forca e gravitetit, një tjetër sa e fuqishme është tërheqja elektromagnetike, një çelës tjetër raportin midis masës së neutronit dhe të protonit e kështu me radhë. Teksa shqyrton këtë mori çelësash, sheh se mund të ishin regjistruar ndryshe. Gjithashtu, pas një llogaritjeje të kujdesshme, kupton se edhe një ndryshim i vogël i ndonjërës prej këtyre vlerave do ta tjetërsonte arkitekturën e kozmosit në mënyrë të atillë që jeta nuk do të ekzistonte më. Gjithsesi, çdo çelës është regjistruar pikërisht me vlerën e duhur, që universi të vazhdojë dhe të jetë i banueshëm. Ç’përfundim do të nxirrte vizitori: si u regjistruan çelësat siç duhej?

Astronomi Xhorxh Grinstein thotë: «Ndërsa shqyrtojmë të gjitha dëshmitë, vazhdimisht ngre kokë mendimi se ka gisht diçka e mbinatyrshme a, më mirë, dikush i mbinatyrshëm. Mos ndoshta befas e pa e pasur ndër mend kemi zbuluar prova shkencore që dëshmojnë për ekzistencën e një Qenieje Supreme?»

Si mendoni? Cili shpjegim i shkon për shtat sinkronizimit të saktë që vërehet në kozmos? Projekt me qëllim apo rastësi?

‘Jemi këtu dhe kaq’

Sigurisht ateistët kanë kundërargumentet e tyre. Disa e shpërfillin sinkronizimin e saktë që shihet në natyrë dhe thonë: «Sigurisht që universi i dukshëm është në gjendje të mbështetë jetën njerëzore. Po të mos ishte, ne nuk do të ishim këtu e të vritnim mendjen për të. Pra s’ka asgjë për t’u shpjeguar. Jemi këtu dhe kaq.» Por, a ju duket bindës ky shpjegim për ekzistencën tonë?

Një argument tjetër është se një ditë do të provohet se vetëm një grup numrash mund të vlejnë në ekuacionet që shprehin ligjet themelore të natyrës. Pra, çelësat e përmendur më sipër s’kishin si të mos regjistroheshin në vlerat e sakta që universi të ekzistonte. Disa thonë: «Ndodhi kështu sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe!» Edhe sikur ky arsyetim i bazuar në një hipotezë të ishte i vërtetë, prapëseprapë nuk do të jepte një shpjegim të plotë për ekzistencën tonë. Pra, me pak fjalë, a është thjesht një rastësi fakti që universi ekziston dhe e mbështet jetën?

Në përpjekje për ta shpjeguar vetëm nëpërmjet proceseve natyrore projektin dhe sinkronizimin e saktë të kozmosit, disa të tjerë i drejtohen teorisë së shumë universeve. Sipas kësaj hipoteze, mbase jetojmë vetëm në njërin prej universeve të panumërta, ku çdonjëri ka kushte të ndryshme, por asnjëri nuk ka as qëllim dhe as projekt. Sipas kësaj linje arsyetimi dhe ligjeve të probabilitetit, po të kesh universe mjaftueshëm, do të qëllojë njëri që do të ketë kushtet e duhura për të mbështetur jetën. Gjithsesi, në të vërtetë nuk ka asnjë provë shkencore që mbështet teorinë e shumë universeve. Është një hamendje kokë e këmbë.

Pasi u shpreh se nuk e besonte këtë hipotezë, biokimisti Kristjan dë Dyv, fitues i çmimit Nobel, tha: «Për mendimin tim, ka apo s’ka shumë universe që nuk janë në gjendje të prodhojnë jetën dhe mendjen, prapëseprapë jeta dhe mendja janë shfaqje kaq të jashtëzakonshme të materies, sa medoemos e kanë një kuptim. Zhvlerësimi i universit tonë me ekzistencën e mijëra miliarda të tjerëve nuk ia ul aspak vlerat veçorive të tij unike, të cilat i shoh si tregues se universi është projektuar.»

Vetëdija e njeriut

Është diçka e jashtëzakonshme fakti që nxjerrim teori për ekzistencën e kozmosit. Në një univers pa qëllim, kjo aftësi do të ishte veç pasojë e rastësisë. A ju duket e arsyeshme kjo?

