Nga oficer i SS-së bëhem shërbëtor i Perëndisë së vërtetë
Nga oficer i SS-së bëhem shërbëtor i Perëndisë së vërtetë
Treguar nga Gotlib Bernharti
Isha oficer i SS-së gjermane, truproja personale e zgjedhur e Hitlerit, në Kështjellën e Vevelsburgut. Në prill të vitit 1945, mora urdhër të ekzekutoja disa të burgosur në një kamp përqendrimi aty pranë. Ishin Dëshmitarë të Jehovait. SS-ja tregonte bindje të padiskutueshme ndaj autoritetit. Kjo më vuri përballë një dileme morale. Më lejoni t’ju shpjegoj pse.
LINDA në vitin 1922 në një fshat gjerman afër lumit Ren. Ndonëse zona ishte mjaft katolike, familja jonë i përkiste një grupi pietist, lëvizje fetare që filloi në shekullin e 17-të. Në vitin 1933, kur isha 11 vjeç, në Gjermani erdhi në fuqi Hitleri. Disa vjet më vonë, ngaqë shkëlqeja si në mësime edhe në sporte, u zgjodha të ndiqja një shkollë ushtarake afër Marinburgut ose Malborkut të sotëm të Polonisë. Atje, qindra kilometra larg shtëpisë, u zhyta në ideologjinë nacional-socialiste ose naziste. Studentëve iu mësoheshin gjëra të tilla, si: nderi, përkushtimi, besnikëria, bindja, ndjenja e detyrës dhe respekti i thellë për trashëgiminë tonë gjermane.
Lufta II Botërore dhe SS-ja
Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore në vitin 1939, u regjistrova në SS-në Lajbshtandarte, njësi ushtarake e zgjedhur, që ishte nën urdhrin personal të Hitlerit. Ajo siguronte truproja për qeveritarët dhe përdorej për operacione ushtarake të veçanta. Pashë beteja në Belgjikë, Francë, Holandë, Rumani, Bullgari dhe në Greqi. Kur isha në Bullgari, ndoqa një shërbesë fetare që e drejtonte një prift i ushtrisë. «A mban të njëjtat shërbesa edhe armiku?»—pyesja veten. Po ashtu, vrisja mendjen: «A e bekon Perëndia luftën? Anën e kujt mban?»
Më vonë, u zgjodha të ndiqja Junkershulen, akademi që stërviste djem për poste të larta ushtarake. Më pas, u caktova në një njësi që ruante selinë e Rajhut në Berlin. Njëherë atje pashë Hitlerin t’i bërtiste në sy të të gjithëve një politikani të ngritur. «Ç’sjellje e pahijshme!»—mendova. Por nuk guxova të thosha gjysmë fjale.
Në Berlin takova Ingën, e cila punonte në seli. Kur ishim në prag të martesës, papritur njësia ime u transferua në frontin rus, pa veshje të ngrohta dimërore. Kjo gjë na tronditi ne ushtarëve pasi, gjatë dimrit 1941-1942, temperaturat ranë deri në minus 30 gradë celsius. Atje u dekorova për herë të dytë me Kryqin e Hekurt. Më vonë, ngaqë u plagosa rëndë,
më kthyen në Gjermani me aeroplan. Me Ingën u martova në vitin 1943.Caktimi tjetër ishte në selinë «Obezalcberg» të Hitlerit në malet e Bavarisë. I pranishëm ishte edhe Hajnrih Himleri, kreu i SS-së. Ai mori masa që të më kuronte masazhatori dhe mjeku i tij personal, Feliks Kershteni. Më vonë, mora vesh se Kershteni kishte një pronë që quhej «Harcvald», pranë Berlinit. Nga mesi i luftës, ai i kërkoi leje Himlerit që Dëshmitarët e Jehovait në një kamp përqendrimi aty afër, të punonin atje. Himleri pranoi dhe Kershteni i trajtonte Dëshmitarët me respekt. Një Dëshmitare që punonte për Kershtenin në Suedi, gjithmonë fuste një kopje të Kullës së Rojës në valixhen e tij për Dëshmitarët e Gjermanisë. *
Dëshmitarët e Jehovait hyjnë në jetën time
Nga fundi i vitit 1944, Himleri më caktoi si adjutant të një gjenerali të SS-së i cili ishte komandant i Kështjellës së Vevelsburgut, një fortesë 400-vjeçare pranë qytetit të Paderbornit. Himleri po planifikonte ta kthente Vevelsburgun në qendër kulti për ideologjinë e SS-së. Afër kështjellës ishte një kamp i vogël përqendrimi që quhej «Niderhagen». Ai kishte një kategori të veçantë të burgosurish—Dëshmitarët e Jehovait, që quheshin edhe Studentët e Biblës.
Një i burgosur me emrin Ernst Shpehti, erdhi disa herë për të më mjekuar plagët. «Mirëmëngjes zotëri!»—më thoshte gjithnjë.
—Pse nuk thua: ‘Hajl Hitler!’—e pyeta.
—Jeni i krishterë?—m’u përgjigj me takt.
—Po,—i thashë.—Jam pietist.
—Atëherë, duhet ta dish se Bibla premton se shpëtimi (hajl) do të vijë nëpërmjet një personi të vetëm, Jezu Krishtit. Ja pse nuk mund të them: «Hajl Hitler!»
