Si m’u ftoh dashuria për luftën
Si m’u ftoh dashuria për luftën
Treguar nga Tomas Stubënvoli
LINDA në qytetin e Nju-Jorkut më 8 nëntor të vitit 1944. U rrita në Bronksin Jugor, që asokohe ishte i ndarë në territore sipas racave. Kur isha i vogël, rrija shumë rrugëve dhe shpejt mësova të respektoja kufijtë e territoreve të bandave të ndryshme etnike. Këtyre bandave ua kishin frikën për shkak të krimeve dhe temperamentit të dhunshëm.
Në moshën 12-vjeçare isha pjesëtar i një bande. U vetëquajtëm «Kafkat». Bashkë me shokët shpërthenim vagonët e mallrave dhe vidhnim arka me gjalpë kikiriku dhe artikuj të tjerë ushqimorë. Kishte edhe banda me djem 19-vjeçarë ose pak më të vegjël, që ishin shumë më kokëkrisur. Shpesh kishte përleshje të përgjakshme mes këtyre bandave. Një herë një mikun tim ma vranë me thikë para syve.
I dashuruar pas luftës
Jeta e gangsterit nuk më jepte kënaqësi. Pas njëfarë kohe, doja vetëm të ikja nga qyteti. Dajë Edi kishte qenë në Luftën e Koresë me Korpusin e Marinsave, degë e ushtrisë amerikane. Përshkrimi që daja u bënte marinsave më mrekullonte. Më thoshte se marinsi është një udhëheqës i disiplinuar, luftëtar i paepur, i stërvitur për të manovruar shpejt në situata të vështira. Motoja në latinisht e Korpusit të Marinsave Semper fidelis, që do të thotë gjithnjë besnik, nxjerr në pah kodin e rreptë të besnikërisë dhe të përkushtimit. S’kaloi shumë dhe më tepër se çdo gjë tjetër doja të bëhesha marins i zoti.
Më 8 nëntor 1961, ditën që u bëra 17 vjeç, u regjistrova si marins. Pa mbushur as katër muaj,
mbarova stërvitjen bazë. Ky ishte fillimi i një karriere 11-vjeçare në ushtri.Hyra në ushtri në kohë paqeje. Gjithsesi jeta e marinsit është një stërvitje e pareshtur. Në fillim më çuan në Oahu të Havait, ku për dy vjet iu nënshtrova stërvitjes intensive për taktika këmbësorie dhe për luftë guerile. U bëra snajper dhe arrija t’i gjuaja një objektivi rreth 25 centimetra nga 457 metra larg. Më mësuan artet marciale, ndërlidhjen, si të përdorja eksplozivët, të kuptoja hartat dhe të hidhja në erë objekte. E shijoja çdo moment.
Pas Havait, shkova për një mision gjashtëmujor në Japoni që të ruaja armatimin nënujor në Bazën Detare-Ajrore të Acugit. Shpejt fërkimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit të Veriut u rënduan dhe më dërguan bashkë me një grup marinsash në aeroplanmbajtësen USS Ranger. Nga gjiri i Tonkinit anija mori pjesë në bombardimin e Vietnamit të Veriut. Më në fund po merrja pjesë në luftë të vërtetë. Megjithatë ndieja se duke ndenjur në anije nuk po provoja emocionin e betejës në tokë.
Realiteti i luftës
Në pranverë të 1966-s, kur isha akoma në anije, më çmobilizuan me nder pasi mbarova shërbimin katërvjeçar. Po të ishin në vendin tim, shumica e ushtarëve do të ishin kthyer menjëherë në shtëpi dhe do të kishin shmangur kasaphanën që po vinte. Por unë isha bërë marins në zemër, luftëtar profesionist, dhe as më shkonte ndër mend të tërhiqesha. Vendosa të regjistrohesha përsëri.
Doja të luftoja. Për këtë më kishin stërvitur. Prandaj kërkova të shërbeja në këmbësori. S’më bëhej vonë ku do të më çonin, vetëm të isha këmbësor i Korpusit të Marinsave. Të isha një marins i aftë ishte qëllimi i jetës dhe lufta po bëhej zoti im.
Në tetor të vitit 1967 më çuan në Vietnam. Isha në ankth dhe i gëzuar. Menjëherë më dërguan në vijat e para të frontit, në provincën e Kuang-Triut. Pa bërë ende 24 orë, u gjenda mes një beteje të përgjakshme. Njerëzit rreth meje po vriteshin e plagoseshin. Shihja pluhurin të ngrihej nga plumbat armike që goditnin tokën. Mbrojtja e vetme ishin ca kaçuba. Fillova të gjuaja. Ishte llahtar. Mendova, kaq e pata. Më në fund mbaroi. Unë mbijetova, por jo ata që mbartëm kur u kthyem.
