A është logjike të besosh te Perëndia?
A është logjike të besosh te Perëndia?
A E KENI pyetur ndonjëherë veten përse gjithçka, që nga grimcat atomike e deri te galaktikat e paana, drejtohet nga ligje të sakta matematike? A keni menduar thellë për vetë botën e gjallë: për larminë, kompleksitetin dhe projektin mahnitës që shfaqet në të? Shumë veta, meritën për universin dhe jetën që gëlon aty, ia japin një aksidenti të madh kozmik dhe evolucionit. Të tjerë ia japin meritën një Krijuesi inteligjent. Cila pikëpamje ju duket më logjike?
Sigurisht, në të dyja pikëpamjet përfshihet besimi. T’ia japësh meritën Perëndisë duhet besim. Siç thotë Bibla, «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë». (Gjoni 1:18) Po kështu, askush nuk e ka parë formimin e universit dhe fillimin e jetës. Veç kësaj, askush nuk ka parë ndonjëherë një lloj gjallese të evoluojë në një lloj më të lartë, madje as në një lloj tjetër. Provat fosile tregojnë se grupet kryesore të kafshëve u shfaqën papritur dhe kanë mbetur thuajse të pandryshuara. * Prandaj, pyetja kyç është: cili besim mbështetet në themele të forta—besimi tek evolucioni apo besimi te një Krijues?
A bazohet besimi juaj në dëshmi të forta?
Bibla thotë se «besimi» i vërtetë është «dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». (Hebrenjve 11:1) Në një përkthim tjetër, The New English Bible, ky varg thotë: «Besimi . . . na siguron për realitete që nuk i shohim.» Pa dyshim ju vijnë ndër mend një sërë realitetesh që nuk shihen, por të cilave u besoni plotësisht.
Ta ilustrojmë: shumë historianë të respektuar besojnë se Aleksandri i Madh, Jul Cezari dhe Jezu Krishti kanë jetuar dikur. A bazohet në fakte besimi i këtyre historianëve? Po, sepse u referohen provave të besueshme historike.
Edhe shkencëtarët besojnë në realitete që nuk shihen, për shkak të ‘dëshmive të dukshme’ që vërtetojnë se ato realitete ekzistojnë. Për shembull, në shekullin e 19-të, kimisti rus Dimitri Mendelejev u mahnit nga mënyra si lidheshin elementet kimike, njësitë bazë të ndërtimit të universit. Mendelejevi kuptoi se ato kishin disa të përbashkëta dhe mund të grupoheshin sipas masës atomike dhe veçorive kimike. Për shkak të besimit në rregullin e këtyre grupeve, hartoi tabelën periodike të elementeve kimike dhe parashikoi saktësisht ekzistencën e një sërë elementesh të panjohura asokohe.
Shpesh, arkeologët nxjerrin përfundime për qytetërimet e hershme nga objekte të groposura për mijëra vjet. Ta zëmë se një arkeolog zbulon dhjetëra blloqe guri të latuara me kujdes, që kanë saktësisht të njëjtën madhësi e që janë vendosur me rregull mbi njëri-tjetrin. Veç kësaj, janë vënë sipas një forme të veçantë gjeometrike, që nuk ndodh natyrshëm. Në çfarë përfundimi do të arrinte arkeologu? A do të mendonte se këto blloqe u gjendën aty falë rastësisë? Ka shumë të ngjarë që jo. Përkundrazi, do t’i merrte si provë të aktiviteteve njerëzore në të kaluarën, dhe ky do të ishte një përfundim logjik.
Në pajtim me këtë, a nuk duhet të përdorim të njëjtën logjikë për projektin që shohim në natyrë? Shumë njerëz kanë fituar këtë pikëpamje, përfshirë edhe shkencëtarë të respektuar.
Rastësi e verbër apo projekt i qëllimshëm?
Vite përpara, matematikani, fizikani dhe astronomi britanik Xhejms Xhinsi shkroi se, në dritën e njohurive shkencore të përparuara, ‘universi duket se është projektuar nga një matematikan mjeshtër’, i cili ka zotësi dhe cilësi që pasqyrohen në vetë mendjen tonë.
