A je i stresuar?
A je i stresuar?
ANEMBANË botës, konflikti mes punës dhe familjes është ndër çështjet më problematike. Siç tregon një burim, ‘globalizimi, teknologjia e re dhe ekonomia që punon pareshtur e ku ka konkurrencë të fortë, e kanë mjegulluar kufirin që e ka ndarë brez pas brezi familjen nga puna’. Këto ndryshime kanë krijuar një mirëqenie të paparë. Por ky sukses e ka një çmim. Një publicist thotë: «Miliona prej nesh e teprojnë duke punuar, janë gjer në fyt të programuar, janë tejet të mbingarkuar. Jemi kokë e këmbë të stresuar.»
Sot kësaj gjendjeje i shtohen edhe pasojat demoralizuese të rënies ekonomike. Punonjësit në mbarë botën, si ata që bëjnë punë truri, ashtu edhe ata që bëjnë punë krahu, kanë humbur punën dhe shtëpinë. Me siguri do të donin të punonin shumë.
Ja ç’përmasa kanë marrë këto probleme:
▶ Ndër punonjësit e Evropës, 6 në 10 veta vuajnë nga stresi i punës.
▶ Ndër punonjësit e SHBA-së, 1 në 3 veta ndihet vazhdimisht i mbingarkuar.
▶ Në Kanada, 2 në 3 veta e kanë të vështirë të gjejnë ekuilibrin mes familjes dhe punës.
▶ Sipas llogaritjeve të përafërta, më shumë se 600 milionë punonjës ose 22 për qind e fuqisë punëtore në botë, punojnë mbi 48 orë në javë.
Këto statistika pasqyrojnë një tragjedi gjigante të njerëzve. Disa studime e lidhin punën me orar të zgjatur ose orar pa orar me shëndetin e keq, marrëdhëniet e tendosura, mangësitë në rolin si prind, ndarjen dhe divorcin.
Po ti? A po punon tepër? Apo je mes atyre milionave që tani janë të papunë? A thua: «Ah, sikur të gjeja ekuilibrin mes punës dhe familjes?» Atëherë, si ta gjesh?
[Kutia dhe figura në faqen 3]
«TURNI I DYTË»
«Kur kthehem në shtëpi,—thotë një grua që punon,—duhet të përgatis darkën, të pastroj shtëpinë, të laj rrobat, të marr fëmijët, t’i ndihmoj me detyrat, të kujdesem që të lahen dhe t’i vë në gjumë. Pastaj, për vete jam e vdekur.» Rreth 1,2 miliardë gra në botë janë në punë dhe miliona bëjnë edhe këtë «turn të dytë» të frikshëm, siç bëjnë edhe shumë burra. Megjithatë, sondazhet tregojnë se shpesh burrat nuk pranojnë të merren me punë në familje. Zakonisht barrën më të madhe e mbajnë gratë, qofshin në punë ose jo.