Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Epoka e artë e mbretëreshës Elizabeta I: Mit apo fakt?

Epoka e artë e mbretëreshës Elizabeta I: Mit apo fakt?

Epoka e artë e mbretëreshës Elizabeta I: Mit apo fakt?

NË KOHËN e vet, ajo ishte legjendë. Shkrimtarë, poetë, dramaturgë dhe regjisorë modernë e kanë përjetësuar famën e saj. Vitet e fundit, janë shtuar ndjeshëm librat dhe ekspozitat për të. Në një anketë ndërkombëtare, ishte ndër dhjetë britanikët më të mëdhenj të kohëve. Ajo ishte mbretëresha Elizabeta I e Anglisë.

Pse kjo monarke, e njohur në kohën e saj si Mbretëresha e Virgjër dhe Mbretëresha e Mirë Bes (shkurtimi i emrit Elizabetë), e ka tërhequr kaq shpesh vëmendjen e publikut? A ishte vërtet një epokë e artë mbretërimi i saj?

Trashëgon shumë probleme

Elizabeta Tudori lindi në vitin 1533, një zhgënjim i hidhur për babanë e saj, mbretin Henriku VIII, i cili donte se s’bën një trashëgimtar mashkull. Mamaja e saj, Ana Bolena, gruaja e dytë e Henrikut, nuk arriti t’i lindte një djalë. Henriku urdhëroi t’i pritej koka, bazuar në akuza që shumë mendojnë se ishin të sajuara. Në atë kohë, Elizabeta ishte vetëm dy vjeçe.

Tashmë Henriku i kishte prerë lidhjet me papën e Romës dhe e kishte shpallur veten kreun më të lartë të Kishës së Anglisë. Pas vdekjes së Henrikut në vitin 1547, këshilluesit fetarë të djalit të tij të vogël, Eduardit VI, u përpoqën ta bënin Anglinë njëqind për qind protestante. Eduardi vdiq në vitin e gjashtë të mbretërimit të tij dhe kombi u zhyt përsëri në besimin katolik, nën sundimin e shkurtër dhe gjakatar të Marisë I, motrës së Elizabetës nga babai. * Kur Elizabeta hipi në fron në moshën 25-vjeçare, në vitin 1558, Anglia jo vetëm që ishte e përçarë nga konflikti fetar, por edhe pothuajse e rrënuar ekonomikisht. Kishte humbur zotërimet e fundit franceze dhe Spanja përbënte një kërcënim shumë real.

Elizabeta e nisi mbretërimin duke marrë pranë vetes këshilltarë të aftë, disa prej të cilëve do të qëndronin me të shumicën e mbretërimit 44-vjeçar. Problemi i parë me të cilin u mor ajo, ishte feja. Siç komenton Muzeu Kombëtar i Marinës, ajo zgjodhi «të rivendoste Reformën dhe të ndërtonte një Kishë të Anglisë që nuk ishte as katolike, as protestante ekstreme». Në vend që të ishte kreu më i lartë, ajo u bë guvernatorja më e lartë, që të qetësonte ata që nuk pranonin një grua si kreun e kishës. Më tej, parlamenti miratoi Aktin e Njëjësisë që përcaktonte bindjet dhe praktikat e Kishës së Anglisë, ndonëse ruante edhe disa ceremoni katolike. Natyrisht, kjo «rrugë e mesme» nuk e kënaqi pjesën më të madhe të katolikëve dhe as protestantët më të rreptë, që ishin puritanët.

Në mendjen e Elizabetës vërtitej një problem edhe më personal. Si të fitonte besnikërinë dhe respektin e një kombi që ende rënkonte nga mbretërimi shkatërrimtar i Marisë I? Vendosi ta kthente në avantazh të saj faktin që ishte femër. Historiani Kristofer Hejg shpjegon: «Në fron, Elizabeta ishte Mbretëresha e Virgjër, për Kishën ishte një nënë, për fisnikët e saj ishte një teze, për këshilltarët një grua zevzeke dhe për oborrtarët, një damë joshëse.» Sekreti i saj ishte ta siguronte vazhdimisht popullin e vet se e donte shumë. Edhe populli e donte ose të paktën kështu u thoshte ajo pareshtur, derisa shpejt e besuan edhe vetë.