Gjatë 20 muajve vijues, mora pjesë në luftimet më të furishme të Luftës së Vietnamit. Shtatë ditë në javë, gati 24 orë rresht, ose qëlloja, ose ruhesha mos më qëllonin; ose zija pritë, ose më zinin pritë. Shumicën e kohës shkëmbeja zjarr me armikun nga disa gropa në tokë që, kur binte shi, mbusheshin sakaq me baltë. Ndonjëherë ishin të ftohta dhe të padurueshme. Në këto gropa haja dhe flija.
Gjatë misioneve të gjurmim-shkatërrimit, hyja e dilja shpesh në xhunglën e lagësht, ku gjithmonë më kanosej rreziku që armiku të shfaqej befas nga prapa shkurreve të dendura. Ndonjëherë, për orë të tëra, isha nën goditjet e vazhdueshme të predhave të artilerisë që shpërthenin rreth e qark. Në një betejë pranë Kan-Sanit, rreth treçereku i togës ishte plagosur ose vrarë, mbetën vetëm 13 veta të padëmtuar.
Më 30 janar 1968 isha në një bazë ushtarake, ku fjeta në një tendë, pas një viti e ca. Ajo farë rehatie u prish në të zbardhur kur u
zgjova nga zhurma shurdhuese e një predhe mortaje që shpërtheu. U plagosa. Copa predhe m’u futën në trup. Atë mëngjes armiku kishte filluar një pushtim në shkallë të gjerë.Falë plagëve mora medaljen ushtarake «Zemra vjollcë», por ato nuk ishin aq të rënda sa të më ndalonin të luftoja. Mjekët i nxorën menjëherë copat e predhës dhe s’kaloi shumë e u nisa për në qytetin e Huesë, ku u zhvillua një nga betejat më të mëdha të gjithë luftës. Atje u bëra vërtet një makinë vrastare. Të goditja armikun s’më bënte përshtypje hiç. Për 32 ditë rresht, sa hapja sytë e derisa i mbyllja, shkoja shtëpi më shtëpi duke kërkuar e vrarë armikun.
Atëherë ndihesha plotësisht i justifikuar. Mendoja: «Fundja armiku ka vrarë mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm në qytetin e Huesë. Mijëra kufoma dergjen nëpër rrugë e rrugica. Ka mina kudo, madje edhe nën kufoma. Rreziku i snajperëve s’na ndahet.» Të gjitha këto nuk më ndalnin dot. Sipas meje ishte e drejtë ta vrisja armikun.
Etje e sëmurë për të luftuar
E mbarova afatin 13-mujor të shërbimit ca kohë pas betejës së Huesë. Por lufta ziente, e s’ndahesha dot prej saj. Kështu kërkova të rrija në Vietnam për një afat të ri. Ngaqë isha rreshter, më ngarkuan me një mision special. Udhëhiqja grupe marinsash nëpër fshatra të vogla. Atje bashkëpunonim me civilët dhe i stërvitnim të mbronin komunitetin e tyre. Ishim vazhdimisht syçelë, ngaqë shpesh armiku përzihej me vendësit. Natën dilnim vjedhurazi që të gjurmonim, të kapnim dhe të vritnim luftëtarët armiq. Me gjithë tensionin e jashtëzakonshëm, dashuria për luftën veç rritej.
Afati i dytë kaloi sa hap e mbyll sytë. Kërkova prapë të qëndroja në fushëbetejë. Kësaj radhe eprorët ma refuzuan kërkesën, mbase vunë re etjen time të sëmurë për luftë. Sidoqoftë karriera ime si marins nuk mbaroi me kaq. Më kthyen në Shtetet e Bashkuara si instruktor për rekrutët. U përqendrova në detyrat e mia si instruktor për tre vjet e gjysmë. Dija kaq shumë gjëra, ndaj bëra maksimumin që t’i ktheja rekrutët në makina të tmerrshme lufte si vetja.
Gjeta një qëllim më të mirë për jetën
Zura miqësi me një instruktor tjetër që sapo e kishte lënë gruaja. Motra e tij, Kristina Antisdeli, që kohët e fundit ishte bërë Dëshmitare e Jehovait, i kishte thënë se ishte gati të vinte në shtëpinë e tij e ta ndihmonte të rriste dy vogëlushet. Kjo ishte hera e parë që dëgjoja për Dëshmitarët.
