Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Perëndia i të krishterëve nuk ka vdekur në jetën e amerikanëve, por në politikën dhe kulturën tonë po ndikon më pak se në çdo periudhë tjetër të këtyre kohëve.»—NEWSWEEK, SHBA.
«Rënia dhe trazira ekonomike po krijon një kategori të re viktimash, atë të çifteve të martuara që nuk e përballojnë dot ekonomikisht divorcin. Në këto kohë të ashpra, shumë njerëz po shohin se u kushton më pak të qëndrojnë bashkë, edhe kur nuk e durojnë dot njëri-tjetrin.»—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.
Një në 3 nëna të anketuara në Gjermani mëson nga e bija për modën, shoqëritë, si t’i marrë gjërat më shtruar ose si të ketë më shumë vlerësim për veten.—BERLINER MORGENPOST, GJERMANI.
Antitrupa ende në qarkullim
«Ndonëse kanë kaluar nëntë dekada që nga gripi më vdekjeprurës në histori, gjaku i të mbijetuarve ende mbart antitrupa që sigurojnë mbrojtje të lartë kundër virusit të vitit 1918. Kjo tregon qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të imunitetit të njeriut»,—thotë gazeta International Herald Tribune. Kur analizuan gjakun e të moshuarve që i kishin mbijetuar gripit spanjoll, shkencëtarët zbuluan ‘antitrupa që ende u qarkullonin në trup, duke kërkuar të mbytnin ndonjë virus të gripit të vjetër’. Me këta antitrupa, studiuesit bënë një vaksinë që shëroi minj, të cilëve u ishte injektuar gripi vrasës. Kujtesa e sistemit imunitar i mahniti studiuesit. «Zoti na ka bekuar me antitrupa për gjithë jetën!—tha një studiues.—Po i mbijetove së keqes, bëhesh më i fortë.»
Pyetje për Zotin
«Pse ka vuajtje nëse ti [o Zot] je i mirë?» Siç pohon e përditshmja suedeze Dagen, kjo ishte një nga pyetjet e para që studentët suedezë do të donin t’i bënin Zotit nëse do të ishte e mundur. Në një sondazh u pa se pyetje të tjera kryesore ishin: «Cili është qëllimi i jetës?» dhe «Ç’do të ndodhë pas vdekjes?» Suedia njihet si vend tepër laik. Prapëseprapë, siç tha një përfaqësues i organizatës studentore të krishterë që drejtoi sondazhin, «këto pyetje ekzistojnë. . . . Të rinjtë bluajnë në mendje pyetje të kësaj natyre.»
Kufizimi fizik shton lumturinë në martesë
«Qoftë burrat, qoftë gratë, pavarësisht nga mosha, thanë se ishin më të lumtur në martesë pasi kishin pësuar ndonjë kufizim fizik»,—tregojnë studiuesit. Humbja e aftësisë për të kryer aktivitete të përditshme mund të jetë stresuese, por edhe mund t’i lidhë bashkëshortët. Sidomos burrat e moshuar thonë se u kushtojnë më shumë kohë bashkëshorteve. «Marrja përsipër e përkujdesjes dhe e përgjegjësive të reja ose më të mëdha se në të kaluarën, u krijonte burrave mundësi të mbështetnin bashkëshortet dhe të kalonin më shumë kohë me to. Kjo ua shtonte vlerësimin për marrëdhënien e tyre»,—thotë Karen Robertoja, drejtoreshë e qendrës që merret me studimin e plakjes dhe të problemeve të saj pranë Institutit Politeknik dhe Universitetit Shtetëror të Virxhinias, në SHBA.