Që kur Xhinsi shkroi këto fjalë, edhe shkencëtarë të tjerë kanë arritur në një përfundim të ngjashëm. Fizikani Pol Dejvis shkroi: «Organizimi i përgjithshëm i universit ka bërë që shumë astronomë modernë të mendojnë se ai është fryt i një projekti.» Një nga fizikanët dhe matematikanët më të famshëm të të gjitha kohëve, Albert Ajnshtajni, shkroi: «Fakti që [natyra] është e kuptueshme, është një mrekulli.» Në sytë e shumë njerëzve, kjo mrekulli përfshin vetë botën e gjallë, që nga njësia bazë e deri te truri i mahnitshëm i njeriut.
ADN-ja dhe truri i njeriut
ADN-ja është materiali gjenetik i të gjithë organizmave qelizorë dhe baza molekulare e trashëgimisë. * Ky acid kompleks është krahasuar me një projekt ose recetë, pasi ADN-ja është plot informacione të koduara kimikisht që ruhen në një mjedis molekular të aftë për ta përkthyer atë kod dhe për t’i zbatuar udhëzimet e tij. Sa informacion përmban ADN-ja? Nëse njësitë bazë, të quajtura nukleotide, do të ktheheshin në shkronja, «do të krijohej një libër me më shumë se një milion faqe normale», siç thotë një referim.
Në shumicën e organizmave, ADN-ja mbështillet derisa formohen trupa fijezorë të quajtur kromozome. Këto ruhen të sigurta në bërthamën e çdo qelize. Mesatarja e diametrit të bërthamës shkon rreth 5 mikrometra. Mendoni: i gjithë informacioni që ka dhënë si fryt trupin tuaj unik, gjendet në pako të vockla që shihen vetëm me mikroskop. Një shkencëtar me të drejtë tha se organizmat e gjallë kanë «një sistem për ruajtjen dhe riprodhimin e informacionit, ku e ku më kompakt se të gjitha sistemet e njohura». Kjo është mahnitëse kur mendon për memorien e kompjuterëve, DVD-ve e të tjera si këto. Për *
më tepër, ADN-ja ruan ende një mori sekretesh. Në revistën New Scientist thuhet: «Çdo zbulim shpalos një kompleksitet të ri.»A është logjike t’i jepet merita rastësisë së verbër për një projekt dhe organizim kaq të përsosur? Po t’ju binte në dorë një manual mjaft i ndërlikuar, me një milion faqe, i shkruar me një kod të efektshëm e të hartuar mirë, a do të nxirrnit përfundimin se manuali u shkrua vetë? Po sikur të ishte kaq i vogël saqë të nevojitej një mikroskop i fuqishëm për ta lexuar? Dhe, po sikur të përmbante udhëzime të sakta për prodhimin e një makine inteligjente që vetëriparohet dhe vetëshumëfishohet, një makine me miliarda pjesë ku secila duhet të përshtatet me tjetrën saktësisht në kohën dhe në mënyrën e duhur? Sigurisht, askush s’do ta çonte nëpër mend se ky libër erdhi vetvetiu.
Pasi shqyrtoi kërkimet bashkëkohore për mekanizmat e brendshëm të qelizës, filozofi britanik Entoni Flu, dikur flamurtar i ateizmit, tha: «Kompleksiteti thuajse i pabesueshëm i organizimit të nevojshëm që të lindë (jeta), [tregon] se duhet të ketë gisht inteligjenca.» Flui mendon se «duhet ta ndjekësh logjikën, pavarësisht se ku të çon». Në rastin e tij, ajo e çoi në një ndryshim rrënjësor të pikëpamjes së mëparshme dhe tani beson te Perëndia.
Edhe truri i njeriut lë gojëhapur shumë shkencëtarë. Ky fryt i ADN-së është përshkruar si «objekti më i ndërlikuar në univers». Edhe superkompjuteri më i përparuar duket fare primitiv në krahasim me këtë masë neuronesh dhe strukturash të tjera që peshon rreth 1,4 kilogramë dhe ka ngjyrë rozë në gri. Një shkencëtar që studion sistemin nervor, mendon se, sa më shumë shkencëtarët mësojnë për trurin dhe aftësinë për
të menduar, «aq më i mrekullueshëm dhe misterioz bëhet ai».Mendoni: truri na bën të aftë të marrim frymë, të qeshim, të qajmë, të zgjidhim gjëegjëza, të ndërtojmë kompjuterë, t’i japim biçikletës, të shkruajmë poezi dhe të shohim qiellin natën të mahnitur e plot admirim. Nga sa thamë më lart, a është logjike t’ia japim meritën evolucionit të verbër për këto aftësi dhe për kapacitetin që gëzojmë?