Përgjigjja e tij më habiti dhe më bëri përshtypje. E pyeta: «Pse jeni këtu?»
—Jam Student i Biblës,—më tha.
Bisedat me Ernstin dhe një Dëshmitar tjetër, Erih Nikolajcigun, që punonte si berber, më prekën zemrën. Megjithatë, biseda të tilla ishin të ndaluara dhe komandanti më urdhëroi t’i ndërpritja. Gjithsesi, mendoja se, nëse të gjithë në Gjermani—një vend që mbahej si i krishterë me miliona njerëz që shkonin në kishë—do të silleshin si Dëshmitarët, nuk do të kishte luftë. «Ata duhen admiruar, jo të përndiqen»,—mendoja.
Gjatë asaj kohe, më telefonoi një vejushë e shqetësuar që më kërkoi t’i siguroja ndonjë mjet transporti për të birin që kishte nevojë urgjente të hiqte apendicitin. Menjëherë dhashë urdhër për një mjet, por komandanti ma anuloi urdhrin. Pse? Sepse burrin ia kishin ekzekutuar si anëtar të një grupi që ishte përpjekur t’i bënte atentat Hitlerit në korrik të vitit 1944. Djali vdiq dhe unë s’bëra dot gjë. Edhe sot e kësaj dite më vret ndërgjegjja për atë që ndodhi.
Ndonëse isha në fillim të të 20-ave, nisa ta shihja jetën siç ishte në të vërtetë, jo siç e paraqiste propaganda naziste. Ndërkohë, i admiroja gjithnjë e më shumë Dëshmitarët e Jehovait dhe mësimet e tyre. Kjo çoi në vendimin më të rëndësishëm të jetës sime.
Në prill të vitit 1945, kur po afroheshin ushtritë e Aleatëve, eprori im ia mbathi nga Vevelsburgu. Atëherë erdhi një njësi ushtarake që kishte marrë urdhër nga Himleri për të shkatërruar fortesën dhe për të vrarë të burgosurit. Komandanti i kampit të përqendrimit aty afër më dha një listë me të burgosurit që duhej të ekzekutoheshin—të gjithë Dëshmitarë. Pse? Thuhej se ata dinin vendin e thesareve të artit të grabitura nga Rajhu i Tretë. Këto ishin vepra arti që, me sa dukej, ishin fshehur në disa prej ndërtesave. Ky sekret nuk duhej të zbulohej. Si t’ia bëja me urdhrin e ekzekutimit?
Iu afrova komandantit të kampit dhe i thashë: «Trupat amerikane po vijnë. A nuk do të ishte mirë për ju dhe njerëzit tuaj që të largoheshit?» S’kishte nevojë t’ia thosha dy herë. Pastaj bëra atë që është e pamendueshme për një oficer të SS-së: nuk iu binda urdhrit dhe Dëshmitarët mbetën gjallë.
E kam për nder të jem vëllai i tyre
Pas luftës, unë dhe Inga u lidhëm me Dëshmitarët e Jehovait dhe filluam të studionim Biblën me etje. Na ndihmoi një Dëshmitare që quhej Augusta bashkë me disa të tjerë. Plagët e luftës dhe periudha e ashpër pas saj, na e bënë jetën të vështirë. Prapëseprapë, unë dhe gruaja ia kushtuam jetën Jehovait dhe u pagëzuam: unë në vitin 1948, kurse Inga në vitin 1949.
Në vitet 50, disa Dëshmitarë që kishin qenë në Vevelsburg gjatë luftës, u rikthyen atje për t’u takuar me njëri-tjetrin. Ndër ta ishin Ernst Shpehti, Erih Nikolajcigu dhe një i burgosur tjetër besnik, Maks Holvegu. Për mua është nder i madh të quhem vëllai i tyre, pasi këta njerëz të guximshëm të Perëndisë rrezikuan jetën që të më jepnin dëshmi. Në takim ishte edhe Marta Nimani, që kishte qenë sekretare në Vevelsburg. Edhe asaj i kishte bërë mjaft përshtypje sjellja e Dëshmitarëve dhe ishte bërë një shërbëtore e kushtuar e Jehovait.
Kur kthej kokën pas, shikoj prova të bollshme se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e [Satana Djallit]», diçka që s’e kisha kuptuar kur isha një i ri naiv dhe idealist. (1 Gjonit 5:19) Gjithashtu, shoh qartë sa ndryshe është t’i shërbesh Jehovait dhe t’u shërbesh regjimeve tiranike, siç ishte ai i Hitlerit. Ky i fundit, kërkonte bindje të verbër, ndërsa Jehovai do që ne t’i shërbejmë nga dashuria e bazuar në njohurinë e saktë për personalitetin dhe qëllimet e tij, siç tregohet në Bibël. (Luka 10:27; Gjoni 17:3) Po, Jehovai është i vetmi të cilit do t’i shërbej sa të kem jetë.
[Shënimi]
^ par. 9 Shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1972, faqja 399, anglisht.
[Figura në faqen 19]
Fotografi e dasmës, shkurt 1943
[Figura në faqen 19]
Kështjella e Vevelsburgut do të bëhej qendër e ideologjisë së SS-së
[Figura në faqen 20]
Sot me gruan time, Ingën