Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mahnitur nga natyra

Të mahnitur nga natyra

Të mahnitur nga natyra

STUDIMET shkencore kanë hedhur dritë për mënyrën si funksionon universi ose kozmosi. Tani njeriu e njeh më mirë atë, që nga njësia më e vogël e materies e deri te hapësira e paanë. Prapëseprapë, është marramendëse ajo që mbetet ende e panjohur.

Toka ku jetojmë, është veç një grimë e universit të paskajshëm. Gjithsesi, shtëpia jonë, Toka, na mahnit me kompleksitetin dhe bukurinë e madhërishme të natyrës: një lule e mrekullueshme, një panoramë që të lë gojëhapur, pendët fantastike të një zogu, flatrat e një fluture, një perëndim i përflakur ose buzëqeshja e një njeriu të dashur.

Shumë njerëz kanë gjetur dëshmi të mjaftueshme në univers për të besuar se ekziston një Shkak i Parë inteligjent. Ata thonë se ligjet fizike duket se janë sinkronizuar saktë për të mbështetur jetën. Sikur universi të ishte ndërtuar qoftë edhe paksa ndryshe, jeta do të ishte e pamundur. Por, ngado që hedhim sytë, jeta na rrethon me gjithë larminë e saj fantastike.

Kozmologu Pol Dejvis shkruan: «Teksa drama kozmike zhvillohet, duket sikur ekziston një skenar ose një plan për universin. . . . Natyra nuk është një grup ngjarjesh të rastësishme, por dëshmi e ligjeve matematike të gërshetuara me inteligjencë.» Disa shkencëtarë pajtohen me Dejvisin. Të tjerë jo.

Për shembull, fizikani Stiven Uinberg, laureat i çmimit Nobel, tha: «Sa më shumë të duket se e kuptojmë universin, aq më shumë na duket i pakuptimtë.» Si për ironi, Uinbergu thotë edhe se «nganjëherë natyra ngjan më e bukur nga ç’është e nevojshme. . . . Është thuajse e pamundur të mos mendojmë se gjithë kjo bukuri u shtua për të mirën tonë».

Cila është e vërteta? Nëse ka një sinkronizim të saktë, a duhet të ketë edhe një Mjeshtër që e sinkronizoi, një Projektues, një Krijues që pati një qëllim? A ka ndonjë qëllim jeta jonë dhe universi ynë? Apo ekzistojmë thjesht si pasojë e proceseve fizike të padrejtuara nga askush dhe pa pikësynim? Këto pyetje do të trajtohen në artikujt vijues.