Truri i njeriut është përshkruar si «objekti më i mrekullueshëm dhe më i mistershëm në gjithë universin». Sado njohuri të kemi në fushën e fizikës dhe të kimisë, kjo nuk e shpjegon dot siç duhet aftësinë e njeriut për të menduar në mënyrë abstrakte dhe përpjekjet tona të mëdha për një qëllim në jetë.

Mendja njerëzore që këmbëngul të kuptojë botën përreth ose erdhi nga një inteligjencë më e lartë, ose lindi rastësisht. Cila nga këto dy mundësi ju duket më e arsyeshmja?

A ka një shpjegim tjetër?

Është e vërtetë se shkenca na ka mësuar shumë si funksionon kozmosi, bota dhe gjallesat. Për disa njerëz, sa më shumë na tregon shkenca, «aq më e pamundur duket ekzistenca jonë». E pamundur, nëse do të ishte thjesht produkt i evolucionit. Sidoqoftë, në rast se do të shprehemi me fjalët e Xhoni Horganit, shkrimtar në fushën shkencore, «realiteti duket tmerrësisht i projektuar dhe në disa aspekte tepër i arrirë për të ardhur thjesht falë rastësisë». Po kështu fizikani Friman Dajson tha: «Sa më shumë vëzhgoj universin dhe studioj hollësitë e arkitekturës së tij, aq më shumë zbuloj prova se, në njëfarë mënyre, ai e priste ardhjen tonë.»

Duke marrë parasysh dëshmitë—kompleksitetin në natyrë, sinkronizimin e saktë, ekzistencën e një projekti dhe vetëdijen e njeriut—a nuk do të ishte logjike që të paktën të shqyrtojmë mundësinë e ekzistencës së një Krijuesi? Një arsye shumë e fortë për ta bërë këtë, është se Krijuesi duhet të jetë në gjendje të na thotë si lindi jeta dhe nëse jeta ka një qëllim—pyetje që shkenca nuk u jep dot përgjigje.

Këto pyetje trajtohen në shkrimet e quajtura Bibël ose Shkrimet e Shenjta, shkrimtarët e të cilave thonë se janë frymëzuar nga Krijuesi. Përse të mos shqyrtosh çfarë thotë Bibla për këto çështje?

[Shënimi]

^ par. 12 Për më shumë informacione rreth kësaj teme, ju lutemi shihni faqet 10-26 të librit A ka një Krijues që interesohet për ju? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 8]

A është truri i njeriut fryt i rastësisë?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Ku e ka themelin shkenca?

Kërkimet shkencore ekzistojnë ngaqë në botën fizike ka rregull dhe ngaqë energjia e materia sillen në mënyrë të parashikueshme e të njëjtë në rrethana të caktuara. Ky rregull shprehet në ligjet themelore të matematikës, fizikës, kimisë e kështu me radhë. Pa këtë rregull, studimet shkencore, teknologjia dhe vetë jeta nuk do të ekzistonin.

Pra ngrihet pyetja: cila është origjina e ligjeve fizike? Pse funksionojnë në këtë mënyrë? Shumë mendojnë se përgjigjja më e arsyeshme është falë një Inteligjence Supreme. Po ju si mendoni?

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

A doli nga hiçi?

Molekula e ADN-së (acidi dezoksiribonukleik), që gjendet në çdo qelizë, përmban udhëzime të ndërlikuara e të hollësishme që janë të nevojshme për zhvillimin e duhur të organizmave. Ndonëse ADN-ja është shumë më tepër e ndërlikuar, mund të krahasohet me informacionin dixhital të regjistruar në DVD. Kur përpunohen, të dhënat e koduara në DVD bëjnë të mundur që të shohim një video ose të dëgjojmë muzikë. Po kështu, molekulat e ADN-së që kanë formën e një shkalle litari të përdredhur, mbartin informacion të koduar që shërben si bazë për çdo lloj jete dhe i bën gjallesat të ndryshojnë nga njëra-tjetra: bananen nga fasulja, zebrën nga milingona, njeriun nga balena.

Zor se dikush do të thoshte se informacioni dixhital i DVD-së mund të jetë produkt i rastësisë. A është e arsyeshme të mendojmë se informacioni tepër i ndërlikuar i ADN-së doli nga hiçi?

[Burimi i figurës në faqen 6]

Galaktika NGC 4594 (Sombrero): NASA dhe Hubble Heritage Team (STScI/​AURA)