Vija nga familje katolike dhe për tetë vjet kisha shkuar në një shkollë katolike. Në kishë kisha shërbyer edhe në altar. Megjithatë nuk dija thuajse asgjë nga Bibla. Por Kristina më ndihmoi. Ajo më tregoi të vërteta nga Bibla që nuk i kisha dëgjuar kurrë më parë. Kuptova se çfarë mëson vërtet Bibla dhe çfarë nuk mëson.
Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 14:28) Nga ana tjetër, Bibla mëson se Perëndia do ta zhdukë ligësinë, dhembjen, vdekjen dhe se njerëzit e bindur do të jetojnë në parajsë tokësore përgjithmonë. (Psalmi 37:9-11; Zbulesa 21:3, 4) Gjithashtu mësova se Perëndia ka një emër, Jehova, si dhe normat e tij të vërteta morale. (Psalmi 83:18; 1 Korintasve 6:9, 10) Të gjitha këto më mrekullonin.
Për shembull, mësova se në Bibël nuk thuhet as që Perëndia i dënon të vdekurit në ferrin e zjarrtë dhe as që është pjesë e një Triniteti. (Në nëntor të 1972-shit, më çuan në një bazë tjetër ku duhej t’u mësoja taktika lufte nënoficerëve. Atje fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Shkoja në mbledhje dhe më bëri mjaft përshtypje atmosfera miqësore dhe vëllazëria e sinqertë e Dëshmitarëve.
Sa më shumë mësoja për Biblën, aq më shumë më vriste ndërgjegjja. Jeta që bëja ishte tepër larg të vërtetave të saj. Ia kisha kushtuar jetën luftës nacionaliste dhe dhunës, gjëra që Perëndia i urren.
Arrita në përfundimin se s’mund të isha edhe marins, edhe adhurues i Perëndisë Jehova. Tamam atëherë m’u ftoh dashuria për luftën. Vendosa ta lija profesionin. Pas shumë procedurash, intervistash dhe një vizite psikiatrike që më hëngrën muaj të tërë, më liruan me nder nga ushtria: kësaj here për arsye të ndërgjegjes. Kështu përfunduan 11 vjetët në Korpusin e Marinsave.
Tani mund t’i thosha Jehovait me plot gojën fjalët e Isaisë 6:8: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» Po, isha gati ta përdorja energjinë, entuziazmin tim në shërbim të Perëndisë së vërtetë dhe jo në shërbim të marinsave. U pagëzova si Dëshmitar i Jehovait më 27 korrik 1973. Pas pesë muajsh u martova me Kristina Antisdelin, Dëshmitaren e parë që njoha.
Këto 36 vjet së bashku, unë dhe Kristina i kemi kaluar duke u dhënë të tjerëve njohuri biblike dhe duke i ndihmuar të afrohen me Perëndinë. Për tetë vjet kemi shërbyer si misionarë në Republikën Domenikane. Këto 18 vitet e fundit kam qenë shërbëtor udhëtues. Bashkë me gruan kemi vizituar anekënd Shteteve të Bashkuara qindra kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën spanjolle.
Deri sot s’di të kem ndonjë pasojë emocionale a mendore nga lufta: as stres post-traumatik, as makthe e as përjetime të skenave tronditëse të së kaluarës. Gjithsesi, duke iu afruar më tepër Perëndisë Jehova, më vjen thellësisht keq që kam marrë jetë njerëzish gjatë luftës.
Kam ndryshuar si nata me ditën, por ia vlen. Tani e ndiej se Perëndia më ka falur për gjërat e së shkuarës. Misioni im nuk është më t’u marr jetën njerëzve, por t’u jap shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Gjërat që bëra si marins i bëra nga padija dhe nga zelli i gabuar. Sot që jam Dëshmitar i Jehovait e që kam mësuar çfarë thotë Bibla, ato që bëj, i bëj nga bindja se ka një Perëndi të vërtetë, të gjallë e të dashur, dhe se, në fund, ata që e duan e i binden do të kenë veç të mira.
[Diçitura në faqen 25]
Shtatë ditë në javë, gati 24 orë rresht, ose qëlloja, ose ruhesha mos më qëllonin; ose zija pritë, ose më zinin pritë
[Diçitura në faqen 27]
Duke iu afruar më tepër Perëndisë Jehova, më vjen thellësisht keq që ua kam marrë jetën njerëzve si unë gjatë luftës
[Figurat në faqen 24]
Kur isha instruktor (lart) dhe në këmbësori në Vietnam (poshtë)
[Figura në faqen 25]
Falë plagëve mora medaljen «Zemra vjollcë», por ato nuk ishin aq të rënda sa të më ndalonin të luftoja
[Figura në faqen 26]
Këto 36 vjet së bashku, unë dhe Kristina i kemi kaluar duke u dhënë të tjerëve njohuri biblike