Besim i bazuar në dëshmi
Për të kuptuar veten, a duhet të shqyrtojmë një formë jete më të ulët, si majmunët dhe kafshët e tjera, siç bëjnë evolucionistët? Apo duhet të drejtohemi te një burim më i lartë për përgjigjet, te Perëndia? Vërtet, kemi disa gjëra të përbashkëta me kafshët. Për shembull, hamë, pimë, flemë dhe riprodhohemi. Prapëseprapë, në shumë aspekte jemi unikë. Arsyeja të shtyn të mendosh se veçoritë tona si njerëz vijnë nga një Qenie më e lartë se ne, pra nga Perëndia. Bibla e përmbledh këtë mendim kur pohon se Perëndia e formoi njeriun «sipas shëmbëlltyrës së [Tij]» nga ana morale e shpirtërore. (Zanafilla 1:27) Pse të mos meditojmë për cilësitë e Perëndisë disa prej të cilave tregohen te Ligji i përtërirë 32:4; Jakovi 3:17, 18; dhe 1 Gjonit 4:7, 8?
Krijuesi ynë na ka dhënë «aftësi intelektuale» për të hetuar botën përreth e për të gjetur përgjigje bindëse për pyetjet tona. (1 Gjonit 5:20) Fizikani Uilliam Filips, i nderuar me çmimin Nobel, shkroi për këtë: «Kur shqyrtoj rregullin, qartësinë dhe bukurinë e universit, arrij në përfundimin se një inteligjencë më e lartë e projektoi atë çka shoh. Dijet e mia si shkencëtar për harmoninë dhe thjeshtësinë e hijshme të ligjeve fizike, ma forcojnë besimin te Perëndia.»
Rreth dy mijë vjet më parë, një vëzhgues i mprehtë i natyrës shkroi: ‘Cilësitë e padukshme të Perëndisë, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.’ (Romakëve 1:20) Shkrimtari, apostulli i krishterë Pavël, ishte inteligjent dhe mjaft i arsimuar në Ligjin e Moisiut. Besimi i tij, i bazuar te logjika, bënte që Perëndia të ishte real për të, kurse ndjenja e fortë e drejtësisë e nxiste t’ia jepte Perëndisë meritën që i takonte për veprat e tij krijuese.
Shpresojmë sinqerisht që edhe ju të arrini në përfundimin se nuk është aspak pa logjikë të besosh te Perëndia. Urojmë që, ashtu si Pavli, të mos mjaftoheni thjesht duke besuar se Ai ekziston, por edhe të kuptoni gjithnjë e më mirë, siç kanë bërë miliona të tjerë, se Perëndia Jehova është një person frymor me cilësi tërheqëse, të cilat na drithërojnë zemrën dhe na afrojnë me të.—Psalmi 83:18; Gjoni 6:44; Jakovi 4:8.
[Shënimet]
^ par. 3 Shih «A është evolucioni një fakt?» në revistën Zgjohuni! të shtatorit 2006.
^ par. 14 ADN-ja është simboli i acidit dezoksiribonukleik.
^ par. 15 Kur Çarls Darvini formuloi idetë e tij për evolucionin, s’e kishte idenë e kompleksitetit të qelizës.
[Kutia në faqen 24]
A DUHET TA JUSTIFIKOJË LIGËSIA FETARE MUNGESËN E BESIMIT?
Shumë njerëz nuk besojnë te një Krijues për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit famëkeq që nxijnë historinë e shumë feve. A është kjo një arsye e fortë për të mos besuar? Jo. Në parathënien e librit të Entoni Fluit Ekziston një Perëndi (anglisht), Roi Abraham Vargezi thotë: «Shthurja dhe mizoritë e fesë nuk kanë lidhje fare me ekzistencën e Perëndisë, sikundër rreziku i shtimit të shpejtë të armëve bërthamore nuk ka lidhje me vërtetësinë e formulës E=mc2.» *
[Shënimi]
^ par. 31 Energjia është e barabartë me masën shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror.
[Figurat në faqen 23]
Për projektin e një strukture u jepet merita njerëzve. Po për projektin që shihet në natyrë?
[Figura në faqen 23]
Albert Ajnshtajni
[Figurat në faqet 24, 25]
ADN-ja është si një libër mikroskopik me udhëzime të sakta për gjallesat inteligjente
[Figurat në faqen 25]
Truri i njeriut është përshkruar si «objekti më i ndërlikuar në univers»
[Burimi i figurës në faqen 22]
© The Print Collector/age fotostock