Parlamenti mezi priste që Elizabeta të martohej e të lindte një trashëgimtar protestant. Njëri pas tjetrit shkonin tek ajo kandidatë nga familjet mbretërore. Elizabeta shtirej sikur kishte interes dhe i mbante pezull marrëveshjet martesore për muaj, e nganjëherë për vite të tëra, derisa vendoste të mos martohej, kur ishte e volitshme nga ana politike.

Ndërsa ndiqte një rrugë fetare «të moderuar», Elizabeta u bë shënjestër komplotesh. Gati për ta sulmuar ishte kushërira e saj katolike, Maria Stjuarti, të cilën Evropa katolike e shihte si trashëgimtaren legjitime të Marisë I. Rreziku nga kjo anë u shtua në vitin 1568 kur Maria u detyrua të abdikonte nga froni i Skocisë e të ikte në Angli. Ndonëse në arrest shtëpie, shpejt Maria u bë qendra e komploteve katolike për të rrëzuar mbretëreshën protestante, prapëseprapë Elizabeta ngulte këmbë që të mos dënonte me vdekje një monarke tjetër. Në vitin 1570, papa Piu V nxori një dekret papnor me të cilin e shkishëronte Elizabetën dhe i çlironte nënshtetasit e saj nga detyrimi për t’iu bindur asaj. Papa tjetër, Gregori XIII, shkoi edhe më tej, duke shpallur se nuk do të ishte mëkat të pushtoje Anglinë dhe ta hiqje me forcë nga froni mbretëreshën. Çështjet arritën kulmin kur u zbulua një komplot i Entoni Babingtonit për të vrarë Elizabetën, komplot në të cilin ishte përfshirë edhe Maria. Më në fund, Elizabeta u detyrua të merrte një vendim për të dhe, e nxitur nga parlamenti, pranoi që Maria të ekzekutohej në vitin 1587. Evropa katolike u tërbua, sidomos Filipi II i Spanjës.

Strategjia e guximshme e Filipit katolik

Filipi, që në atë kohë ishte mbreti më i fuqishëm i Evropës, ishte përpjekur që Anglia të mbetej katolike, duke i kërkuar Elizabetës të martohej me të, në kohën kur u bë mbretëreshë, por ajo e kishte refuzuar. Për vite të tëra, piratë anglezë kishin plaçkitur anijet dhe portet spanjolle dhe kishin sfiduar epërsinë e tyre koloniale. Si për ta fyer më tepër, Elizabeta mbështeti holandezët në luftën e tyre për pavarësi nga sundimi spanjoll. Me ekzekutimin e Marisë, u mbush kupa për Filipin. I nxitur nga papa, ai planifikoi të përdorte Armatën Spanjolle, një flotë të stërmadhe luftarake me më shumë se 130 anije, e cila do të lundronte në Holandë, do të mblidhte një ushtri të madhe tokësore e pastaj do të kalonte ngushticën La Mansh për të pushtuar Anglinë. Para se flota të mobilizohej plotësisht, spiunët anglezë e zbuluan komplotin. Elizabeta dërgoi sër Fransis Drejkun me 30 anije në portin spanjoll të Kadiksit, ku ata shkatërruan një numër anijesh të vyera, duke e vonuar për një vit Armatën.

Kur më në fund Armata u largua nga porti në vitin 1588, flota detare angleze ishte gati për ta pritur. Ndonëse nën sulm, flota spanjolle kaloi përmes ngushticës La Mansh pa shumë dëme dhe u ankorua pranë portit francez të Kalesë. Natën vijuese, anglezët dërguan tetë anije zjarrvënëse. * Në panik e sipër, flota spanjolle u shpërnda dhe pas disa luftimesh të ashpra, një erë që vinte nga jugperëndimi i largoi nga Anglia dhe i çoi drejt Skocisë në veri. Stuhitë përreth Skocisë dhe bregut perëndimor të Irlandës fundosën gjysmën e anijeve spanjolle, ndërsa pjesa tjetër u tërhoq çalë-çalë për në Spanjë.

Nis «epoka e artë»

Në fillim të mbretërimit të Elizabetës, Anglia nuk kishte asnjë zotërim përtej detit. Ndryshe nga ajo, Spanja po fitonte pasuri të mëdha nga territoret e paana që pushtonte në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe të Jugut. Edhe Anglia donte të kishte pjesën e vet. Kështu, aventurierë të zotë lundruan përmes oqeaneve në kërkim të famës, pasurisë dhe rrugëve të reja tregtare për në Kinë dhe në Lindjen e Largët. Sër Fransis Drejku u bë kapiteni i parë që lundroi me anijen e tij përqark botës, duke plaçkitur anijet spanjolle me thesare ndërsa lundronte përgjatë bregut perëndimor të Amerikës së Jugut e të Veriut. Duke sfiduar monopolin e Spanjës mbi Botën e Re, sër Uollter Ralleji sponsorizoi përpjekjet për të themeluar një koloni në Bregun Lindor të Amerikës së Veriut. Territorin që pushtoi atje, e quajti Virxhinia, për nder të Mbretëreshës së Virgjër të Anglisë. Edhe pse dështuan, ato përpjekje të hershme kolonizuese zgjuan interesin e Anglisë për aventura të ardhshme. Kur u mund «Armata e pathyeshme» e Spanjës, Anglisë iu shtua besimi te forca e vet detare dhe Elizabeta mbështeti sipërmarrjet e reja tregtare në anën tjetër të botës, në Azinë Juglindore. Këta ishin hapat e parë për themelimin e një Perandorie Britanike që me kalimin e kohës do të përfshinte gjithë globin. *

Në Angli, mbretëresha nxiti arsimimin. U hapën shkolla të reja, duke u hapur derën drejt botës së dijes më shumë studentëve. Etja për literaturë, së bashku me përparimet në shtypje, solli një shpërthim kulturor. Kjo ishte epoka e Uilliam Shekspirit dhe dramaturgëve të tjerë të mëdhenj. Publiku dyndej në teatrot e sapohapura, për të ndjekur shfaqjet e tyre. Poetët shkruanin sonete të fuqishme dhe kompozitorët zhvillonin muzikë novatore. Artistë mjeshtra pikturonin miniatura të shkëlqyera të mbretëreshës dhe oborrtarëve. Përkthimet e reja të Biblës zinin vend nderi nëpër kisha e shtëpi. Por, ditët e arta nuk zgjatën shumë.

Epoka e artë e humb shkëlqimin

Vitet e fundit të Elizabetës ishin plot me telashe. Pa këshilltarët e saj të besuar, që kishin vdekur para saj, ajo u dha privilegje pak vetave që zgjodhi vetë, duke provokuar një rivalitet të fortë në oborrin mbretëror e madje edhe një rebelim që dështoi. Përsëri, mbretëria e saj u përça nga ana fetare. Katolikët nuk pranonin të ndiqnin shërbesat protestante dhe hasnin më shumë përndjekje. Nga fundi i mbretërimit të saj, ishin ekzekutuar afro 200 priftërinj e besimtarë të thjeshtë. Edhe puritanët u burgosën dhe u ekzekutuan. Në Irlandë plasi rebelimi ndaj sundimit anglez dhe lufta me Spanjën vazhdonte. Katër stinë të njëpasnjëshme të korrash të dobëta, shtuan papunësinë dhe vagabondët, dhe njerëzit u rebeluan ndaj çmimeve të larta të ushqimeve. Elizabeta e kishte humbur popullaritetin e saj. Anglia nuk e donte më Mbretëreshën e saj të Virgjër.

Pak nga pak, Elizabeta e humbi dëshirën për të jetuar. Kështu, sundimtarja e fundit e dinastisë së Tudorëve vdiq më 24 mars të vitit 1603. Kombi e priti lajmin me një heshtje dhe shtangie, por në mbrëmje po festonin në rrugë dhe hidhnin fishekzjarrë për ardhjen e monarkut të ri. Më në fund kishin një mbret, Jakovin VI të Skocisë, djalin protestant të Maria Stjuartit. Në rolin e tij si Jakovi I i Anglisë, ai bëri çka Elizabeta nuk kishte qenë në gjendje ta bënte: i bashkoi dy mbretëritë nën një monark. Mirëpo, optimizmi i fillimit shpejt ia la vendin zhgënjimit dhe kombi nisi të dëshironte ditët e Mbretëreshës së tyre të Mirë Bes.

A ishte vërtetë një epokë e artë?

Historianët e hershëm e lavdëronin Elizabetën në shkrimet e tyre. Disa vjet pas vdekjes së saj, Uilliam Kamdeni e përshkroi mbretërimin e saj si një epokë të artë përparimi, gjatë së cilës mbretëresha e frymëzoi popullin drejt madhështisë. Askush nuk e vuri në dyshim këtë pikëpamje për shekuj me radhë. Madje reputacioni i Elizabetës u rrit nga fundi i shekullit të 19-të, kur iu dha merita për lindjen e Perandorisë Britanike, që në atë kohë zinte çerekun e botës.

Disa historianë të sotëm nuk e shohin mbretërimin e Elizabetës me këtë optimizëm të tepruar. The Oxford Illustrated History of Britain thotë: «Elizabeta ka fituar një reputacion pas vdekjes që i tejkalon arritjet e saj të vërteta. Është e qartë se vetë propaganda e saj, . . . jeta e saj e gjatë, rastisja në epokën shekspiriane dhe mposhtja fatlume e Armatës Spanjolle, na kanë mashtruar që të bashkohemi në një përlëvdim gjithnjë e më të madh, që shpërfill faktin e thjeshtë se ajo, qetë-qetë, lejoi që Anglia të bëhej e paqeverisshme.» Kristofer Hejgu, i cituar më parë, shpjegon pse disa historianë shkruan atë që shkruan: «Në vitin 1603, Elizabeta ishte dukur si një plakë e marrë, ndërsa njerëzit pritnin me padurim një mbret nga Stjuartët. Në vitin 1630, kur mbretërit e dinastitë së Stjuartëve kishin treguar se ishin një zhgënjim, ajo ishte bërë modeli i gjithë virtyteve mbretërore.»

S’ka dyshim se Elizabeta ishte një grua e jashtëzakonshme në një botë ku mbizotëronin burrat. Inteligjente dhe e vendosur, ajo shkëlqeu në marrëdhëniet me publikun me ndihmën e ministrave të saj, të cilët me mjeshtëri kontrollonin fjalimet e saj, daljet në publik, veshjet dhe portretet që nxirrnin në pah imazhin e saj mbretëror dhe epokën e artë legjendare.

[Shënimet]

^ par. 6 Shih artikullin «Pranohet tani intoleranca fetare», në Zgjohuni!, 8 prill 2000, faqet 12-14, anglisht.

^ par. 13 Anija zjarrvënëse ishte një anije luftarake e mbushur me lëndë plasëse dhe materiale të tjera të djegshme, që dërgohej mes anijeve armike pasi i ishte vënë zjarri, duke shkaktuar shkretim.

[Diçitura në faqen 22]

«Elizabeta ka fituar një reputacion pas vdekjes që i tejkalon arritjet e saj të vërteta»

[Kutia dhe figura në faqen 22]

 XHON DI DHE PERANDORIA BRITANIKE

Elizabeta e quante Xhon Dinë (1527-1608/​9) filozofin e saj. Ai ishte një matematikan, gjeograf dhe astronom i respektuar, i cili interesohej thellësisht edhe për astrologjinë dhe okultizmin. E këshilloi mbretëreshën për ditën më të volitshme për kurorëzimin e saj dhe praktikonte magjinë në oborrin e saj. I jepet merita se ka përhapur termin «Perandoria Britanike», pasi e nxiste Elizabetën ta konsideronte veten si perandoreshë të një perandorie të ardhshme, që do të fitohej duke kontrolluar oqeanet e duke kolonizuar toka të reja. Për këtë qëllim, ai mbikëqyri eksploruesit që ishin në lundrim, sidomos në kërkimin e shtigjeve në verilindje e veriperëndim për të shkuar në Lindje, dhe mbështeti planet për të kolonizuar kontinentin e Amerikës së Veriut.

[Burimi]

Fotografia e marrë me mirësjellje nga Muzeu Britanik

[Figurat në faqet 20, 21]

A. Anijet zjarrvënëse angleze që u dërguan në Armatën Spanjolle B. Sër Fransis Drejku C. Mbretëresha Elizabetë Ç. Teatri «Globi» D. Uilliam Shekspiri

[Burimet]

A: Nga libri The History of Protestantism (Vol. III); B: ORONOZ; C: Nga libri Heroes of the Reformation; Ç: Nga libri The Comprehensive History of England (Vol. II); D: Encyclopædia Britannica/​11th Edition (1911)

[Burimi i figurës në faqen 19]

© The Bridgeman Art Library International